Trajneri Rinat Bilyaletdinov, i cili ka punuar me klube në Premier Leaguen ruse dhe ka drejtuar Lokomotivën e Moskës dhe Rubinin e Kazanit, foli për 'Gazeta.Ru' rreth dështimit të transferimit të sulmuesit Mirlind Daku nga Rubin Kazani te Zeniti i Shën Petersburgut.
Specialisti i stolit vuri në dukje se arsyeja ka shumë të ngjarë të ketë qenë deklaratat e tij të mëparshme për serbët.
"Ekziston një pjesë serbe te Zeniti, Drkusiç, Erakovic... Ndoshta ishte një vendim i arsyeshëm të shtyhej transferimi. Fatkeqësisht, kjo gjendje kontradiktore nuk mund të mohohet. Diku, kjo mund të luajë ende rol negativ në ekip. Kjo është arsyeja pse transferimi dështoi. Një pyetje tjetër është, pse u nis një transferim i tillë, duke e ditur se do të vendoste një bombë me sahat në ekip?", theksoi Bilyaletdinov.
Mirlind Daku ishte golashënuesi i dytë më i mirë në Premier League ruse sezonin e kaluar, me 15 gola dhe nëntë asiste, pas Manfred Ugalde të Spartakut, i cili shënoi 17.
DËSHTIMI I TRANSFERIMIT
Mirlind Daku dhe menaxheri i tij ishin dakordësuar me drejtuesit e Zenitit për kalimin nga Kazani në Shën Petersburg. Kur sulmuesi i Kombëtares udhëtoi për vizitat mjekësore dhe firmën në kontratë, gjithçka ndryshoi. Arsyetimi i mosmarrëveshjeve ishte paga e Dakut. Sipas drejtuesve të Zenit, Daku kërkonte 3 milionë euro në sezon, ndërsa ata mund të paguanin deri në 2.2 mln euro.
DAKU, TATUAZHI DHE SERBËT
Në barazimin 2-2 kundër Kroacisë në Euro 2024, Daku mori megafonin dhe shau serbët dhe maqedonasit, duke u dënuar nga UEFA. Kjo ndezi një debat në botën sllave. Mes arsyeve të mundshme të përmendura nga mediat ruse për prishjen e akordit është edhe tatuazhi që Mirlind Daku ka në shpatull, dedikuar heroit të UÇK-së, komandant Agim Ramadanit, i njohur edhe si 'Katana'.
Komente
