Gjykata Kushtetuese

Kronikë

Si ndahen paratë për zgjedhje, Gjykata Kushtetuese publikon vendimin e arsyetuar për rrëzimin e kërkesës së aleatëve të PD

19 Korrik 2021, 17:40| Përditesimi: 19 Korrik 2021, 16:10

  • Share

Kërkesa e pesë partive aleate të Partisë Demokratike për të shfuqizuar ndryshime të Kodit Zgjedhor sipas marrëveshjes së 5 qershorit të vitit të kaluar për mënyrën se si ndahen fondet për partitë e vogla është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese disa javë më parë.

Kushtetuesja ka publikuar sot vendimin e arsyetuar për rrëzimin e kësaj kërkese të ardhur nga Partia Agrare Ambientaliste e Agron Dukës, Partia Republikane e Fatmir Mediut, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e Dashamir Shehit, Partia Bashkimit për të Drejtat e Njeriut e Vangjel Dules dhe Partia Demokristiane e Nard Ndokës, të cilët pretenduan shfuqizimin si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të fjalisë së dytë të paragrafit të tretë të nenit 88 të Kodit Zgjedhor që përcakton se “për partitë pjesëtare në koalicion, numri i votave të vlefshme takuese përllogaritet duke mbledhur mesataren e votave për mandat për çdo kandidat të zgjedhur nga radhët e tyre”.

Sipas këtij neni çdo parti merr aq para nga shteti sa vota ka marrë; ndërsa partitë e vogla që kanë garuar me koalicion iu llogaritet vetëm mesatarja e votave për çdo kandidat të zgjedhur nga radhët e tyre.

Si shembull, nëse Partia Agrare ka fituar një deputet; kur te ndahet fondi i buxhetit të shtetit ajo merr mbështetje financiare vetëm për 10 mijë vota, pavarësisht se kandidatët e saj ne listat jo fituese mund të kenë marrë me mijëra vota të tjera.

Në vendimin e arsyetuar sot, Gjykata Kushtetuese argumenton se është e drejtë e ligjvënësit të përcaktojë me ligj masёn e buxhetit të shtetit që do të jepet për financimin e partive politike.

"Ligjvënësi e ka lidhur shpërndarjen e këtyre fondeve me rezultatin e zgjedhjeve dhe numrin e mandateve përfaqësuese në Kuvend, sepse kjo reflekton pozicionin real të një partie politike dhe veçanërisht shkallën e pjesëmarrjes në pushtetin legjislativ. Ky është një kriter i mjaftueshëm për t’i ndarë partitë politike në ato që kanë një domethënie reale për veprimtarinë politike në vend, bazuar në vullnetin e votuesve që ato përfaqësojnë, dhe në ato që nuk arrijnë të përfaqësojnë një pjesë domethënëse të zgjedhësve, pasi rezultojnë të pasuksesshme në zgjedhje. Ky parashikim ka si qëllim të kufizojë ekzistencën e subjekteve që marrin pjesë në zgjedhje, kryesisht për të përfituar fonde nga buxheti i shtetit, por që nuk kanë peshë reale në jetën politike të vendit dhe mbështetje domethënëse nga zgjedhësit. Partitë politike kryejnë funksionin e përfaqësimit të interesave të ndryshme dhe synojnë realizimin/përmbushjen e tyre me mjete demokratike, pra përfaqësimit në asambletë përfaqësuese. Ato parti që nuk marrin pjesë në zgjedhje, ose nuk marrin mjaftueshëm mbështetje publike, qartësisht nuk japin të njëjtin kontribut në përcaktimin e vullnetit politik të popullit (shih vendimin nr. 28, datë 09.05.2012 të Gjykatës Kushtetuese)", thuhet në vendim.

Kushtetuesja shprehet se financimi i partive politike është shqyrtuar edhe nga gjykatat kushtetuese të vendeve të tjera.

"Kështu, ajo e Republikës Çeke ka ndalur në të drejtat e partive politike për të përfituar financim për fushatёn zgjedhore, duke përcaktuar pragun dhe vlerën monetare për çdo votë, por nuk bёn dallim për partitë politike që garojnë nё koalicione. Ajo ka vlerësuar se kufizimi i shtetit i vendosur për financimin nga buxheti i shtetit nuk ishte antikushtetues, për sa kohë ai nuk shkon mbi pragun e arsyeshëm që nxit pjesëmarrjen e partive politike në zgjedhje (shih vendimin nr. IV 82S 828/17 të Gjykatës Kushtetuese të Çekisë). Gjithashtu, ajo ka gjykuar për qëllimin e financimit, duke arritur në përfundimin se është me rëndësi që ky financim të garantojë seriozitetin e zgjedhjeve, jo të pengojë konkurrencën e lirë të partive politike, duke vendosur një prag të arsyeshëm nёn 2%", vijon vendimi.

Gjykata vlerëson se, financimi i partive politike, si dhe masa e tij kanë nevojë të mbështeten në kritere të qarta e të arsyeshme, ndër të cilat parësore është shkalla e suksesit të një partie politike në zgjedhjet pararendëse.

Një subjekt zgjedhor, që ka marrë vota të konsiderueshme në zgjedhje, i takon të përfitojë më tepër fonde sesa njё tjetër qё nuk ka marrë po aq vota. Financimi i fushatës zgjedhore nga buxheti i shtetit, si një ndër burimet e financimit të subjekteve zgjedhore, merr rëndësi të dyfishtë edhe për një arsye tjetër, atë të shmangies së ndikimit që mund të ushtrojnë mbi to në të ardhmen subjekte të ndryshme private, tё cilat mund t’ua financojnë fushatën. Financimi i partive politike nga buxheti i shtetit duhet të jetë një ndër zërat më të rëndësishëm jo vetëm gjatë zhvillimit të fushatës zgjedhore, por edhe gjatë periudhës mes zgjedhjeve, gjatë veprimtarisë së zakonshme tё tyre, për shkak të statusit kushtetues të veçantë që ato kanë si pjesëtare të domosdoshme në jetën politike e shoqërore të vendit.

Duke iu rikthyer çështjes konkrete, Gjykata vëren se, nga parashikimet e nenit 64, paragrafi 1, të Kushtetutës, të cilat kufizojnë shpërndarjen e mandateve vetëm për subjektet zgjedhore që arrijnë pragun kombëtar, ligjvënësi ka ndërhyrë në Kodin Zgjedhor duke i shtuar nenit 65, paragrafin 3. Ky paragraf kërkon që në momentin e regjistrimit, koalicioni, si subjekt zgjedhor, të deklarojë partinë politike që e përfaqëson dhe e udhëheq në fushatën zgjedhore. Kjo do të thotë se për efekt të zbatimit të këtij kodi, të gjitha të drejtat dhe detyrimet që përcakton për subjektet zgjedhore merren përsipër dhe ushtrohen nga partia udhëheqëse e koalicionit. Marrëdhëniet midis partive pjesëtare, përfshirë të drejtat e detyrimet e tyre reciproke, rregullohen në marrëveshjen e koalicionit, e cila është pjesë e dokumentacionit që depozitohet prej tij në KQZ

Në analizë të sa më lart, Gjykata vlerëson se Kodi Zgjedhor vendos kritere të njëjta për të gjitha subjektet zgjedhore, ndёr tё cilat edhe pragun kombëtar 1%, arritja e tё cilit shёrben si kusht për të përfituar fonde nga buxheti i shtetit. Në kod trajtohet hollёsisht edhe metodologjia për përllogaritjen e fondit nga buxheti i shtetit për financimin e fushatës zgjedhore. Metodologjia qё do të zbatohet varet nga forma juridike që zgjedh subjekti për tё marrë pjesë në zgjedhje, pra, mё vete ose në përbërje të një koalicioni.

Parashikimet e mësipërme u u futën në Kodin Zgjedhor nga marrëveshja e 5 qershorit të vitit të kaluar mes PS, PD dhe LSI. Padia e partive të mësipërme u dorëzua në Kushtetuese vetëm dy javë pas arritjes së kësaj marrëveshjeje. Partitë e mësipërme e paditën këtë parashikim me argumentin se ai cenonte parimin e barazisë së votës.

(Kliko këtu për vendimin e Gjykatës Kushtetuese)

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?