Dita e djeshme, 19 prilli, shënoi dy vendimmarrje të thukta, që tërhoqën vëmendjen e opinionit:
Së pari, refuzimi që ish deputeti Kujtim Gjuzi i bëri ofertës të ardhur nga përkrahësit e simpatizantët e tij, për t’u bërë President i Shqipërisë (?!). Zotëria i tij e refuzoi me politesë kërkesën, duke dhënë dhe argumentet më se bindëse, se aspiratat e tij shtrihen diku më lart, jo në sistemin presidencial, por atë mbretëror.
Së dyti, grupi i deputetëve të Partisë Socialiste pranuan, edhe pas shpalljes ‘non grata’ që SHBA-ja i bëri babait të tij, që Ornaldo Rakipi të mbetet pjesë e grupit. Argumenti ishte i thatë, i ftohtë dhe i pranuar në heshtje të thellë: ai nuk mban përgjegjësi për veprimet dhe aktivitetin e Aqifit, për të cilat edhe ju vu damka e të padëshiruarit!
Deri këtu, askush s’ka pse nxjerr yçkëla, sepse në një sistem demokratik do përbënte shkelje të parimeve, në mos marrëzi, që fëmijët të mbajnë përgjegjësi për prindërit, familjarët apo të afërmit e tyre. Qëndrime të tilla u përkitnin vendeve me sisteme totalitare, ku zhvillohej lufta e klasave me egërsi që shkonte në disa breza. Kujtimet e këtyre praktikave për një shtresë shqiptarësh janë të njohura, sepse i kanë vuajtur në lëkurën e tyre.
Pasi e bëmë këtë shpjegim të shkurtër e të domosdoshëm, vjen por-i! Dhe do vinte patjetër për shkaqe që lindin nga kjo vendimmarrje e një sërë pyetjesh, prej të cilave kam zgjedhur vetëm një: për çfarë vlerash 27 vjeçari Ornaldo u ngjit në majat me të larta të ngrehinës partiake dhe atë politike???
Në referencë të kodit zgjedhor, deputeti Rakipi, për shkak se mori rreth 16 mijë vota, theu herësin (nga tre të tilla që ndodhën) dhe u rendit në vend të 30-të të listës emërore të PS-së. Nuk e njoh as këtë as të atin. Ornaldo mund të jetë një djalë i mirë, i moralshëm, me plot virtyte dhe mbase do jetë dhe i devotshëm për partinë dhe popullin që e zgjodhi. Por ajo që njoh unë dhe shumica e njerëzve, është se ky Ornaldoja, deri ditën që Edi Rama e zgjodhi që të jetë në listën e kandidatëve, veprimtarinë në dobi të Partisë Socialiste e ka pasur Zero, as ka qenë anëtar i saj dhe nuk ka patur asnjë aktivitet politik. Mos ka ndikuar gjë baba për sigurimin e atyre votave? Mos i ka përkitur gjë botës akademike? Jo, sdi gjë njeri që ky person të ketë qenë apo t’i jetë afruar një bote, që me gjasa nuk e di se ekziston! Si person publik ka qenë një i panjohur, gjë që s’do të thotë asgjë për Edi Ramën që ta marri nga humbëtira si të pëlqyerin e tij e ta vendosi atje ku e vendosi. As që bëhet fjalë se propozimi mund të ketë mbërritur në dyert e Partisë Socialiste nga poshtë, nga baza, nga organizata e lagjes apo qytetit!?
Tani, vetiu vjen pyetja tjetër “e vockël”: pse e pëlqeu kryetari i Partisë Socialiste, z. Edi Rama, këtë birin e Aqifit? E që të mos e bëjmë tërkuzë rrjedhjen më tej të këtij shkrimi, le ta themi që në krye, se Ornaldo Rakipi u zgjodh falë shërbimeve që babai i tij (tashmë me pamundësi të ishte vetë ai kandidat për deputet) kish kryer për Partinë Socialiste, (më thjesht, pa e ngatërruar fare partinë, për Edi Ramën). Pra, e marr birin e babit dhe e bëj deputet, duke larë kështu borxhin për shërbimet!
Duket qartazi se vendimmarrja për ta mbajtur në grup, sa kohë vetë deputeti nuk u dorëhoq, është një dukuri jo demokratike. Përdhosja e zgjedhjeve “të të padëshiruarve” dhe postit të deputetit, pasi e kemi parë te Sali Berisha, me rastin e këtij Rakipit merr ngjashmëri shqetësuese dhe rezistenca e diktuar dhunshëm për ta mbajtur në grup është gjithashtu anti demokratike. I ardhuri si deputet me këtë “biografi shpërblimesh”, do apo nuk do Edi Rama dhe Partia Socialiste, do mbaj një post të deleguar përfaqësimi, që i siguron një të drejte morale të pamatë. Arbitrariteti i mbajtjes së tij në grup shndërrohet në një të drejtë që bën pis edhe deputetët e tjerë të grupit.
Edi Rama ka komoditetin që të shtypi këdo prej tyre, sepse janë zgjedhje e tij, pëlqim i tij, që bazohet te simpatitë personale. Vlerat e tjera nuk janë dhe aq të domosdoshme! I di Ai, të gjitha, edhe parimet e moralit.
Ty te lumte dora dhe mendja. I ke vene pikat mbi i. Ky pra eshte problemi:arbitrariteti si rrjedhoje e korrupsionit politik. Dhe ne kete rast Rama eshte shembulli tipik i monstruozitetit.
Përgjigju