SHKUP, Maqedoni e Veriut - Një 'stuhi' e vërtetë ka përfshirë klubin e FC Shkupit, pas një deklarate të fortë të publikuar nga tifozët e zjarrtë të skuadrës, “Shvercerat”, të cilët kanë akuzuar hapur drejtuesit aktualë të klubit për trukime ndeshjesh dhe manipulime.
Sipas njoftimit të bërë publik në faqen zyrtare të tifo-grupit, klubi po udhëton drejt Turqisë jo për qëllime sportive, por për të manipuluar një tjetër ndeshje, siç pretendohet, për përfitime financiare nga bastet.
Tifozët shqiptarë të klubit nga Shkupi kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet kompetente dhe paralajmërojnë bojkot dhe bllokim të çdo ndeshjeje nëse situata nuk merr zgjidhje. Ata kritikojnë drejtuesit turq të klubit për situatën e krijuar.
"Mjaft më!
Është koha që t’i ndajmë me ju informacionet për ndodhitë që po zhvillohen në klubin tonë të zemrës.
FC Shkupi, tash e një vit, gjendet në një situatë të vështirë. Edhe pse ne kemi dalë në krah të klubit dhe kemi siguruar mjete financiare dhe sponsorë për ta mbajtur gjallë, përfaqësuesit nga Turqia po tallen me gjithë qytetin dhe klubin tonë.
Duam të informojmë opinionin publik, sipas të dhënave që kemi, se gjatë sezonit të kaluar, kryetari i klubit së bashku me disa prej drejtorëve (të cilët për fat të keq nuk janë më pjesë e klubit) kanë manipuluar disa ndeshje për përfitime personale, duke i regulluar ato për bastore!
Fatkeqësisht, sot kryetari ka emëruar drejtor të ri me të njëjtin mentalitet. Dje, pas marrjes së informatave që ndeshja miqësore me KF Arsimi synohej të manipulohej për bastore, vendosëm që, në bashkëpunim me Federatën dhe klubin e Arsimit, ta anulojmë atë.
Sipas informatave tona të fundit, Shkupi do të udhëtojë sot drejt Turqisë vetëm për të rregulluar një tjetër ndeshje për qëllime bastesh. Apelojmë te të gjitha organet kompetente në vend që të ndërhyjnë urgjentisht dhe të ndalojnë këtë turp që po ndodh para syve tanë.
Ne, si kryesi e grupit të tifozëve, kemi marrë vendim të qartë: pasi nuk po gjejmë asnjë mënyrë për të marrë klubin në dorë, kërkojmë që klubi të mos zhvillojë asnjë ndeshje. Do të bëjmë gjithçka që çdo ndeshje të mos zhvillohet, sepse në çdo rast do të ketë mundësi për manipulime në bastore. Në fund, si shumë klube të tjera në Maqedoni, edhe ky klub rrezikon të përfundojë me “kyçin në derë” dhe pronarët të zhduken pa adresë.
Ftojmë të gjithë dashamirët e klubit dhe sportit që të na përkrahin, që të mos lejojmë të përdhoset emri i një klubi që me vite ka qenë dhe vazhdon të jetë krenaria e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
Kjo luftë do të jetë e vështirë, por për të mirën e fëmijëve të këtij qyteti, besojmë se në fund do të arrijmë fitoren.
Shkupi gjithmonë ka qenë i Shvercerave", njoftojnë Shvercerat.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin sportiv dhe pritet me interes se cili do të jetë reagimi i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut dhe i vetë klubit FC Shkupi për këto akuza të rënda.
Komente
