Kurti, Vuçiç dhe ndërmjetësuesit

Si e shkeli Serbia brenda 24 orëve dy herë Marrëveshjen e Ohrit?

25 Prill 2023, 08:52| Përditesimi: 25 Prill 2023, 08:53

  • Share

Po vazhdojnë përplasjet mes udhëheqësve kosovarë dhe atyre serbë për respektimin e Marrëveshjes së Ohrit. Është presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ajo që ka thënë se Serbia brenda 24 orëve ka shkelur dy herë Marrëveshjen e Ohrit. Për këtë gjë ka reaguar edhe pala serbe.

Zbatimi dhe respektimi i Marrëveshjes së Ohrit të arritur një herë më 27 shkurt në Bruksel dhe më 18 mars me pranimin e aneksit të marrëveshjes, po del të jetë temë diskutimi dhe përplasje mes palës kosovare dhe asaj serbe.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia e ka shkelur dy herë Marrëveshjen e Ohrit për më pak se 24 orë.

Ndërhyrja në zgjedhjet në Kosovë dhe lobimi apo votimi kundër aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, janë dy pikat e marrëveshjes që janë shkelur nga Serbia.

Kështu ka thënë presidentja Osmani në një shkrim në Twitter, duke shtuar se “marrëveshja e re, por e njëjta Serbi e vjetër.

“Serbia bëri dy shkelje të Marrëveshjes Bruksel-Ohër në më pak se 24 orë: ndërhyrje të jashtme në zgjedhjet në Kosovë (në kundërshtim me nenin 2), lobim dhe votim kundër aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (në kundërshtim me nenin 4). Marrëveshje e re, por e njëjta Serbi e vjetër.” – ka shkruar Osmani në Twitter.

Reagon Serbia

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i palës serbe për deklaratën e Osmanit.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka reaguar ndaj deklarimit të Osmanit.

Ai ka përmendur Asociacionin që sipas tij, është gjëja që Kosova po e shkelë.

“Kur Osmani përmend shkeljet e Marrëveshjes së Brukselit, me siguri e ka fjalën për Bashkimin e Komunave Serbe. Obligimet e Prishtinës në raport me Asociacionin gjenden në gjashtë pikat e para të Marrëveshjes së Brukselit dhe deri më sot, 10 vjet më vonë, rezultati është zero.” – ka shkruar Petkoviq në Twitter.

Ai e ka quajtur absurd reagimin e Osmanit teksa ka thënë se edhe zgjedhjet komunale për katër komunat në veri, ishin absurd.

“Absurd është fjala që përshkruan më së miri filozofinë politike në Prishtinë. Dhe zgjedhjet e djeshme e vërtetuan qartë këtë.” – ka thënë ai./Nacionale

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?