Foto ilustruese

Si i përgjon Europa qytetarët?

10 Nëntor 2022, 08:32| Përditesimi: 10 Nëntor 2022, 08:35

  • Share

BE: Në shumë vende anëtare përdoren software spiunazhi, që shpërdorohen politikisht. Kjo del nga një raport paraprak i Parlamentit të BE. Sipas raportit të drejtat demokratike në BE janë në rrezik.

Kur Elona Musk bleu Twitter-in, Komisarja e BE-së që merret me tregun e brendshëm europian, Thierry Breton, kërkoi menjëherë që shërbimi i SHBA-së i lajmeve të shkurtra, Twitter, t'i përmbahet rregullave të Bashkimit Europian. Por, kur qeveritë europiane shpërdorojnë softwaret e spiunazhit, institucionet e Brukselit nuk interesohen fare, kritikon raportuesja e të ashtuquajturit Komiteti Pega të Parlamentit Europian, deputetja europiane nga Holanda, Sophie in 't Veld. Ndërkohë që të drejtat demokratike rrezikohen seriozisht, kur shumë vende anëtare të BE-së përdorin pa kontroll  Pegasuas-in dhe software të tjera të ngjashme dhe përgjojnë kritikët e qeverisë, gazetarët dhe opozitarët nën mburojën e sigurisë kombëtare.  

Softwaret e spiunazhit janë aferë europiane

"Shpërdorimi është aferë e gjithë Europës,” thuhet në raportin e papërfunduar të Komisionit hetimor, të prezantuar ditën e martë (08.11) nga Sophie in 't Veld. "Vendet anëtare kanë përdorur software përgjimi kundër qytetarëve të tyre, për arsye politike si dhe për të fshehur korrupsionin dhe aktivitetet kriminele.” Meqenëse asnjë nga autoritetet kombëtare nuk ka qenë i gatshëm t'i japë Parlamentit të BE-së informacione konkrete, raporti bazohet vetëm në burime të hapura për publikun.

Megjithatë mendon Komiteti, janë mbledhur shumë fakte. "Po të ketë enigma 1000 të panjohura, ne kemi në duar 900 prej tyre,” thotë Sophie in 't Veld. Mund të thuhet se të gjitha vendet europiane kanë blerë software spiunazhi dhe disa prej tyre kanë bërë me to edhe tregti përfituese. "Qipro dhe Bullgaria janë kthyer në qendrat e eksportit, Irlanda ofron software për të rregulluar taksat. Kurse Luksemburgu është qendra financiare për shumë lojtarë nga vendet prodhuese.” I ashtuquajturi Wiretapper's Ball, një mbrëmje vallëzimi që organizohet çdo vit nga kjo industri, zhvillohet në Pragë kurse Malta vlerësohet nga protagonistët si vend i preferuar qëndrimi.

Shembulli më i njohur është firma izraelite NSO, e cila prodhon softwar-in e spiunazhit Pegasus, një software që shkaktoi skandal politik në Greqi. Sipërmarrja ka filiale në Qipro dhe Bullgari dhe i ka kryer aktivitetet financiare nëpërmjet Luksemburgut. Ajo ka përfituar nga tregu i brendshëm dhe liria e lëvizjes brenda BE-së. Shitja e software-ve bëhet me qëllim në mënyrë jo trasparente dhe strukturat e firmës janë komplekse, thuhet në raportin e sapoprezantuar- por "biznesi është në lulëzim dhe me përfitim të madh”.

Greqia, Hungaria, Polonia – dyshimet nuk largohen 

Viktima më e njohur e përgjimit të politikanëve të opozitës dhe gazetarëve në Greqi, është kryetari i socialdemokratëve të Pasok-ut, dhe deputeti europian Nikos Androulakis. Celulari i tij ishte infektuar me software-in e përgjimit, Predator.

Ndërkohë listat e njerëzve që mendohet të jenë prekur bëhet gjithnjë e më e gjatë. Së fundi kryeministri Kyriakos Mitsotakis përsëriti edhe një herë se nuk ka të bëjë me fajësimet e fundit. "Është turp të pretendosh se kryeministri ka përgjuar ministrat e tij,” tha ai për televizionin ANT1.

Por Nikos Marantzidis, ekspert i mediave në Universitetin e Maqedonisë në Selanik, thotë se kryeministri është përgjegjës: "Në fillim ai tha se çdo gjë bëhet sipas ligjit, kurse tani thotë se ka arritur t'i mënjanojë problemet që ka pasur me Pegasusin dhe Predatorin. Është e pamundur t'i besosh gjithë deklaratat.”

Por më e keqja është se afera ka tronditur besimin e shumë grekërve tek kushtetueshmëria demokratike e vendit: "Shumë vetë janë shokuar, sepse jemi duke u futur sërish në një fazë autoritare”. Ndërkohë qeveria greke kërkon të ndalojë shitjen e software-ve të tillë të spiunazhit.

Raporti i Parlamentit Europian merret me hollësi edhe me qeveritë e Budapestit dhe Varshavës. Hungaria ka qenë një nga vendet e para të përzier me skandalin europian të përgjimit. Sipas njoftimeve të organizatës së të drejtave të njeriut, Amnesty International, 

atje janë përgjuar mbi 300 aktivistë politikanë, gazetarë, avokatë dhe të tjerë. "Përdorimi i Pegasusit duket të jetë pjesë e një strategjie të menduar mirë për shkatërrimin e shtypit dhe lirisë së mendimit nga qeveria (hungareze)", thuhet përveç kësaj në raport.

Polonia ka zgjeruar qysh vitin e kaluar mundësitë ligjore pë të bërë përgjime gati të pakufizuara. "Të drejtat e viktimave janë minimalizuar dhe mjetet juridike për të luftuar përgjimin janë bërë praktikisht të parëndësishme,” thotë raporti hetimor. Partitë qeveritare kanë çdo gjë nën kontroll dhe viktimat nuk kanë ku të shkojnë për të kërkuar të drejtat.

Nevojiten rregulla të reja dhe kontrolle ndaj teknologjive të përgjimit

Amnesty International ka mbledhur ndërkohë 100 mijë firma për një peticion drejtuar Kombeve të Bashkuara, ku kërkohet ndalimi i shitjes dhe shpërndarjes së software-ve të spiunazhit. "Është urgjentisht e domosdoshme, që të mbrohen më mirë të drejtat e njeriut gjatë eksportimit të teknologjive të përgjimit,” shkruan drejtoresha e Amnestisë, Agnès Callamard. "Ne jemi duke përjetuar një krizë globale të softawareve të përgjimit, ku sulmet e qëllimshme që bëhen kundër sferës private të gazetarëve, aktivistëve dhe avokatëve përdoren për t'i detyruar ata që të mbyllin gojën dhe për t'u ngjallur frikën." Anëtarët e OKB-së nuk duhet të përdorin ose tolerojnë më softwaret si instrumente shtypëse.

Një ndalim të përkohshëm kërkon edhe raportuesja e Komitetit Pega të Parlamentit Europian. Përveç kësaj Sophie in 't Veld kërkon që të gjitha akuzat të hetohen deri në fund nga Interpoli më mirë, si dhe zëvendësimin e kuadrit për përdorimin legal dhe licencat e eksportimit të software-ve të përgjimit për të cilat ka dyshime. Deputetja pranon vetë se nuk ekziston asnjë mekanizëm për zbatimin e rregullave të reja./DW

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?