Benjamin Netanyahu dhe Donald Trump

Bota

Si ia doli Netanyahu të ndryshojë planin e Trump për paqe në Gaza

1 Tetor, 12:11| Përditesimi: 1 Tetor, 12:15

  • Share

Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, Benjamin Netanyahu arriti të ndryshojë planin e Trump për Gazën, duke e bërë atë edhe më të favorshëm për Izraelin dhe më të vështirë për t’u pranuar nga Hamasi. Sidomos në dy çështje kyçe: çarmatimin e militantëve dhe tërheqjen e Forcave të Mbrojtjes Izraelite (IDF) nga Rripi. Kjo kuptohet duke krahasuar tekstin e draftit me 21 pika të zbuluar nga Times of Israel më 27 shtator, të miratuar nga i dërguari special i Trump, Steve Witkoff, dhe të paraqitur paraprakisht vendeve arabe dhe myslimane, me tekstin e publikuar zyrtarisht nga Shtëpia e Bardhë dy ditë më vonë, ndërsa ishte në zhvillim takimi mes Netanyahut dhe presidentit amerikan.

Çarmatimi i Hamasit

Qeveria izraelite ka vendosur gjithmonë, si kusht kryesor për të negociuar armëpushimin e përhershëm, çarmatimin e Brigadave al Qassam, milicia e Hamasit përgjegjëse për pogromin e 7 tetorit. Hamasi gjithmonë e ka kundërshtuar këtë. Në pikën 6 të draftit shkruhej se, në rast marrëveshjeje dhe pasi 48 pengjet (të gjallë ose të vdekur) të dorëzoheshin, anëtarëve të Hamasit që do të angazhohen “për bashkëjetesë paqësore” do t’u garantohej amnisti, ndërsa atyre që donin të largohen nga Rripi do t’u sigurohej “kalim i sigurt” drejt vendeve që janë të gatshme t'i pranojnë. Në tekstin zyrtar, megjithatë, u shtua një detaj themelor: aty thuhet se amnistia do t’u jepet vetëm atyre që do të dorëzojnë armët (“decommission their weapons”). Ky koncept përsëritet edhe në pikën 13, ku është futur “procesi i demilitarizimit nën mbikëqyrjen e vëzhguesve të pavarur”. Në draft kjo nuk ekzistonte.

IDF do të qëndrojë në Rrip

Ndryshimi edhe më i dukshëm ka të bëjë me tërheqjen e trupave izraelite. Në draft, në pikën 3, thuhej se forcat e armatosura, në rast marrëveshjeje, “do të tërhiqeshin nga linjat e betejës duke ndjekur propozimin Witkoff të paraqitur për lirimin e pengjeve”. Nuk specifikohet për cilin nga propozimet e shumta të dërguarit të Trump bëhej fjalë, por në pikën 16 sqarohej se IDF “do të dorëzonin gradualisht territorin e Gazës që kishin pushtuar”. Në planin e publikuar nga Shtëpia e Bardhë, përkundrazi, flitet për tërheqje “deri në linjën e dakorduar”: kuptohet, dakorduar mes Trump dhe Netanyahu.

I bashkëlidhet një hartë që dallon tre faza të tërheqjes brenda Rripit të Gazës: e para, me pak kilometra nga pozicionet aktuale, për të favorizuar lirimin e pengjeve; e dyta që do të zbatohet vetëm kur forca e përkohshme ndërkombëtare e stabilizimit (ISF) të vendoset në Gaza; e treta dhe e fundit, parashikon tërheqjen e IDF në zonën e tamponit përgjatë kufirit me Izraelin, pra gjithmonë në territor palestinez. Në thelb, nuk parashikohet për momentin tërheqja e plotë nga Rripi i Gazës, dhe tërheqja e ushtrisë “do të bëhet mbi bazën e kritereve dhe me afate kohore që do të dakordohen mes IDF, ISF, garantëve dhe Shteteve të Bashkuara”, thuhet në pikën e re 16.

Autoriteti Palestinez, Bregu Perëndimor dhe Katari

Në draft parashikohej edhe një pikë, e 18-ta, në të cilën Izraeli angazhohej të mos godiste më tokën e Katarit. Nga plani zyrtar kjo është zhdukur, megjithëse Netanyahu ishte i detyruar nga Trump të kërkonte falje te kryeministri katarian al Thani për sulmin e 9 shtatorit kundër një kompleksi ndërtimor në Doha, ku po mblidheshin krerët e Hamasit.

Për Bregun Perëndimor nuk flitet, as në draft as në versionin final të planit: Trump kishte deklaruar se nuk do të lejonte aneksimin nga Izraeli, por gjatë konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë me Netanyahun ishte shumë më pak i prerë. Dhe Autoriteti Kombëtar Palestinez, siç përcaktojnë të dyja versionet, do të ketë rol vetëm në një fazë të dytë dhe vetëm nëse i nënshtrohet një programi reformash që Izraeli do ta gjykojë të kënaqshëm.

“Kurrë një shtet palestinez”

Së fundi, çështja e shtetit të Palestinës. Si në draft, ashtu edhe në planin e publikuar nga Shtëpia e Bardhë, thuhet se kjo marrëveshje për Gazën dhe reforma e AP përbëjnë “rrugën e besueshme drejt vetëvendosjes dhe sovranitetit shtetëror palestinez, që ne e njohim si aspiratë të popullit palestinez”. Por Netanyahu, sapo doli nga takimi me miliarderin dhe para se të hipte në avionin që e çoi përsëri në Izrael, donte t’i siguronte mbështetësit e tij kështu: “Shteti i Palestinës nuk do të ekzistojë kurrë”./La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shkarkimi i Veliajt, a duhet të ketë zgjedhje në Tiranë pa pritur Kushtetuesen?