Arbër Çekaj, Eduart Dauti dhe Trifon Murataj

Si i zëvendësoi Murataj i 'Bana King' dyshen Çekaj-Dauti në trafikun e kokainës! Pronari i spitalit 'SALUS' bleu për 490 lekë gjysmën e koncesionit 250 mln € të skanimit të kontejnerëve 

9 Nëntor 2022, 18:09| Përditesimi: 9 Nëntor 2022, 18:40

  • Share

Pas goditjes nga drejtësia të Arbër Çekajt dhe Eduart Dautit të kompanisë “Alba Exotic Fruit”, vendin e tyre në trafikun e kokainës nga Amerika Latine duket se e ka zënë plotësisht kompania ‘Zico’ e ‘Bana King’, me pronar Trifon Muratajn, i ekspozuar në të paktën tre episode të dyshuara të trafikut të drogës. Autoritet shqiptare kanë shpallur në kërkim Muratajn pas herës së katërt të kapjes së kokainës, ndërsa SPAK goditi Eduart Dautin pas gjashtë rastesh ekspozimi në trafikun e kokainës. I fundit ishte ai i 12 tetorit 2021 që u kapën 10 kilogramë kokainë. Më herët, në 7 shtator u kapën 7.7 kg, në 13 korrik u sekuestruan 11 kg e 675 gramë kokainë, ndërsa 10 ditë më vonë, më 23 korrik u gjetën 6.5 kilogramë të tjera. Më 29 korrik 2021 kompanisë iu gjetën 7.25 kilogramë kokainë. 

Vetëm dy muaj më vonë, në 28 dhjetor 2021, doli në skenë ‘Bana King’, në magazinat e të cilës në Vaqarr u kapën 119 kg kokainë, në rrethana shumë të dyshimta, pasi kompania pretendoi se 4 persona të armatosur i kishin prerë rrugën shoferit të kampionit, kërkuan nëpër arka për kokainën, dhe pasi nuk e gjetën, u larguan. Për këtë rast, sot janë ende në burg ish administratori Marson Murataj, njeri i afërt dhe i besuar i Trifon Muratajt, si dhe dy shoferët Gëzim Kalaja dhe Hasan Salihu. 

Në 18 korrik 2022, u konstatua se 49 arka me banane mungonin nga porosia me 1200 kuti që kompania Zico sh.p.k kishte bërë në Amerikën Latine. Arkat janë hequr natën nga kontejneri që qëndronte në port. Prokuroria e Durrësit dyshon se 49 arkat mund të jenë hequr mes datave 13 deri dhe 16 korrik, pasi brenda mund të kenë pasur kokainë. Kontejneri që u nis nga Ekuadori konsiderohej me risk të lartë, por autoritetet portuale thyen portokollin dhe nuk morën asnjë masë parandaluese dhe kontrolluese duke e lënë ngarkesën tek sheshi i zakonshëm i kontejnerëve dhe jo në mbikëqyrje të lartë. Për këtë rast u arrestuan 20 punonjës sigurie dhe operatorë në Portin e Durrësit. 

Ndonëse Murataj këmbëngul se janë grupet kriminale që fusin fshehurazi kokainën në arkat e tij me banane që në Ekuador, dega e DEA-s amerikane në Athinë ka sinjalizuar që në dhjetor 2021 Policinë e Shtetit në Tiranë për mundësinë e implikimit të ‘Bana King’ në trafikun e kokainës që nga viti 2014. Madje, sipas DEA-s amerikane, Murataj bashkë punon me Arben Isufajn, i njohur si Ben Qimja, një eksponent i botës së krimit në Fier. 

Kapja e ngarkesës së fundit prej 33.5 kg kokainë në kontejnerët me banane të firmës ‘Bana King’ ka nxjerrë në pah të njëjtin fenomen shqetësues; Thyerjen e skanerit që kontrollon kontejnerët në Portin e Durrësit. Janë arrestuar dhe lënë në burg nga gjykata punonjësit e skanerit në port Alban Naziraj e Artur Sevdaraj, si edhe administratori i kompanisë Zico të Bana King, Petrit Demisha. Prokuroria dyshon se Alban Naziraj e Artur Sevdaraj, qëllimisht, kanë nxjerrë të pastër në skaner kontejnerin ku ishte sasia e drogës, duke ndërhyrë dhe manipuluar pamjet. 

Mbetet për t’u parë nëse ka bashkëpunim për të kaluar kokainën në skaner, nëse bashkëpunimi është vetëm mes një grupi të ngushtë punonjësish të skanerit apo shtrihet më lart. 

S2 ALBANIA është kompania që merret me skanimin e kontejnerëve në Portin e Durrësit. Bëhet fjalë për një koncesion të llogaritur në vlerën rreth 250 milionë euro.

“Rapiscan Systems Inc.” me bazë në Kaliforni, përmes kompanisë bijë të regjistruar në Shqipëri, S2 Albania, fitoi një kontratë koncesionare 15-vjeçare për skanimin e kontenierëve nga qeveria e ish-kryeministrit Sali Berisha në vitin 2011. Kontrata u miratua në Parlament dy vjet më vonë dhe hyri në fuqi në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013”.

I njohur si koncesioni i Berishës dhe Ridvan Bodes, u denoncuar nga opozita e atëhershme si jo transparent, me tarifa të larta dhe klientelist. 

“E gjithë kjo aferë ndodhi vetëm disa muaj përpara zgjedhjeve të 2013-s, kur qeveria Berisha, e sigurt për humbjen, tentoi të vidhte gjithçka që kishte mbetur ende për t’u vjedhur në vend. Partia Socialiste kurrë nuk ka heshtur, dhe ne në opozitë kemi denoncuar pothuajse në mënyrë të përditshme atë kontratë të lidhur në dëm të taksapaguesve shqiptarë. Megjithatë, tashmë nuk jemi më vetëm ne ata që kemi denoncuar dhe kemi ridenoncuar këtë aferë korruptive. Mediat ndërkombëtare dhe ekspertë ndërkombëtarë japin prova të pakundërshtueshme të faktit që përmes këtij tenderi, ish kryeministri Berisha futi në xhepat e tij mbi 100 milionë euro me një firmë të vetme”, deklaronte PS-ja. 

Ndërkaq, në një intervistë të gjatë për Zërin e Amerikës, nga San Francisko, ku janë zyrat e kompanisë, shefi i firmës “Muddy Ëaters”, Carson Block, shpjegon arsyet se përse është i bindur se marrëveshja e Rapiskanit është një rast korrupsioni.

“Këtu për mua ka një fshehje të qëllimshme. Nuk arsye që diçka të fshihet kur gjërat bëhen me transparencë të plotë. Oferta të këtij lloji për operacione të përbashkëta bëhen gjithmonë në rastet e kontratave dhe tenderave qeveritarë, prandaj nuk kishte asnjë arsye për ta fshehur këtë, nëse gjërat do të ishin bërë në dritë të diellit”, tha ai.

S2 ALBANIA, degë e “Rapiscan Systems Inc.” me bazë në Kaliforni, u themelua në Shqipëri në 19 shkurt 2013. Parlamenti miratoi vetëm me votat e PD-së kontratën koncesionari në 25 prill 2013. Administrator i S2 ALBANIA ishte dhe është aktualisht Jonathan Fleming.

Siç edhe e vërteton ky dokument, në 16 shtator të vitit 2013, pra 4 muaj më pas, “Rapiscan” i shet 49 % të aksioneve S2 ALBANIA kompanisë "ICMS”, për vetëm 490 lekë. Aksionet me vlerë mbi 100 milionë euro, "ICMS” i blen për vetëm 490 lekë, duke ngritur dyshime të forta për një pazar të mundshëm të qeverisë Berisha me “Rapiscan” para miratimit të kontratës koncesionare, për t’i kaluar gjysmën e koncesionit një personazhi në Tiranë. 

Pronar i kompanisë "ICMS” është mjeku Olti Peçini, pronar me mbi 80 % të aksioneve të spitalit SALUS. Si ka mundësi që Olti Peçini mori në dorë gati gjysmën e skanimit të kontejnerëve për vetëm 490 lekë dhe kush qëndron pas tij? Përgjigjen duhet ta kishin dhënë organet e drejtësisë.

“Rapiscan Systems Inc.” i shet "ICMS” 49 % të aksioneve për 490 lekë

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Abc: 10/11/2022 09:55

    Çdo dite qe Peçini nuk merret i pandehur per t'ju spjeguar shqiptareve te mjere se si arriti te behej pronar i nje Konçensioni qindra milione dollare, me çmimin e nje pizze, eshte nje dite vdekje e drejtesise. Turp nje mije here! Edhe qorrat e dine qe pronaret jane Saliu me Ilirin permes bedeleve te tyre. Vetem prokuroret tane nuk duan ta dine. Flm, Adriatik!

    Përgjigju
  • genti: 09/11/2022 22:57

    a e kontrollon kush dretorin e ri qe ka ardh nshkoder kyt gentin se i myti bizneset tu i kerku lek

    Përgjigju
    • shkoder: 09/11/2022 23:23

      po pra edhe kta qe shesin deu kishin pagu tan

  • Un te keqen nona: 09/11/2022 19:41

    Kjo osht torta me bananaking eardit gjebres qe hanim në.. u knoqem ishte e e shishme dhe shtrsa e sipme. Me crem te bardh. Si debora. I boft mir dhe ju te tjerve..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?