“Si i ekzekutuam dhe i groposëm Skënder Çelën dhe Mark Toçin…” - Dëshmia rrëqethëse e gjeneralit të njohur, për dajën e Mirush Kabashit

5 Dhjetor 2023, 20:05| Përditesimi: 5 Dhjetor 2023, 20:27

  • Share

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Skënder Çelës dhe Mark Toçit, dy të rinjve komunistë drejtues të Rinisë Antifashiste në qarkun e Durrësit në periudhën e pushtimit Italian të vendit dhe më pas me funksione drejtuese si kuadro në brigadat partizane, të cilët pas mbarimit të Luftës, drejtuan për disa kohë organizatën e Rinisë Antifashiste të qytetit bregdetar, hynë në konflikt me krerët kryesorë të Partisë Komuniste në Tiranë, ata ishin kundër diktatit që vinte nga “qendra”?!

Si filloi eliminimi i tyre pasi ata nuk “reflektuan” edhe pas këshillave të Nako Spiros dhe Teodor Hebës, si dhe presioneve të Ministrit të Punëve të Brendshme, gjeneral-leitnant, Koci Xoxes, që e thirri në zyrë Skënderin dhe teksa rrotullonte revolverin në tavolinë në shenjë presioni, i kërkoi që të tërhiqej nga rruga e tij?! E gjithë historia e tyre tragjike që nga transferimi fillimisht në Konispol e Leskovik , dhe më pas duke i mobilizuar si ushtarë në Qarkun e Korçës, ku sipas dëshmisë së gjeneral-major, Baki Starja, më 26 dhjetor të vitit 1946, me urdhër të Koçi Xoxes, gjeneral-major Beqir Balluku dhe kolonel, Panajot Plaku, përkatësisht komandant dhe komisar të Divizionit të Korçës, i morën Skënderin dhe Markun të lidhur në “Chevrolet”-in e tyre dhe i dërguan në buzë të liqenit të Pogradecit, ku dhe i ekzekutuan me disa plumba në kokë!

Dëshmia e Bajram Vulës në Kongresin e parë të PKSH-së, në 1949-ën, lidhur me vrasjen tragjike të tyre, duke treguar se me urdhër të Koci Xoxes, të nesërmen ai me Beqirin dhe Panajotin kishin shkuar përsëri në vendin e ekzekutimit, për t’i zhvarrosur dhe groposur më pas diku në një vend tjetër në anët të rrugës nacionale në Qafë-Plloçë…?!

 Ishte fund dhjetori i largët i vitit 1946. Një “Chevrolet” i vjetër çante mes për mes errësirën e natës nga qyteti i Korçës për në Pogradec, me destinacion në kallamishtet buzë liqenit. Në automjetin e zi, udhëtonin pesë njerëz: Panajot Plaku, Beqir Balluku, Bajram Vula dhe dy të tjerë që qëndronin të lidhur me pranga në portobagazhin e “Chevrolet”-it. Fare pranë buzës së ujit disa krisma armësh përzihen me zhurmën e dallgëve të liqenit dhe gjithçka mbulohet me një vello misteri…

Kush ishin ekzekutorët?

Kjo ngjarje misterioze do të zbardhej pjesërisht disa vite më vonë në Kongresin e parë të Partisë Komuniste Shqiptare dhe e plotë vetëm pas shembjes të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe hapjes së arkivave. Në atë makinë udhëtonin “dy armiq të Partisë Komuniste”, si dhe tre ekzekutorët, që më vonë edhe ata do pësonin të njëjtin “fat” me viktimat e tyre të asaj nate të turbullt dhe pa hënë. Beqir Balluku, atëherë Komandant i Divizionit ushtarak të Korçës, vite më vonë ministër i mbrojtjes dhe zv/kryeministër (deri sa u pushkatua në vitin 1974, i akuzuar si kryetar i grupit puçist në ushtri). Panajot Plaku, Komisar i Divizionit dhe më vonë zv/ ministër i Punëve të Brendshme dhe Ministër pa Portofol, e anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së (i shpallur më vonë si kundërshtar politik i Enver Hoxhës, i cili mundi të shpëtoj nga hakmarrja e tij vetëm pasi u arratis jashtë Shqipërisë), dhe Bajram Vula, Komisar i Regjimentit II-të, të atij Divizioni.

Kush ishin viktimat?

Dy personat e lidhur me tel ishin Skënder Çela, sekretar politik i celulës komuniste të fabrikës së Cigareve ”Stamles”, në periudhën e pushtimit Italian të vendit, si dhe Mark Toçi, një ndër organizatorët e të parave demonstrata antifashiste të gjimnazistëve të Shkodrës. Skënderi ishte njëri nga ata që luftoi me armë në dorë në 7 prill të vitit 1939 në Bestrovë të Vlorës ku asokohe kryente shkollën Tregtare. Një ndikim të madh në formimin e Skënderit dhe Markut kishte padyshim miqësia që ata kishin me Shefqet Bejën dhe Enver Sazanin dy eksponentë të lartë të Lëvizjes Antifashiste dhe më pas në Kryesinë e Këshillit të Frontit Demokratik e deputetë të Kuvendit Popullor, të cilët në vitin 1947 do të shpalleshin “armiq të popullit” dhe do të dënoheshin me vdekje, të akuzuar si krerët kryesorë të “Grupin të deputetëve”.

Në vitin 1943, Skënderi me Markun drejtonin grupimet antifashiste të rinisë punëtore të qytetit të Durrësit, kryesisht Fabrikën e Cigareve, “Stamles” dhe portit detar. Në sajë të atij aktiviteti, së bashku dhe me Drita Malilen dhe Hysen Ballhysën, u bënë katër eksponentët kryesor të Lëvizjes Antifashiste të rrethit të Durrësit.

Pas demonstratës të 1943-it, Skënderi me Markun u arrestuan nga autoritetet italiane duke u konsideruar si persona tepër të rrezikshëm dhe u nxorën para gjyqit dhe pas marrjes së dënimit ata u dërguan në burgun e Tiranës.  Pasi vuajtën disa kohë në atë burg, ata mundën të lirohen që andej me ndërhyrjen e Prefektit të Tiranës, Qazim Mulleti. Pas daljes nga burgu ata nuk mund të ktheheshin më në qytetin e tyre dhe dolën në mal në radhët partizane. Skënder Çela u caktua në Batalionin Krujë-Ishëm dhe më vonë në Brigadën e 23-të Sulmuese që operonte në rrethin e Krujës, kurse Mark Toci, në Batalionin e tretë të Grupit të Pezës. Që nga ajo kohë e deri në mbarimin e Luftës që ata ishin në radhët partizane, kryen detyra të ndryshme si kuadro drejtues të atyre formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të komanduar nga Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu. Akoma pa mbaruar mirë Lufta, nisur edhe nga fakti se ata kishim mbaruar Shkollën Tregtare, në nëntorin e 1944-ës, me kërkesën e përfaqësuesve të Durrësit, Marku dhe Skënderi thirren dhe vihen në shërbim të pushtetit lokal të sapo krijuar në qarkun e Durrësit. Kështu pa u shkëputur nga puna me rininë durrsake, Skënderi drejtonte Seksionin e Ekonomisë dhe të Punëve Botore, kurse Marku ato të Financës dhe Kulturës.

Rebelimi dhe konfliktet me udhëheqjen e PKSH-së

Gjatë asaj periudhe që ata të dy punuan në ato sektorë si dhe rininë antifashiste të qytetit bregdetar, iu lindën konflikte të ndryshme pasi ata nuk mund të pajtoheshin me shumë udhëzime që iu vinin nga “qendra” si dhe diktatin që ushtrohej ndaj tyre për zbatimin e urdhrave dhe detyrave që vinin nga Tirana. Këto konflikte me “qendrën” u acaruan së tepërmi, sidomos pas zgjedhjeve për në organet drejtuese të Rinisë Antifashiste të Durrësit, ku ata ishin të zgjedhur. Të gjitha këto dhe problemet e tjera që kishin dalë në organizatën e Rinisë Antifashiste të atij rrethi, iu bënë menjëherë prezent udhëheqjes së lartë të Partisë Komuniste nëpërmjet Adil Çarçanit (ish-kryeministër i më vonshëm shqiptar në vitet 1982-1990), në atë kohë Sekretari i Qarkorit të PKSH-së për Durrësin, i cili në mes të tjerash i shkruante Komitetit Qendror dhe Enver Hoxhës: ”Në pas drekën e ditës së zgjedhjeve, shoku Koço Pepo sekretar i Komitetit të nënprefekturës, ka lajmëruar Skënder Çelën dhe Mark Toçin, se në orën katër do të ishte mbledhja e komisionit të agjit-propit ku bënin pjesë. Skënder Çela duke mejtuar se mbledhja e komisionit mos gjoja qe caktuar për të sabotuar vajtjen e atij në zgjedhjet e rinisë, i inatosur karshi Koço Pepos, i gërthet me gjaknxehtësi, duke i thënë pikërisht këto fjalë.”E di unë more Koço Pepo që ti i bën të gjitha këto për të sabotuar që unë të mos shkoj në zgjedhjet e rinisë, por unë do të shkoj se më do rinia. E shkon në zgjedhje”….

Letrat e Adil Çarçanit dërguar Enverit për veprimtarinë “Katërshes”

Çfarë kërkonin Skënder Çela me Mark Toçin që e detyruan Adil Çarçanin  të vinte në “korrent” udhëheqjen e lartë të Partisë Komuniste dhe personalisht, Enver Hoxhën?! Si idealistë që ishin, Skënderi me Markun nuk mund të pranonin diktatin që ushtrohej nga “lart”, pasi ata ishin kundër centralizimit të tejskajshëm që po vihej re si në parti ashtu dhe në organet e qeverisjes, gjë e cila i shtyri ata të kundërshtonin dhe denonconin manipulimet që po bëheshin në procesin e zgjedhjeve të organizatës së Rinisë Antifashiste të Durrësit. Lidhur me këtë, në ditarin e tij, mes të tjerash, Skënderi shkruante: “Ne filluam një luftë parimore, kurse nga qendra nuk ishin të këtij mendimi”. Kështu, në veprimtarinë e tyre, përveç Drita Maliles e Hysen Ballhysës, ata u mbështetën edhe nga një grup i madh të rinjsh durrsak, i cili u konsideruar si ”Grupi i 47 të rinjve”. Kështu në kundërshtim të plotë me të gjitha porositë e udhëzimet e qendrës në zgjedhjet e Rinisë Antifashiste, në mbledhjen e organizuar në kinemanë e qytetit, populli kërkoi që Skënder Çela të ishte president i Rinisë për Durrësin. Në kundërshtim me kandidaturat e sjella nga qendra u zgjodhën dhe Mark Toçi dhe Hysen Ballhysa në zgjedhjet për pushtetin lokal, megjithëse “grupi të katërshes“, ju bë presion i madh që të mos vinin kandidaturat. Nisur nga fakti se ata nuk po “reflektonin” dhe po nuk zbatonin udhëzimet e porositë e “qendrës”, ndaj tyre filluan presionet që ata të tërhiqeshin. Kështu Skënder Çela thirret në zyrën e general-leitnant Koçi Xoxes (në atë kohë mbante postin e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe sekretarit organizativ të PKSH-së) , i cili i bëri shantazhe dhe presion që ai të tërhiqte kandidaturën ku ishte zgjedhur. Lidhur me këtë takim, sipas disa dëshmive, Skënder Çela do t’u tregonte në koefidencë familjarëve të tij: “Ndërsa Koçi Xoxe më fliste, në tavolinë rrotullonte një revolver”!

Në Durrës për “dy rebelët” dërgohen Nako Spiro dhe Teodor Heba

Nisur nga fakti se organizata e Rinisë Antifashiste të Qarkut të Durrësit “po dilte nga binarët”, udhëheqja e lartë e PKSH-së, vendosi që atje të dërgonte si të deleguar, Nako Spiron dhe Teodor Hebën, dy nga kuadrot durrsakë më të lartë që kishte udhëheqja se PKSH-së. Nako me Hebën, e parandjenjë rrezikun që po u kanosej Skënderit dhe Markut, dhe ju bënë thirrje atyre që të tërhiqeshin nga veprimet e tyre dhe gjenin një mundësi të largoheshin nga ato detyra që mbanin, duke e kërkuar vetë atë gjë. Madje, po të ishte e mundur ta linin dhe Durrësin dhe të largoheshin që andej, duke kërkuar të shkonin me studime të larta jashtë Shqipërisë. Por ata të vendosur në idealet e tyre nuk e pranuan as “ofertën“ e Nakos, edhe pse ajo ishte mjaft dashamirëse.  Ata ishin të vendosur në luftën e tyre të pa kompromis kundër diktatit që zhvillohej nga lart në Partinë Komuniste. Më pas, kurë vota e lirë dhe vendimi i zgjedhjeve nuk u zbatua dhe në organet drejtuese u vendosën njerëz të diktuar nga lart, Skënderi e Marku, të pasuar nga Hyseni e Drita, shpallën publikisht daljen nga Partia komuniste. Ky ishte një aktë i pashembullt dhe që ndodhte për herë të parë në radhët e kësaj partie. Dalja e këtyre publikisht nga radhët e Partisë Komuniste Shqiptare, i solli jo pak probleme dhe telashe udhëheqjes së lartë në Tiranë, pasi ata kishin dhe gëzonin një popullaritet të jashtëzakonshëm në qytetin e tyre, sidomos në radhët e organizatës së Rinisë Antifashiste. Po çdo të bëhej me ta? Eliminimi i tyre nuk mund të bëhej shumë lehtë, kur dihej përkrahja e madhe që ata gëzonin në qarkun e Durrësit. Gjë e cila u duk qartë më pas kur ata duke mos qenë fare në listat elektorale të përpiluara nga qendra, populli i votoi pa qenë prezent në sallë dhe duke fituar bindshëm me kandidatët e qendrës në raportet 5 me 1.

Qendra demaskon “tradhtarët” Çela dhe Toçi  

Pas gjithë këtyre që po ndodhnin me dy “rebelët” durrsakë, duket se “qendra” në Tiranë e humbi durimin dhe vendosi të hartonte skenarin për eliminimin e tyre fizik, por fillimisht ata duheshin demaskuar. Kështu në Durrës, sipas porosive dhe udhëzimeve konkrete të ardhura nga Tirana, Adil Çarçani, Kiço Kasapi, Eleni Terezi,(Pashko) udhëzuan të bëheshin mbledhjet e celulave ku ata u shpallën armiq. Në mbledhjen e celulës së Komitetit Ekzekutiv, Drita Malile që ishte mbështetësja kryesore e Skënder Çelës dhe Mark Toçit, u ngrit hapur kundra Kiço Kasapit, kur ai u shpreh se: “Skënderi me Markun ishin armiq”.  “Ne, na ka zgjedhur populli me votë të lirë dhe në mënyrë demokratike”, u shpreh e revoltuar ajo në atë mbledhje. Por, pas demaskimit që i’u bë atyre si element armiq dhe antiparti, filluan dhe arrestimet. Në fillim u arrestua Drita me Hysen Ballhysën, të cilët u mbajtën për gjashtë muaj në qelitë e Sigurimit të Shtetit, ku nuk munguan as torturat ndaj tyre. Ndërsa duke parë reputacionin e madh që kishin në popull Skënderi me Markun, ata nuk u arrestuan menjëherë, por i transferuan larg Durrësit, duke i dërguar në Konispol dhe Leskovik. Po a kishte dijeni Enver Hoxha lidhur me sa po ndodhte me Skënder Çelën dhe Mark Toçin dhe a mund të dënoheshin ata pa miratimin e tij?! Kjo gjë konfirmohet qartë nga disa dokumente arkivore, ku në një fletore shënimesh të Enver Hoxhës, gjendet një listë e shkruar me dorën e tij, ku janë të shënuar 41 kuadro të qarkut të Durrësit, listë e cila i përket vitit 1943 dhe aty Skënder Çela figuron i treti pas Kozma Nushit dhe Telat Nogës (Heronj të Popullit). Për Skënderin, Hoxha ka vënë shënimin, “nënpunës, i qartë dhe i vendosur”. Kurse Mark Toçi në këtë listë figuron i 23-ti me shënimin: “nënpunës, i qartë, ambicioz”. Ky dokument është shkruar nga Hoxha në vitin 1943. Në këtë dokument emri i Markut figuron i nënvizuar…?!

Skënderi me Markun, thirren për shërbimin ushtarak?!

Në gusht të 1946-ës, Markun dhe Skënderin i thërrasin për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, gjë e cila për vetë ligjet e asaj kohe ishte një veprim i pa rregullt, pasi ata të dy kishin qenë partizanë, madje kuadro, me detyra drejtuese dhe nuk mund të mobilizoheshin tashmë si ushtarë të thjeshtë?! Transferimi i tyre në Konispol dhe Leskovik nuk ishte i rastësishëm, pasi sipas skenarit që ishte hartuar nga “lart”, atyre u “jepej” mundësia për ndonjë arratisje të mundshme, ku ndonëse gjatë gjithë kohës ishin të survejuar. Duke parë se kjo arratisje nuk u realizua dhe Skënderi me Markun nuk po binin preh e atij kurthi që u ishte organizuar, atëhere “skenari” për eliminimin e tyre ndryshoi dhe ata dërgohen si rezervistë në Qarkun e Korçës. Kështu Skënderi dërgohet në Divizionin e tretë (regjimenti i dytë), kurse Marku në të tretin.  Disa kohë më pas, Skënderi transferohet në qytetin e Pogradecit. Lidhur me këtë, Petraq Laku, i cili ka qenë bashkë në një regjiment me Markun, në dëshmitë e dhëna për familjarët e tij shumë vite më vonë, kujtonte se atë fund dhjetori ai takohej pothuajse për ditë me të. Markun në atë kohë e tërheqin nga regjimenti, duke e veçuar dhe e ngarkojnë si përgjegjës të bibliotekës së regjimentit në Korçë, gjë e cila bëhej ndoshta për ta pasur nën kontroll? Petraqi dhe Marku janë takuar deri në ditën e Krishtlindjeve më 25 dhjetor kur papritur kanë takuar dhe Skënderin me të cilin kishin katër muaj pa u parë. Petraqi la takim me Skënderin të nesërmen, por ai nuk u duk as dhe dy tre ditët e tjera?! Më 29 dhjetor nuk u duk as Marku në takim?! “Më 1 janar, kujtonte Petraqi, në Korçën e mbuluar nga bora takova një shok nga Tirana (Adem Fagu) dhe më tha se Mark Toçi së bashku me një shok të quajtur Skënder Çela janë arratisur…?! Kjo gjë m’u duk e pabesueshme se ata i kisha aq shumë shokë, sa nuk mund ta bënin një gjë të tillë pa e ditur dhe unë”!

Kongresi i parë: Akuzat bien mbi Xoxen

Po ç’kishte ndodhur me Skënder Çelën e Mark Toçin dhe si qëndron e vërteta rreth misterit të tyre? Kjo gjë do të zbardhej pjesërisht vite më vonë në Kongresin e parë të Partisë Komuniste Shqiptare. Kështu pas eliminimet që Enver Hoxha i bëri bashkëpunëtorit më të ngushtë të tij që nga koha e Luftës, Koci Xoxes, të gjitha krimet, vrasjet, torturat, internimet dhe reperkusionet që kishin ndodhur deri në atë kohë, ai (Enveri), do t’ia ngarkonte atij, ndonëse siç do të dëshmonte Xoxe në deponimet e tij, ai çdo gjë e kishte bërë me dijeninë dhe aprovimin e “Komandantit”. Po kështu u veprua dhe me misterin Çela- Toçi. Në një nga seancat e Kongresit të parë të PKSH-së, Bajram Vula do të dëshmonte: ”Në qershorin e 1946-ës, kam qenë në pushim kur është bërë revizionimi në parti, atëherë dolën 27 anëtar antiparti, armiq të partisë. Kur u bë thirrja në ushtri, erdhën dhe dy prej tyre Skënder Çela dhe Mark Toçi. Në këtë kohë me 26.12.1947 ka ardhur Koçi Xoxe në Korçë për të punuar konventën ekonomike me Jugosllavinë. Po në këtë periudhë ka ardhur dhe Beqiri me Panajotin dhe më thanë të shkojmë në komandë. Ka qenë ora 11.00 e natës. I morëm të dy ushtarakët dhe i vramë. Të nesërmen shkuam dhe i fshehëm. Unë i thashë shokut Panajot që t’ua bëjmë gjyqin, të mbledhim ushtarët dhe pastaj t’i vrasim në sy të ushtarëve. Kjo vepër është vepër kriminale sepse këta janë vrarë pa ligje. Koçi me shokët e tij nuk kanë zbatuar urdhrat e Partisë. Unë nuk kam qenë i qartë për gjyqet e popullit. Unë si komisar Regjimenti nuk ndihem të kem faj në këtë vepër, prandaj faji parë është i Koçi Xoxes, i dyti i Beqir Ballukut dhe i treti imi. Por nuk më lë të qetë ndërgjegjja se Koçi nuk i vrau vetë, po me anë tonë”.

Ky është diskutimi i Bajram Vulës i mbajtur në Kongresin e pare të PKSH-së, kurse në një deklaratë tjetër të bërë prej tij pas shembjes së regjimit komunist (në vitin 1993) për të afërmit e tyre, ai e shtjellon më tej këtë çështje, ku midis të tjerash shton:

Nata e krimit, dëshmojnë autorët

“Më bëri përshtypje se Panajot Plaku nuk e kishte marrë shoferin, por e ngiste vetë makinën. Kur hipa në makinë pashë mbrapa Skënder Çelën dhe Mark Toçin të lidhur me litar. Pasi ndaluam makinën diku në breg të liqenit në qendër të plazhit të sotëm, Beqiri dhe Panajoti me shpejtësi I nxorën nga makina dhe i qëlluan disa herë me revolver. I ndodhur në befasi në këtë skenë, protestova për veprimin të paligjshëm duke iu drejtuar Panajotit se; veprime të tilla duhet të bëhen vetëm me vendime gjyqi. Ndërsa në momentet e mbulimit të kufomës me rërë, Beqir Balluku, i ekzaltuar u përgjigj se kishte një urdhër nga gjeneral Koçi Xoxe. Të nesërmen në darkë rreth orës 23.00, nga frika se do të zbulohej vendi, i morëm kufomat dhe i varrosëm në një cep të rrugës automobilistike para se të arrish në Qafë – Plloç, vetëm se këtë herë në vend të Beqir Ballukut, erdhi Baki Starja. Unë dhe Bakiu hapëm një gropë dhe mbuluam kufomat, kurse Panajoti ndriçonte vendin me dritat e makinës”.

Kështu në atë fund të dhjetorit të 1946-ës, me urdhër të Koçi Xoxes, Skënder Çela dhe Mark Toçi u pushkatuan prej Beqir Ballukut, Panajot Plakut dhe Bajram Vulës në Pogradec.

Dëshmitë e fundit: Krimi zhvarroset

Ndërsa në një dëshmi tjetër që bën fjalë për këtë ngjarje të dhënë për familjarët e Skënder Çelës dhe Mark Toçit, ish-shefi i Stërvitjes i Regjimentit të Pogradecit në atë kohë, Baki Starja, (më pas gjeneral-major), thuhet se: ”Më ka ardhur Panajot Plaku duke më thënë se: ‘Sot do të zhdukim kufomat e dy armiqve që i kemi vrarë mbrëmë, detyra është shumë sekret dhe duhet konspiracion i madh’. Nga mënyra se si m’u komunikua detyra, mendova se kishim të bënim me një detyrë shumë të rëndësishme, ku nuk përjashtohej mundësia që pas kryerjes së detyrës mund të më zhduknin dhe mua për të humbur gjurmët, prandaj mora me vete revolverin të mbushur plot me fishekë. Në vend ngjarje shkuam unë dhe Bajram Vula, ai me një lopatë xheniere më tregoi vendin ku ishin kufomat. Pas ç’varrosjes, unë njoha menjëherë Skënder Çelën se ishte rezervist në repartin tonë dhe një tjetër më të dobët dhe më të gjatë. Të dy kufomat që ishin goditur disa herë prapa koke me plumba, menjëherë i ngjitëm në “Chevrolet”-in e Panajotit, i cili nuk doli për asnjë çast nga makina. Makinën e ndaluam në Qafë – Plloç dhe duke shfrytëzuar një transhe të luftës italo-greke, bëmë varrosjen e kufomave. Panajoti rrinte përsëri në makinë duke na ndriçuar vendin me dritat e makinës. Unë e njihja personalisht Skënderin në regjiment, ku ngrinte probleme që ishin në kundërshtim me vijën e partisë… Mua nuk më është dukur asnjëherë e drejtë vrasja e tyre, pavarësisht se kisha rezervat e mija për ta”.

Hoxha eliminon autorët e krimit

Duke parë dëshmitë dhe dokumentet e mësipërme që hedhin dritë mbi misterin “Çela-Toçi”, duket qartë se udhëheqja e lartë e PKSH-së dhe personalisht Enver Hoxha, shihnin tek ata dy djem të rinj komunistë idealistë, dy kundërshtarët politikë, që mund t’u sillnin”telashe” të mëdha sistemit autoritarist që ata po instalonin në Shqipëri, gjë e cila kishte filluar që nga periudha e Luftës. Vetë angazhimi i krerëve kryesorë të atij regjimi për eliminimin fizik të Skënder Çelës dhe Mark Toçit, e konfirmon dhe e tregon më së miri këtë gjë. Një fakt tjetër që e bën më bindës këtë ngjarje, janë edhe një sërë dokumentesh të gjendura në arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit, që hedhin dritë “mbi veprimtarinë tepër të rrezikshme të Skënder Çelës si iniciator i krijimit të Partisë Social Demokrate, i nxitur dhe përkrahur nga mësuesi i tij, që ai e kishte si idhull, Skënder Luarasi dhe miqtë e tij Shefqet Beja dhe Enver Sazani”. Nga të gjithë njerëzit e tij të ngushtë që Hoxha përdori për eliminimin fizik të Çelës dhe të Toçit, vetëm Adil Çarçani mundi t’i shpëtonte dorës së tij të hekurt. Kështu siç dihet tashmë, në periudha kohë të ndryshme ata patën një fat tragjik duke rënë viktima e idealit të tyre që përqafuan që në rininë e tyre, si: Nako Spiro, Koçi Xoxe, Panajot Plaku, Beqir Balluku, Kadri Hazbiu etj. Kështu në vitin 1975 njëri nga ekzekutorët e Çelës e Toçit ish-nën-kryeministri dhe ministri i mbrojtjes Beqir Balluku do të shkonte po në mesnatë po në atë fshehtësi drejt vdekjes, por këtë radhë jo në rolin e ekzekutorit si dikur me Çelën e Toçin, por këtë radhë në atë të viktimës.

Në Qafë- Plloçë pak metra anës rrugës nacionale, koha ka mbuluar me mister eshtrat e Çelës e të Toçit. Me gjithë dashamirësin e njërit nga personazhet e kësaj ngjarjeje të largët Baki Starjes që shkoi disa herë aty, ato varre akoma nuk janë gjetur…?! Ndërsa edhe Baki Starja është ndarë prej kohësh nga kjo jetë, dy nipat e Skënder Çelës, Mirush Kabashi (aktori i madh) dhe Ylli Rusi, si dhe vëllai i Mark Toçit, (Vangjel Toçi), edhe pse u endën për shumë vite duke shpresuar të gjenin atje vend-groposjen e dy njerëzve të tyre të shtrenjtë, ajo gjë akoma nuk është bërë e mundur…?! Por në shenjë të kujtimit të tyre dhe asaj ngjarje që iu morri jetën, nga viti 2011, ata kanë ngritur një memorial të vogël, mbi të cilin herë pas here gjendet ndonjë tufë me lule./ Publikuar më 5 Dhjetor 2023 nga Memorie.al

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?