'Si dola nënkampion i Ukrainës në kërcimin 3-hapësh…', historia e panjohur e legjendës së sportit shqiptar

9 Shkurt 2020, 08:48| Përditesimi: 9 Shkurt 2020, 08:54

  • Share

Publikohet historia e panjohur të legjendës së sportit shqiptar, Mjeshtërit të Merituar të Sporit, Masar Aga, i cili e filloi sportin në fushat e palestrat e Jugosllavisë kur studjonte në Shkollën Ushtarake të Aviacionit në qytetin Pançevo, ku arriti të ishte lojtar i ekipit përfaqësues së Aviacionit të Jugosllavisë në sportin e Volejbollit.

Ndërsa disa vite më vonë, Masar Aga u dërgua me studime në Bashkimit Sovjetik, ku pasi u stërvit në mënyrë individuale nga tranieri i famshëm, Rajevski, ish-kampion i madh i Bashkimit Sovjetik, doli nënkampion i Ukrainës në garën e kërcimit tre hapësh në sportin e atletikës, duke u rradhitur pas legjendës ukrainase, Serbekov.

Kthimi i Masarit në Shqipëri dhe aktivizimi i tij në disa lloje sporti si: volejboll, basketboll, atletikë etj, duke u angazhuar si lojtar e trainer me ekipin “Partizani”, dhe atë të përfaqësueses shqiptare të volejbollit, ku ishte dhe kapiten ekipi duke shkëlqyer në mjaft takime ndërkombëtare në shtete të ndryshme të Europës, si në Bashkimin Sovjetik, etj.

“Gjatë dy viteve të qëndrimit atje, nga 1949-ta e deri në 1951-in, me ekipin e “Dinamos”, dola kampion i Kharkovit në kërcim së larti, tre hapësh dhe në 10 garësh. Rezultati im në tre hapësh me 13.48 m. ishte i dyti në të gjithë Ukrainën, pas Serbekovit, atletit të famshëm ukrainas”. Kështu na dëshmonte në një intervistë të para disa viteve, Masar Aga, një nga legjendat e sportit shqiptar, i cili kishte marrë shumë diploma nderi, medalje e dekorata, ku një pjesë e mirë e tyre janë në gjuhën ruse, të marra në Jugosllavi e Bashkimin Sovjetik, ku ai filloi karrierën e tij sportive që kur ishte student në Akademitë Usharake të Aviacionit. Po kush është Masar Aga, cila është e kaluara e tij sportive dhe si arriti që të bëhet një nga kampionët e Shqipërisë në disa lloje sporti?

Fillimi i sportit te Varri i Bamit

I lindur në vitin 1927, në një familje të njohur tiranëse, ai filloi të lunate me bashkmoshatarët e tij aty tek Varri i Bamit në Mëhallën e Teneqeve, e cila ishte dhe fusha e parë sportive në qytetin e Tiranës. Avni Zajmi dhe Adem Karapici, dy nga mësuesit e Edukimit Fizik të asaj kohe, u bënë dhe trainerët e parë të tij, duke e futur në ekipin e futbollit “Shqiponja” dhe e nxitën që të vazhdonte më tej sportin. Pas kësaj, po nën drejtimin e Zajmit e Karapicit, Masari i ri vazhdoi të merrej me atletikë e të lunate volejboll me ekipin e gjimnazit. Lidhur me këtë, ai kujtonte:”Në atë kohë fillova të vrapoj duke bërë gara me shokët se kush vinte i pari në lagjen tonë, nga Ura e Brarit ku shkonim për të bërë not. Mbase kjo më nxiti që më pas unë të vrapoja dhe të luaja basketboll me Naim Pilkun, Vangjel Koliakën, Çerçiz Zavalanin etj., në garat e ndeshjet që organizoheshin nën drejtimin e profesorëve Avni Zajmi e Adem Karapici. Më pas nga viti 1942, gjimnazi jonë bëri disa ndeshje në volejboll, basketboll e futboll me shkollën bujqësore të Kavajës, ku unë luajta futboll. Gjatë viteve të gjimnazit, nën drejtimin e profesor Gaqo Gogos, luaja dhe hendboll e mora pjesë në disa gara atletike që u zhvilluan tek “Shallvaret”, kujtonte Masar Aga periudhën e fëmijrisë dhe rinisë së tij kur nisi të merrej me disa lloje sporti.

Volejbollist me përfaqësueses e Aviacionit Jugosllav

Vetëm pak muaj pas mbarimit të Luftës, Masar Aga do të dërgohej për studime jashtë Shqipërisë dhe lidhur me këtë, ai kujtonte: “Më 11 korrik të 1945-ës, shkova në Pançevo të Jugosllavisë për të studjuar në Shkollën Ushtarake të Aviacionit dhe në atë shkollë, një pedagog më origjinë sllovene, duke parë shtatin tim të gjatë, më nxiti që të merrja pjesë në atletikë, në garat e vrapimeve dhe atë të kërcimit së larti. Ai më garantoi se po të zbatoja këshillat e porositë e tij, shumë shpejt do të bëhesha sportist i rangut europian. Përveç atletikës, aty fillova të luaja dhe volejboll me ekipin ushtarak e mora pjesë në një kampionat, ku u afirmova dhe u zgjodha në përfaqësuesen e volejbollit të Aviacionit Jugosllav. Në një kampionat në 1948-ën në Pançevo, zura dy vende të dyta, në kërcim së larti me 1.73 m. Vendin e parë e zuri Zhico, (me 1.83) i cili ishte nënkampioni i Jugosllavisë. Pas asaj më futën në elitën e sportit jugosllav dhe qëndroja në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë në Beograd. Në 1946-ën, mora medaljen e artë GPM (Gati për Punë e Mbrojtje), në disa lloje sporti dhe kam parakaluar së bashku me dy sportistë kampion të Jugosllavisë, para autoriteteve të larta të atij vendi dhe aty filloi dhe karriera ime sportive”, kujtonte Masar Aga, periudhën që filloi të afirmohet si volejbollist e atlet në Jugosllavi.

Nënkampion në Ukrainë

Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë më 1948-ën, Masari u kthye në Shqipëri dhe kaloi me ekipin e “Partizani”-it, ku doli kampion në kërcimin së larti. Po në tetor të atij viti, ai niset për studime në qytetin Armovir të Bashkimt Sovjetik dhe lidhur me atë periudhë, Masari kujtonte:”Aty fillova të merrja pjesë në disa gara atletike, ku dola dhe kampion i atij qyteti. Traineri im Kozllovi më specializoi në volejboll e atletikë. Në vitin 1949, shkuam në Kharkov të Ukrainës dhe në atë qytet mu krijuan kushtet që të merresha me sport krejt i lirshëm. Aty gjeta trainerin e madh Rajevski, ish kampionin e Bashkimt Sovjetik për kërcimin me shkop, i cili filloi të më stërviste në kërcim së larti, së gjati, tre hapësh, hedhje gjyle, 110 m. me pengesa dhe kërcim me shkop. Gjatë atyre dy viteve të qëndrimit atje (1949-‘51) me ekipin e “Dinamo”-s, duke bërë një stërvitje të programuar, dola kampion i Kharkovit (qytet me 1.2 milion banorë) në kërcim së larti, me 1.80 m. e në 10 garësh. Rezultati im në tre hapësh me 13.48 m. ishte i dyti në Ukrainë, pas Serbekovit atletit të famshëm ukrainas. Në kampionatin e Ushtrisë në Kiev, si përfaqësues i Kharkovit zura vendin e parë në kërcim së larti me 1.78 m dhe vendin e dytë në 10 garësh”, kujton Masar Aga atë kohë kur ai me rezultatin e tij në kërcimin së larti dhe tre hapësh, renditej pas kampionit të Ukrainës. Mbas tre-katër vitesh, në 1954-‘55, Masari shkoi përsëri për studime në Grozni të Bashkimit Sovjetik dhe lidhur me atë periudhë kohe, ai kujtonte: ”Gjatë atyre dy viteve të qëndrimit tim në Grozni, u afirmova si volejbollist i klasit të lartë me ekipin e “Iskrës” dhe u formova plotësisht si trainer. Ato metoda stërvitore që zbatoheshin me rigorozitet atje, unë u mundova që t’i aplikoja kur u ktheva në Shqipëri, në periudhën që isha trainer i Kombëtares”.

Atlet, volejbollist e trainer me ekipin “Partizani”

Pas afro dy vitesh qëndrimi në Kharkov të Ukrainës, në vitin 1951 Masari u kthye në Shqipëri. Menjëherë atë e caktuan trainer dhe lojtar në ekipin e volejbollit dhe atë të atletikës, të Klubit Sportiv “Partizani”. Lidhur me atë periudhë kohe, Masari kujtonte:”Me t’u kthyer në Shqipëri, qëllimi im kryesor që të ngrija ekip volejbolli e atletike për të përballuar “17 nëntorin” e Tiranës që ishte i pa mposhtur. Pas një pune të madhe që bëra në ekipin e volejbollit, arritëm që të ngrinim një ekip shumë të fortë dhe në vitin 1964 dolëm kampion. Që nga ai vit, e deri në 1964-ën, me ekipin e volejbollit të “Partizani_-it si lojtar dhe trainer, duke u alternuar me kolegun tim Petrit Murzakun, kam fituar nëntë Kampionate dhe njëmbëdhjetë Kupa Republike. Përveç volejbollit, meqënse asokohe lejohej që të merrje pjesë në disa lloje sporti, paralelisht deri në vitin 1954, kam qenë dhe trainer i ekipit të atletikës të “Partizani”-it, kurse si atlet kam marrë pjesë në gara e kampionate deri në vitin 1958. Gjatë atyre viteve unë kam pasur rastin që të përgatisja një numër të madh atletësh që u bënë kampion dhe rekordmenë të Shqipërisë. Ndër këta sportistët të talentuar, kujtoj me respekt Telemak Theodhosin, Shaban Lundrën, Melpomeni Çobanin, Sofie Meçen, Pina Thanin, Fatbardha dhe Ahmet Agën (motra dhe vëllai im) Hasan Dinen, Servet Abazin, Todi Koçin, Hilmi Ramizin, Mujo Dulin, Rexhina Hanxharin, Meleq Arapin, Dilaver Toptanin etj. Në ato vite si atlet, kam marrë pjesë në garat e kërcimit së larti, së gjati, tre hapësh, stafetë katër herë 100 m. në vrapim 400 m. dhe në stafetën ballkanike, duke qenë për disa vite rekordmen në katër gara. Në kërcim së larti, me 1.78 m unë dola kampion duke ja thyer rekordin vëllait tim, Ahmetit. Po kështu asokohe isha dhe kampion i dhjetë garshit, duke grumbulluar 5091 pikë, që për kohën ishte një rezultat tepër i lartë”, kujton Masar Aga atë përiudhë kohe kur ai ishte kampion kombëtar e rekordmen i vendit në disa gara të atletikës.

Volejbollist e trainer me Kombëtaren

Përveç konkurimit si atlet në disa kampionate atletike dhe volejbollist e trainer me ekipin e “Partizani”-it, Masar Aga është aktivizuar për disa vjet edhe si lojtar e trainer i ekipit Kombëtar të Volejbollit. Lidhur me këtë ai kujtonte: ”Në vitin 1951, me tu kthyer nga Bashkimi Sovjetik, ngrita dhe ekipin Kombëtar të volejbollit, duke qenë trainer i atij ekipi. Si lojtar e trainer i përfaqësueses shqiptare të volejbollit, kam luajtur në shumë takime ndërkombëtare, ku shpesh herë kemi arritur dhe fitore të bujshme, si ato me Gjermaninë Lindore dhe Rumaninë në Tiranë. Ato vite volejbolli jonë arriti nivele të larta duke u ndeshur denjësisht me ekipet europiane e botërore. Kështu në vitin 1955, me lojtarët që kisha përgatitur unë, ekipi Kombëtar zuri vendin e 10-të në Kampionatin Europian që u zhvillua në Pragë. Atë vit unë nuk morra pjesë në atë aktivitet, pasi isha në Bashkimin Sovjetik, por ekipi ynë përbëhej nga lojtarët që kisha përgatitur vetë prej vitesh. Mbas katër vitesh, në 1962-in, në kuadrin e Kupës së Kampionëve të Europës, ekipi ynë Kombëtar i volejbollit, mundi dy herë në Tiranë, ekipin Kombëtar të Austrisë, me ndeshjen të shkëlqyera të një niveli tepër të lartë”, kujtonte Masar Aga, ato vite të lavdishme të volejbollit shqiptar në arenën Europiane, për të cilat shprehet: ”Ne nuk i kishim fare problem ekipet perëndimore. Mund të ndesheshim si të barabartë dhe të fitonim me ta”. Një nga evenimentet e rëndësishme të karrierës sportive të Masar Agës, është pjesmarrja në Kampionatin Botëror të Volejbollit që u zhvillua në vitin 1962 në Bashkimin Sovjetik. Lidhur me këtë, ai kujton: ”Përpara Kampionatit Botëror të Volejbollit , ekipi ynë bëri një turne stërvitor në Kinë, ku zhvilluam disa ndeshje  në Shangai, Pekin e disa qytete të tjera. Në Pekin, ekipi ynë zhvilloi një lojë të mrekullueshme dhe të nesërmen shtypi kinez në mes të tjerash shkruante: ‘Ekipin shqiptar drejt fitores e udhëhoqi mjeshtri i madh Masar Aga’. Kur u kthyem në Bashkimin Sovjetik, ne u pritëm shumë keq nga autoritetet vëndase, pasi situate politike në mes dy vendeve tona ishte tepër e acaruar, në prag të prishjes së marrëdhënieve diplomatike. Ekipi ynë i luajti ndeshjet në qytetin e Kievit duke zhvilluar disa lojra të mrekullueshme më fitore të bukura dhe në klasifikimin e përgjithshëm ne zumë vendin e 14-të, nga 25 ekipe që merrnin pjesë aty. Po të kishim një trajtim më të mirë nga autoritetet vendase dhe po të mos na dërgonin në grupin e hekurt të Kievit, ekipi ynë Kombëtar pa asnjë mëdyshje, do të hynte ndër skuadrat më të mira të Botës”, kujton me nostalgji Masar Aga ato vite të arta të volejbollit shqiptar dhe të karrierës së tij sportive si kapiten e lojtar kryesor i Kombëtares.

Mbyllja e karrierës

Pas një karriere të gjatë prej 15 vitesh, nga fundi i vitit 1964, Masar Aga u shkëput nga sporti. Kjo erdhi më tepër nga pamundësia për ta vazhduar atë, për shkak të angazhimeve që ai kishte si ushtarak dhe kuadër i lartë në Komandën e Përgjithëshme të Aviacionit dhe si pilot i avionit qeveritar. Ndonëse u shkëput si sportist, ai vazhdoi të qëndronte si kuadër i lartë i sportit duke qenë drejtues i Federatës së Volejbollit për 30 vite. Po kështu Masari ka qenë Kryetar i Kolegjumit të Arbitrave për 15 vite, anëtar i Komitetit Olimpik e deri në Kryesinë e Pergjithshme të Bashkimit të Fiskulturistëve dhe Sportistëve të Shqipërisë. Ai ishte një nga sportistët e parë që mori titullin e lartë “Mjeshtër i Sportit” që në vitin 1952 dhe më pas “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, pa llogaritur me dhjetra medalje e dekorata si kampion e rekordmeni Shqipërisë në disa gara dhe lloje sporti, duke mbetur në memorien e sportëdashësve dhe bashkohësve të tij si një nga legjendat e gjalla të sportit shqiptar./Memorie.al

Komento

Komente

  • MS-08: 10/02/2020 17:17

    Keto Njerez jane ajka e popullit shqiptar. ELITA. Njerez te Vertete me Vlera dhe Integritet. Sikur te kishte me shume nga keto e me pak nga honço bonçot mjerane, qe sillen verdalle kot gjithe jeten... Qenie vetem biollogjike

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?