Bota

Si dhe pse u ndërtua Muri i Berlinit 60 vjet më parë?

13 Gusht 2021, 08:58| Përditesimi: 13 Gusht 2021, 09:06

  • Share

Më 13 gusht 1961, udhëheqja e RDGJ-së filloi ndërtimin e murit që për gati 30 vjet do ta mbante Gjermaninë të ndarë dhe që u kthye në simbolin e ndarjes mes Europës Lindore e asaj Perëndimore.

Në fillim të gushtit të vitit 1961 në Moskë u takuan udhëheqësit e atëhershëm të partive komuniste të Bllokut Lindor. Ata vendosën mbylljen e kufirit mes Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore.

Më 12 gusht 1961, Valter Ulbriht, kryetar i shtetit i RDGJ nënshkroi urdhrat për mbylljen e kufirit. Më 13 gusht, ushtria, policia dhe trupat luftarake nisën të ndërtojnë Murin e Berlinit.

Një mëngjes i mjegullt gushti në Bernauer Strasse. Një tramvaj ecën qetë nëpër shina dhe zhurma e ndërtimit përzihet me tingëllimën e kambanave të kishës. Dy turistë me çanta të mëdha shpine ecin rrugës përpjetë, në duar kanë një guidë udhëtimi. Më parë, muri kalonte mes për mes Bernauer Strasse, sot atje ndodhet vetëm një pjesë e këtij muri, e madhe dhe ngjyrë gri.

Si përkujtohet ndërtimi i murit

Vizitorëve nuk u duhet shumë fantazi për ta spostuar përfytyrimin e tyre në kohën e ndarjes: "Mua po më dridhen gjunjët dhe nuk jam në gjendje të flas. Jam i shokuar". Të ngjeshur me njëri-tjetrin qëndrojnë turistët në platformën - verandë të qendrës përkujtimore dhe vështrojnë nga sipër pjesët që kanë mbetur nga sistemi i gjerë i mbrojtjes së kufirit. Më të rinjtë e shohin për herë të parë murin, të vjetrit lidhin me të një pjesë të biografisë: "Më kujtohen mirë pamjet me ushtarin, që kërcen aty mbi telin me gjemba, në kohën e ndërtimit të murit nga Lindja për në Perëndim. Dhe gjithmonë dëgjoje lajmet se atje është vrarë dikush. Ishte e vështirë të pranoje përfytyrimin se këta ishin bashkatdhetarë, gjermanë, që shtinin kundër njëri-tjetrit."

Sabrina 16 vjeçare ka zbritur nga kulla e vëzhgimit dhe po shikon ekspozitën-filma, fotografi dhe dokumente tonikë për ndërtimin e murit. Kur muri u rrëzua, Sabrina ende nuk kishte lindur. Tani nxënësja përpiqet ta përfytyrojë Berlinin si qytet të ndarë dhe kjo i fut frikën: "Po të përpiqeshe të kaloje aty matanë, të vrisnin, njerëzit nuk jetonin dot si donin dhe ishin të detyruar të qëndronin aty."

Gjurmët e murit sot

Shumica e turistëve çuditen që prej murit ka mbetur kaq pak dhe kërkojnë gjurmë dhe pjesë të mbetura në qytet. Për fat të mirë, thotë historiania Gabriele Camphausen nga "Shoqata Muri i Berlinit". #bboi#

"Nuk ishin vetëm turistët e huaj, që me pyetjet e tyre këmbëngulëse: ku mund ta shoh Murin? i zgjuan politikanët berlinezë dhe ata federalë. Një gjë duhet thënë: në vitet 90-të, nga ana e politikës interesi ishte tepër i vogël, për të ndërmarrë ndonjë iniciativë për sqarimin e historisë së Murit të Berlinit."

Kur më 1989 Muri i Berlinit u hap dhe pak më vonë u rrëzua, pasoi një periudhë e distancimit ndaj këtij kapitulli të dhimbshëm të historisë gjermane të pasluftës. Asgjë nuk duhet ta turbullonte gëzimin për ribashkimin e sapofituar. Ky është një shkak se pse në Berlin kanë mbetur në kaq pak vende pjesë të Murit të Berlinit. Në shumë pjesë të qytetit, vendin ku ka kaluar Muri ta tregon vetëm një vijë e shënuar në tokë. Por ajo që ka rëndësi nuk janë vetëm betoni dhe telat me gjemba, thotë Gabriele Camhausen, por perceptimi i historisë së Murit: "Besoj se ne, sa më shumë kohë të kalojë, hapin në mendjet tona dyer të reja, dritare të reja. Krijohen hapësira krejt të reja pyetjesh. Qoftë edhe për hir të faktit, sepse brezat që vijnë nuk preken më drejpërdrejt personalisht. Kjo do të thotë se ata nuk i kanë më pozicionime të caktuara. Ata bëjnë pyetje që neve as na shkojnë në mendje ose të cilat për ne janë edhe pak të tabuizuara."

Ndarja gjermano- gjermane zgjati 28 vjet. Sipas të dhënave të qendrës për studimet historike në Pocdam, nga viti 1961 deri në vitin 1989, u vranë në Murin e Berlinit 136 vetë. DW

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?