Foto ilustruese

Si do përballohet kriza energjitike në vjeshtë dhe dimër

12 Gusht 2022, 15:33| Përditesimi: 12 Gusht 2022, 15:43

  • Share

Nga 27 korriku 2022, Rusia ka ulur në mënyrë drastike, me katër të pestat, furnizimin e vendeve të Bashkimit Evropian me gaz natyror, përmes gazsjellësit Nord Stream 1, kanalit kryesor që ky vend i shet energji Evropës.

Përpara shpërthimit të luftës në Ukrainë nga agresioni rus, Evropa Perëndimore siguronte 40 përqind të nevojave të saj për energji nga gazi dhe nafta ruse. Tani gazi rus vjen në një të pestën e sasisë së tij, ndërsa furnizimi me naftë nga Rusia është ndërprerë për shumë shtete anëtare të BE-së, ose pakësuar ndjeshëm.

Mund të kuptohet qartë uria për gaz natyror dhe energji elektrike në tregun evropian. Kjo uri dhe burimet e kufizuara të ofertës, kanë bërë që tregjet ndërkombëtare të energjisë elektrike të paraqiten me çmime në rekorde historike të paprecedentë, në nivelet e mbi 400 Euro/MWh(megavat/orë).

Parashikimet e çmimeve të energjisë

Më datën 12 gusht 2022, çmimi ndërkombëtar ishte 457 Euro/MWh në baseload(kohën bazë), ndërsa në peakload(kohën e pikut) ishte 466 Euro/MWh. 

Pritshmëria nga të gjithë ekspertët e tregut energjitik dhe nga vetë shtetet anëtare të BE-së, është që për muajt në vazhdim, çmimet do të vijojnë në këtë situatë të jashtëzakonshme.

Sipas bursës hungareze “Hupx”, energjia për muajin shtator 2022(energjia blihet më përpara me kontrata të quajtura “futures”) e ka çmimin 492 Euro/MWh. Tremujori i fundit i vitit 2022 është në çmimin “futures” 552 Eur/MWh dhe viti 2023 po shitet aktualisht në vlerën 472 Euro/MWh.

Tek ne, çmimi i shitjes së energjisë për klientët fundorë familjarë dhe bizneset e vogla, të furnizuara nga ana e Furnizuesit të Shërbimit Universal(FSHU), strukturës në shtet që shet energjinë elektrike, ka mbetur i pandryshuar, në krahasim me çmimin përpara shpalljes së gjendjes së emergjencës. Është vetëm 9.5 lekë për kilovat/orë. Qeveria eshte e vendosur ta mbajë me çdo kusht këtë çmim. Ndërkohë, çmimi i energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare është rritur me afro gjashtë herë më shumë brenda një viti, nga 74 Euro/ MWh që ishte në gusht 2021.

Nevojat tona për energji

Të dhënat për nevojë për energji për klientet fundorë(qytetarët dhe bizneset) për vitin 2022, janë si në tabelën më poshtë:

Tabela 1. Sasia totale e energjisë elektrike

Energjia e kërkuar nga FSHU për t’u shitur

Energjia e parashikuar për t’u prodhuar nga KESH

Energjia për t’u blerë nga importi

5,403,282 MWh

3,530,340 MWh

1,556,142 MWh

 


Qeveria ka parashikuar në buxhetin e vitit 2022 një fond prej 20 miliardë lekësh për të përballuar krizën energjitike, ose 170 milionë euro. Nderkohe ky fond ka qene parashikuar per nje çmim mesatar blerje energjie rreth 200 Eur/MWh. Ne kushtet aktuale, kur çmimi eshte pothuaje 500 Eur/MWh, jane edhe mbi 20 miliarde leke shtese qe duhen gjetur. Por edhe sikur me sakrifica, të mund të gjenden një pjesë e këtyre fondeve, në tregjet ndërkombetare, në Bursën hungareze për shembull, që është referenca më e afërt, mund të mos ketë energji elektrike për t’u shitur, aq sa do të kemi nevojat. Prandaj dhe e kemi domosdoshmëri të shikojmë burime alternative, për të siguruar energjinë që na mungon.

Si po veprojnë vendet e BE-së dhe jo vetëm

Për të përballuar këtë situatë të jashtëzakonshme, seicili vend anëtar i BE-së, por jo vetëm, po merr masat e veta të jashtëzakonshme.

Qeveria zvicerane ka paralajmëruar qytetarët e saj për furnizim problematik me energji elektrike gjatë dimrit. “Qytetarët e Zvicrës duhet mbajnë parasysh që të kenë qirinj në shtëpi, në rast të ndërprerjeve të energjisë elektrike me zgjatje disa orë”, deklaroi Werner Luginbühl, Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë së Zvicrës (Elcom).  Në këtë vend të standartatit të lartë të jeteësës, autoritetet po përgatiten tashmë për mungesën e energjisë elektrike që nga vjeshta, ndaj qytetarëve u thuhet se në dimër duhet të llogarisin ndërprerjet e energjisë elektrike.

Gjermania ka riaktivizuar disa impiante qymyri për përballimin e krizës energjetike. Franca rivendosur në punë centralin me qymyr në Saint Avold. Hollanda ka hequr përkohësisht kuotat e karbonit, me synim prodhimin nga centralet e qymyrit. Kështu po veprojnë edhe shtetet e tjera anëtare të BE-së.

Përgatitjet tona për emergjencën energjitike vjeshtë-dimër

Kryesorja tani është gjetja e burimeve alternative dhe mekanizmave për të siguruar prodhim shtesë të energjisë elektrike. Për këtë, qeveria ka porositur dy anije lundruese Tec (barxhe), të cilat do të instalohen në Triport të Vlorës. Ato kanë një kapacitet 114 MW dhe nga prodhimi i tyre pritet që të ketë një zbutje të konsiderushme të nevojës për import. Sado të kushtojë prodhimi i megavat/orës prej tyre, kosto e këtij prodhimi është gjithnjë tre herë më e lirë se kosto e blerjes së megavat/orës nga importi. Nga ana tjetër, të tilla anije lundruese ka pak në botë. Shumë vende evropiane kanë kërkuar t’i kenë, por nuk kanë mundur të gjejnë.

Kjo masë e jashtëzakonshme e qeverisë shqiptare është në linjë me gjithë masat e përkohshme që po marrin shtetet anëtarë të Bashkimit Evropian dhe jo vetëm, për përballimin e krizës.

Masat në afatmesëm

Në tetor 2020, u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit Ekonomik ndërmjet SHBA dhe Shqipërisë. Në të janë dy projekte shumë të rëndësishëm për rritjen e sigurisë energjetike në vend: projekti LNG(gaz i lëngshëm) dhe Skavica. Kesaj i shtohet tashme edhe projekti i anijeve lundruese qe po ofrohet nga kompania amerikane Excelerate.

Krahas këtyre dy investimeve themelore, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka realizuar dy ankande për zhvillim të burimeve fotovoltaike nga dielli, të fituara nga kompania franceze Voltalia. Ankandi i parë është investimi me vlerë 100 milionë euro në Karavasta, me kapacitet 140 MW, i cili filloi punimet në korrik 2022 dhe pritet të fillojë prodhimin në mesin e vitit 2023. Ankandi i dytë është investimi në Spitallë, me kapacitet 100 MW, ndërtimi i të cilit pritet të fillojë në fund të vitit 2022. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po zhvillon një ankand për burime energjitike nga era me kapacitet deri në 150 MW. Ankandi ka përmbyllur fazën e parë në korrik 2022 dhe 16 kompani ndërkombëtare kanë paraqitur ofertat e tyre.

D.GJ/ReportTv.al
Komento

Komente

  • redi: 12/08/2022 17:08

    A nuk do ishte llogjike ekonomike venis ne pune e TEC it te Vlores nga gazi qe jalon nga TAP i.Cfar pengese ka kur ai edhte nje veper publike qe nuk duhet dhene me koncension se jane oaguar 100 milion dollar nga buxheti dhe u mor ne direzim me difekt serioz.A ka pergjegjesi penale per ate qe firmosi per ta marr ne dorezim ?

    Përgjigju
    • Pjeter: 13/08/2022 08:29

      Do ishte shum e llogjikeshme,Teci tashme nuk ka probleme,por thjesht nuk ka gas per ta vene ne pune,plus,ne mos gaboj do te duhesjin edhe punime konvertimi ne gas,TAP nuk na e jep gazin,sepse nuk ka asnje kontrate,asnje dakordesi,madje asnje takse nuk e fut ne thesin e grisur shqiptar .Pergjegjesi me patjeter duhet te kete,por eshte dikush qe e paguajme per te fut hundet ne ato marifete,qe duhet te kontrolloje!! Kush duhet ta beje?Kreu i SPAK,thote qe nuk ka mjaftushem personel ne organiken e tij,dhe ata qe i ka i ka te ngarkuar shume,kane edge prioritetet e tyre te hetimeve,si psh,te zesh me pune risurse per hetime te policeve te rrugores per korruosion, eshte me prioritet me te larte se te hetosh deme kolosale,me efekte akoma te renda per gati te gjithe shqiptaret, te bera nga vendim marres e pushtetare,ajo le te presi,eshte pune e madhe,e do shume njeres ti fusesh ne pune,pastaj askush nuk ka bere denoncim sipas Kreut!!! Thone qe po vjen nje shtator i rrepte,te shofim a do i hedhin grepat ata te SPAK,per ndo nje peshkaqen apo per "cironka",te shofim,e ne te njejten kohe,pasojat do vazhdojne ti heqin te gjithe shqiptaret akoma per kushedi e sa vjet.

  • Turi: 12/08/2022 15:55

    Qeveria mos te krijoje buxhet per te blere energji por te investoje ne fushen e prodhimit te energjise , kane kaluar 32 vjet dhe asnje veper e rendesishme per prodhimin e energjise nuk eshte ndertuar por vetem mendojne si te vjedhin dhe te bejne propagande per fushatat elektorale !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?