Tirane- Çdo fund viti, pyetjet më të mëdha që ngrihen mbi ligjin më të rëndësishëm të financave publike ‘Buxhetin e Shtetit’, janë se ku do të shkojnë taksat, çfarë projektesh të reja do hapen, a do rriten rrogat apo pensione?
822.7 miliardë lekë, ose rreth 8.2 mld euro, shpenzime të planifikuara për vitin 2025, do të shpenzohen për paga, investime, mbrojtje sociale, rindërtimin, interesa borxhi, fonde rezervë, për pushtetin vendor, ndihma ekonomike, kompensime dhe skema të tjera deri tek bujqësia.
Referuar relacionit të projektbuxhetit afro 1/3 e totalit të shpenzimeve shkon për mbrojtjen sociale, sigurimet shoqërore, skemën e pensioneve, për ndihmën ekonomike, pagesa e papunësisë apo kompensimi ish-pronarëve me në total 291.9 miliardë lekë, ose rreth 3 mld euro.
Pas aspektit social, në vend të dytë janë 161.8 miliardë lekë të planifikuara për investime publike, në infrastrukturë, digjitalizim, arsim, rindërtim dhe shëndetësi.
Kategoria e tretë që do të marrë vlerën më të madhe të buxhetit është administrata publike, ku për pagat dhe sigurimet e mbi 86 mijë punonjësve parashikohet të shpenzohen 127 miliardë lekë, pra rreth 1.2 mld euro.
Shpenzimet operative ku bëjnë pjesë skema e fermerëve, mirëmbajtje e rrugëve, e sistemeve teknologjike, programet e punësimit apo mbështetja për arsimin e sportin do të marrin 71.3 miliardë lekë, rreth 710 mln euro.
Për interesat e borxhit publik janë planifikuar 68.5 miliardë lekë. Më tej janë 43.1 miliardë lekë që do të shkojnë për pushtetin vendor, si dhe janë planifikuar 5.9 miliardë lekë fond rezervë për emergjenca, për zgjedhjet e përgjithshme dhe për shpenzime në kuadër të zbatimit të agjendës së planit të rritjes me BE-në.
Sa i takon ndarjes së buxhetit për institucionet, portofolin më të madh do e ketë Ministria e Shëndetësisë me 80.7 miliardë lekë, ndjekur nga Infrastruktura me 74 miliardë lekë, Ministria e Arsimit 62 miliardë lekë, Ministria e Ekonomisë Kulturës-Inovacionit 56 miliardë lekë dhe Ministria e Mbrojtjes 52.6 miliardë lekë.
Asnje qindarke per khtimin e emigranteve ne atdheun ku u linden dhe u rriten ,zoti u pafte atje ku u dhembe me shume ,zoti e bekofte shqiperine.
Përgjigju