Festa e Ballkanit pas kualifikimit

'Si një ëndërr e çmendur', Ilir Daja pas kualifikimit në grupe: Conference League e vështirë, kemi nevojë për fusha

1 Shtator 2023, 10:13| Përditesimi: 1 Shtator 2023, 10:18

  • Share

Ilir Daja ia doli sërish. Ballkani i tij për të dytin vit radhazi do jetë pjesë e grupeve të Conference League, ndërsa kampionët e Kosovës kaluan bjellorusët e BATE Borisov, në një ndeshje të luajtur në fushë neutrale.

Trajneri i suharekasve, Daja tregoi se kjo është një ëndërr e çmendur që bëhet realitet për vitin e dytë radhazi. Tanimë tekniku kërkon edhe nga Federata që të ketë investime në fusha futbolli dhe në akademi, për të rritur cilësinë e futbollit në Kosovë.

"Është një ëndërr e çmendur, brenda një viti në Europë, kemi kaluar për herë të dytë në grupet e Conference League. E gjithë merita iu shkon lojtarëve, sado që kemi shitur, kemi Emërllahun e dëmtuar, prapë lojtarët e vjetër me eksperiencë, bënë që të mos ndihej mungesa dhe boshllëku i të larguarve. Janë ata që na çuan neve sot për herë të dytë në grupe", tha fillimisht Daja.

Më pas Ilir Daja shprehu keqardhjen për eliminimin e Partizanit dhe Strugës, ndërsa theksoi se puna për në grupe është e vështirë.

"Më erdhi shumë keq që edhe Partizani edhe Struga nuk u kualifikuan, prandaj nuk e zgjerova më shumë urimin. Duhet ta provosh që ta kuptosh sa e vështirë është. Është një ngarkesë e jashtëzakonshme. Vjet ka qenë një ngarkesë tmerrësisht e pallogaritshme. Kanë qenë 33 javë të ngjeshura në 4 muaj. 12-13 veta kanë mbajtur ngarkesën kryesor. Lojtarët e sapoardhur duan kohën e vetë për t’u përshtatur", vijoi trajneri.

Daja kërkoi investime jo vetëm nga klubi, por edhe Federata e Futbollit të Kosovës, për zhvillimin e infrastrukturës; kjo për të rritur cilësinë e futbollit kosovar.

"Nëse duam të përballemi me ekipe si Ludogorets apo një nivel që është më lartë rajonit tonë, duhet të zhvillojmë infrastrukturën për ekipet e para dhe shkollat. Duhet të jemi më të organizuar në klub, për t’u matur teknikisht apo taktikisht me ekipe si Ludogorets. Edhe këtu në një qytet fare të vogël ekipi vendas ka 4 fusha stërvitore me bar natyral. Kur kemi luajtur me Ludogorets, iu thashë lojtarëve ju jeni më të mirë se ata sepse në kushtet që jemi ne, asnjë nga lojtarët e Ludogorets nuk do vinte të luante në Kosovë", tha mes të tjerash Ilir Daja.

Nga kjo pjesëmarrje në Conference League, në arkat e portokallinjve do shkojnë 3 milionë euro si shpërblim nga UEFA për këtë arritje.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?