TIRANË- 8 raste të reja pozitiv me COVID-19 janë shënuar gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin, mes të cilëve 2 janë pjesë e personelit mjekësor në Shkodër dhe Kukës dhe 6 raste të tjera janë në Tiranë. Kjo e çon numrin e rasteve të infektuar me koronavirus në 475 të prekur, ndërsa Kukësi shtohet për herë të parë në hartën e të prekurve me COVID-19 dhe zgjerohet në Tiranë e Shkodër.
Vetëm gjatë 24 orëve janë kryer 236 teste për persona të dyshuar nga të cilët 45 janë personel shëndetësor, kryesisht në spitalin e Shkodrës.
Gjithashtu me numrin e ulët të të prekurve gjatë 24 orëve të fundit, vjen dhe lajmi i mirë, ku 16 pacientë janë shëruar duke e çuar numrin e personave që kanë fituar betejën e tyre në 248 pacientë.
Deri në këto momente janë testuar 4306 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 475 raste. Ndërsa grafiku i të gjithë ecurisë së kurbës së koronavirusit tregon një qëndrueshmëri të rasteve të konfirmuara, kryesisht gjatë dy javëve të fundit.
Betejën me COVID-19 e kanë humbur 24 qytetarë, ku viktima e fundit ishte ditën e djeshme të 68-vjeçares nga Tirana në spitalin Infektiv. Gjendja e saj ishte e rëndë dhe ndodhej e intubuar prej 10 ditësh.
Aktualisht në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 46 pacientë. Në shërbimin infektiv aktualisht janë 37 të shtruar, 5 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 1 prej tyre janë të intubuar.
Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar, 7 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 4 prej tyre janë të intubuar.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
- Tiranë 227 raste
- Durrës 42 raste
- Lushnje 6 raste
- Elbasan 15 raste
- Fier 32 raste
- Kavajë 8 raste
- Rrogozhinë 4 raste
- Korçë 17 raste
- Vlorë 5 raste
- Shkodër 71 raste
- Lezhë 14 raste
- Berat 2 rast
- Has 13 raste
- Krujë 6 raste
-Tropojë 4 raste
- Pukë 5 raste
- Mirditë 3 raste
- Kukës 1 rast
"Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Në këto momente kërkohet përgjegjshmëri nga ana e qytetarëve për të respektuar distancën e nevojshme mes njëri tjetrit dhe ruajtjen e higjienës personale. Është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40", tha Eugena Tomini nga ISHP.
Një 62-vjeçare me COVID -19 ka humbur jetën ditën e sotme në Spitalin Infektiv ku dhe po trajtohej. Ministria e Shëndetësisë ka sqarua se 62-vjeçarja nga Shkodra nuk ka humbur jetën si pasojë e koronavirusit, por pasi vuante nga një sëmundje të rëndë dhe kronike e pankreasit.
Kjo sëmundje kronike e pankreasit e njohur dhe si pankreatiti nekrotizant ka një vdekshmëri të lartë, cilëson ministria e Shëndetësisë, ndërsa shton se 62-vjeçarja vuante edhe nga kanceri dhe astma bronkiale.
Viktima është sjellë ditën e djeshme në gjendje të rëndë nga spitali i Shkodrës, ku rezultoi bartëse e COVID19, por pa shenja klinike të sëmundjes.
“Referuar shërbimit infektiv, 62-vjeçarja nuk ka ndërruar jetë si pasojë e COVID19, pasi ishte asimptomatike për këtë sëmundje, por si pasojë e sëmundjes së rëndë të pankreasit”, tha ministria
Një infermier i urgjencës është i infektuari i parë në bashkinë e Kukësit. Burimet bëjnë me dije se infermieri ka patur kontakt me nënë Nifen, 90-vjeçaren e shëruar pak ditë më parë nga Hasi, e cila u shpërnda si simboli i qëndresës nga kjo sëmundje.
Ndërkohë mësohet se do t’u bëhet tamponi 25 infermierëve dhe mjekëve të cilët kanë patur kontakt me infermierin e prekur nga COVID-19. Gjatë mëngjesit të sotëm i është bërë dezinfektimi pallatit ku banon infermieri në qytetin e Kukësit. Janë izoluar familja e tij dhe po bëhet hetimi epidemiologjik për kontaktet që infermieri ka patur gjatë këtyre ditëve me paciente të spitalit.
Ministria e Shëndetësisë në komunikim e përditshëm konfirmoi sot një rast të ri në qytetin e Shkodrës e cila mësohet se është një infermiere që punon në reaminacion. Për shkak të kontakteve me të kontaminuarit në spitalin e Shkodrës janë testuar 45 persona të personelit shëndetësor, por vetëm një ka dalë pozitiv.