"Shtabi i Divizionit të Gazës është gati për çdo skenar”. Është e zakonshme që kryeministri të vizitojë këtë bazën në kohë krize për të qetësuar popullatën. Benjamin Netanyahu e vizitoi në 2018 dhe 2019, Naftali Bennett në 2021 dhe 2022.
Kalaja e ndërtuar pranë Kibbutz Tel Re'im, "kodra e miqve", kontrollonte të gjithë mbrojtjen në kufirin jugor dhe ishte simboli i epërsisë ushtarake dhe teknologjisë e Izraelit. Të shtunën në mëngjes ajo u bë epiqendra e disfatës së forcave të tij të armatosura.
Pesë orë pas fillimit të pushtimit, Hamasi arriti të kapte komandën e Divizionit të Gazës. Sulmuesit palestinezë i gjetën të pambrojtur: Vetëm dy roje në portë, disa oficerë dhe specialistë të inteligjencës që u përballën në mënyrë të dëshpëruar me sulmuesit. Dhjetra gra të rekrutuara, pothuajse të gjitha punonjëse të radios, u kapën me pizhame në bunkerin e sulmit ajror. Mjetet e blinduara dhe robotët e gjurmuar mbetën në oborre; në magazina qindra arka armësh dhe, më e rënda, në tavolina dhjetëra kompjuterë me të dhënat më sekrete të kombit.
Një disfatë tronditëse, e cila mbetet e pakuptueshme. Ndoshta shumica e ushtarëve ishin në shtëpi për festë, përsëritje dramatike e ngjarjes që ndodhi 50 vjet më parë me sulmin arab gjatë festimit të ditën e shenjtë për hebrenjt. Por të shtunën, në ekrat e instaluara të Re’im nisin të vinin imazhet e marra nga dronët që fluturonin mbi Gaza, nga raketat që hidheshin dhe sulmi i militantëve të armatosur kundër shtëpive të Sderot. Përgjigja ndaj ofensivës duhej të ishte nisur prej andej, por gjendja e gatishmërisë as që u transmetua. Kur koloneli Sahar Makhlouf, numri një i Batalionit 481 të Komunikimeve, u vra, i gjithë rrjeti i sigurisë u shpërbë: njësitë pushuan së marrë urdhra, mburoja e Izraelit u thye.
Hamasi kishte studiuar gjithçka. Inteligjenca izraelite nuk dinte asgjë për planet palestineze; ata, nga ana tjetër, dinin çdo detaj të vogël. Vendndodhja e kamerave dhe radarëve, rrugët e patrullave. Me një video ata treguan operacionin që hapi çarjen e kufiriti fortifikues. Së pari ata goditën kullat e vrojtimit dhe sistemet e vëzhgimit me raketa dhe drone. Më pas, qindra raketa shpërthyen, duke i detyruar ushtarët të zbrisnin në bunkerë. Sabotatorët në "qilima fluturues" deltaplanë zbritën përtej pengesës dhe hodhën në erë murin. Në vendin ku u ça kufiri hynë motoçikletat dhe kuadrot, të ndjekur nga furgonat plot xhihadistë.
Asnjë lëvizje nuk ishte e rastësishme. Secili grup kishte një objektiv të caktuar. Disa duhej të mbillnin kaos - "fauda", një emërtim identik në arabisht dhe hebraisht që i dha titullin serialit televiziv - duke qëlluar mbi civilët.
Të tjerët u drejtuan kundër instalimeve ushtarake, duke shkatërruar antenat dhe centralet telefonike. Komanda e Divizionit të Gazës thirri "forcën e reagimit të shpejtë". Lëvizje e parashikuar nga xhihadistët, të cilët imobilizuan tankun Merkava me dronë dhe xhenier, ndërsa automjetet fuoristradë ishin të mbushura me breshëri.
Në atë moment nuk kishte asgjë që mund t'i ndalonte. Skena të ngjashme u përsëritën njëkohësisht në disa vende në kufi me Gazën dhe në bregdet. Një grup me mijëra luftëtarë të betuar deri në vdekje sulmuan si një cunam, aq shumë sa ushtria më e frikshme në planet nuk mundi t'i ndalonte. Tre kazerma dhe të paktën njëzet qendra të banuara u shkatërruan: Edhe mbrëmë luftimet vazhduan rrugë më rrugë.
Shkaqet e kësaj fatkeqësie do të studiohen me vite. Por në këto momente ka nga ata që akuzojnë Netanyahun se kishte zbrazur frontin e Gazës, duke transferuar 26 batalione, baraz me 70% të trupave, në Bregun Perëndimor. Por tashmë ka një mësim strategjik: mendjemadhësia teknologjike. Në komandë kishte një mori sensorësh, drone, robotë dhe vetëm një grusht ushtarësh prej mishi e gjaku.
Shkrimi u publikua në La Repubblica me autor Gianluca di Feo, përshtati Shqiptarja.com