Kadri Hazbiu

‘Si nuk e di ti Kadri, ja letra e Hysniut, ku Mehmeti e informon në Bashkimin Sovjetik...’/ Debatet në mbledhjen e Byrosë, 8 tetor ‘82

10 Nëntor 2022, 07:29| Përditesimi: 10 Nëntor 2022, 07:35

  • Share

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, letra, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”.

Në këtë dokument, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme, shkruan: “Aty nga fillimi i shtatorit kur isha duke u qethur, më vjen një shofer që punon me linjat e transportit me jashtë e më thotë se, duke u kthyer nga jashtë, shoferët i kishin folur keq për fatin tim. Nuk e pyeta se çfarë i kishin thënë, por i thashë që të shkonte e ta raportonte aty ku duhej. Ai, shtoi më hollësisht se kishte folur me shoqëruesin që rri me mua, që dhe këtë e porosita që të raportonte. Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë. Nuk e di se për këtë rast i kam thënë apo jo, shokut Hekuran. Mbas disa ditësh kur u ktheva nga një shërbim 3-4 ditor, në familjen time për të parën herë më thanë, se po na marrin në telefon e të tjera, në takime pyesin për ty, ku je e si je, sepse kemi dëgjuar gjëra jo të mira, sikur ne jemi arratisur familjarisht jashtë shtetit, sikur unë jam shkarkuar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes, etj.

Ju thashë se kushdo që pyet për ne, ju thoni jemi mirë dhe mos u fusni më tej në muhabete. Theksoj se këto gjëra janë përhapur aq shumë saqë edhe një punëtore nga ato që shërben në familjen time, u largua pa pritur, se me mua e me familjen time, diçka po ndodh.

Të gjitha këto gjëra, ja kam thënë shokut Ramiz, bashkë me mendimin tim se s’po luftohet aq sa duhet kundër këtyre parullave të dëmshme dhe se ato në radhë të parë, po përhapen nga Tirana”. Po kështu në dokumentin në fjalë ndodhet gjithashtu edhe prces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 8 tetor 1982, ku është marrë në analizë “veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut” që nga periudha e pas luftës kur ai ishte në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, gjë e cila ka sjellë debate të ashpra, ata diskutuan të gjithë, duke filluar nga: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Rita Marko, Prokop Murra, Foto Çami, Lenka Çuko, Pali Miska, Besnik Bekteshi, Muho Asllani dhe Llambi Gegprifti. Madje debatet dhe tonet e forta në atë mbledhje, nuk kanë munguar edhe në mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë mbledhjes, prej disa seancash. Por për më shumë rreth këtyre, na njeh dokumenti, që për herë të parë publikohet nga Memorie.al

Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut

PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË                                    TEPËR SEKRET

KOMITETI QENDROR

                                                    PROCES-VERBAL

I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982

        Rendi i ditës:

Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu

Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum

Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.

                  ZHVILLIMI I MBLEDHJES

Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.

Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kadri, ja si shkruan shoku Hysni, Mehmetit, që ta kesh parasysh. (Lexon letrën e shokut Hysni).

“Shoku Mehmet, Kadriu më dërgoi këtë letër që bën fjalë për disa nga kuadrot tona, që, kur mësonin në Bashkimin Sovjetik, ishin bashkëpunëtorë të organeve të Sigurimit tonë. Për këtë kishte dijen i edhe Sigurimi Sovjetik, bile me disa mbante lidhjet. Kadriu më dha edhe një informacion të veçantë për Malo Harshovën, të cilën ja ktheva për të vepruar, ashtu sikur ramë dakord bashkë, kur folëm në telefon. Ai më tha se ua ka dërguar edhe juve. E thirra Kadrinë dhe i kërkova shpjegime mbi këta kuadro që kanë qenë bashkëpunëtorë kur ishin në shkolla në Bashkimin Sovjetik….”.

SHOKU ENVER HOXHA: Domethënë, që ti i di këta.

SHOKU RAMIZ ALIA: (Vazhdon më tej leximin e letrës së shokut Hysni). “Ai më tha se Sigurimin Sovjetik, e kanë vënë në dijeni që këtej nga Ministria, në bazë të lidhjeve që kishin në kohën kur u kthyen studentët”.

SHOKU ENVER HOXHA: Se në vitin 1954 është bërë ky veprim.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, po ai i ka vënë në dijeni (Vazhdon më tej leximin e letrës).

“Pas vitit 1960, kur u prishëm me sovjetikët, më tha Kadriu, të gjithë këtyre kuadrove që janë thirrur nga shokët përgjegjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme, u është folur që të mos kenë asnjë problem, për faktin se kanë pasur lidhje me Sigurimin Sovjetik, se rekomandimet për këtë punë, kanë qenë dhënë që këtej. Kështu që këto kuadro, u sqaruan, u qetësuan, dhe ne më tha Kadriu, nuk kemi patur më punë me ta si bashkëpunëtorë. Dokumentet që kishim për ta, u asgjësuan. E porosita Kadrinë, që të ketë kujdes me këta, se ja si na del çështja e Malo Harshovës, prandaj edhe vendi ku do dërgohen të punojnë ata, duhet të mbahet mirë parasysh. Këtu, në aparat të Komitetit Qendror, nuk ka pasuar asnjë dokument që të vërtetojë që ata kanë qenë ngarkuar me detyra të tilla nga organet e Brendshme”.

SHOKU ENVER HOXHA: Është e qartë dhe është kontrolluar dhe tash kjo.

SHOKU RAMIZ ALIA: (Vazhdon të lexojë letrën e shokut Hysni), më 13 janar 1975, kurse emërimi i tyre është bërë.

SHOKU RITA MARKO: Emërimi i Kristaq Qarrit, është bërë po atë vit.

SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe Hysniu sqaron, se e kishte porositur Kadrinë, që: “të bëhej kujdes me këta kuadro, se ja si doli puna me Malo Harshovën”, të cilin në fakt, e bëmë komandant.

SHOKU RITA MARKO: Kurse Kristaq Qarri, ishte me përgjegjësi më të madhe, se ishte emëruar drejtor i Drejtorisë Operative në Ministrinë e Mbrojtjes.

SHOKU HEKURAN ISAI: Po në autokritikë, shoku Kadri, thotë se vazhdoi atë traditë që gjeti. Në fakt, shoku Kadri e ka lexuar këtë letër, se e ka kërkuar, dhe nuk është e vërtetë se ky ka vazhduar traditën që ka gjetur. Raporti i Ismail Qinetit në Bashkimin Sovjetik, grupi operativ i përbërë nga ai vetë, që u dërgua në 1947 në përbërje të përfaqësisë diplomatike, i maskuar në funksione legale, filloj nga puna, duke ngritur agjenturën e nevojshme, pa patur lidhje me kordonët e vendit, bile, këta nuk kishin asnjë dijeni për qenien e tyre në përfaqësinë tonë diplomatike. Në vitin 1949, ky grup u largua nga Bashkimi Sovjetik dhe filloi punë në vitin 1955. Ai ishte ngarkuar me lidhje zyrtare të rregullta me organet e Kundërzbulimit Sovjetik. Pra, bie ajo që thotë Kadriu, se ai ka vazhduar traditën, kjo traditë zyrtare nuk ka ekzistuar.

SHOKU ENVER HOXHA: Nuk ka ekzistuar.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po, ç’t’ju them unë, e di që kështu ka ekzistuar kjo çështje.

SHOKU HEKURAN ISAI: Po ja, ja, shikoje.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po edhe këtë raport e ke kërkuar ti, ky është bërë në kohën tënde.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po mirë mo, mirë, unë e kam kërkuar se ishin djegur ata.

SHOKU RAMIZ ALIA: Domethënë që ti e ka parë vetë në atë kohë.

SHOKU ENVER HIXHA: Po janë me data, janë me raporte këto, nuk mund të kalojnë kështu lehtë.

SHOKU RITA MARKO: Unë kisha dhe një gjë. Ti ke qenë në dijeni se Partisë sonë ose shokut Enver, i janë bërë kritika apo i është thënë nga ana e sovjetikëve, nga Beria dhe nga Bulganini, që në Ushtri, ju keni kuadro të dyshimta, për këtë ne kemi të dhëna.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, kështu është.

SHOKU RITA MARKO: Ke patur dijeni ti për këto. Atëhere, si e ke organizuar këtë Zbulim në qershor të vitit 1953?

SHOKU ENVER HOXHA: Bile unë do të shtoja edhe këtë, që u ngrit mjekroshi që ishte në takim, dua të them Bulganini, që më kishte mua pranë dhe më tha: Mirë shoku Enver, ne do t’ju japim juve këto armë, por ne kemi informata se në ushtrinë tuaj, ka bij bejlerësh, agallarësh etj. Unë u revoltova dhe e pyeta: Kush ua ka dhënë juve këto informata, shoku Bulganin? Ky shtangu dhe hodhi sytë nga Beria. I’a përsërita pyetjen: Të lutem, i thashë ma thuaj këtë! Fap, kërceu Beria, i cili u shpreh se nuk ishte dakord me Bulganinin, sepse, edhe ne kemi pasur një gjendje të tillë, andej nga ishte, në Azerbajxhan, apo ku ta di unë, kështu, apo ashtu. Ju mund ta keni bërë, por ne nuk e kemi bërë, e kundërshtova unë, sepse disa nga ata, bij bejlerësh dhe agallarësh mund të kenë qenë, por kanë hyrë në luftë me prindërit e tyre, i kanë lidhur dhe i kanë varur këta kur mbanin qëndrime armiqësore, u vura në dukje. Më vonë, Hurshovi, kur pushkatoi Berian, më tha: “Ju na ndihmuat për të zbuluar Berian”, sikur nuk e dinte ai, se ç’ishte Beria. Megjithatë, “ju na ndihmuat”, na tha. E kam këtu çështjen, që kush ua kishte dhënë këto informata atyre?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po ku di unë, mbase këshilltarët që kishim.

SHOKU RITA MARKO: Si nuk e di ti shoku Kadri? Ti ke qenë shefi Sigurimit të Ushtrisë, ka qenë edhe zëvendës i parë në atë kohë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po dale mo.

SHOKU ENVER HOXHA: S’ka dale këtu Kadri, këshilltarët kanë qenë.

SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Po këshilltarët, nga i merrnin këto informata?

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po pse t’i jepnin këshilltarët?

SHOKU RITA MARKO: Po si do t’i jepnin kuadrot tona këshilltarët?!

SHOKU KADRI HAZBIU: O shoku Rita, një minutë, pse të tëra gjërat unë do t’i paguaj? Po Beqir Balluku, nuk ishte agjent i tyre? Po Mehmet Shehu, nuk ishte agjent i tyre?

SHOKU ENVER HOXHA: Po ishin, siç ishin Feçor Shehu, edhe Llambi Peçini, edhe Mihallaq Ziçishti.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po mirë, mirë, unë do ta mbaj atë përgjegjësinë, që si ministër, zyrtarisht u kam lënë shteg këshilltarëve sovjetik që t’i merrnin këto të dhëna që edhe sot nuk e di? Unë po e them që nuk e di që kjo punë qenka bërë pa dijeninë e Komitetit Qendror të Partisë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po si nuk e dije ti këtë?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po se e gjeta, mo shoku Enver, këtë praktikë që zbatohej atje.

SHOKU ENVER HOXHA: Si e gjete, kështu? Kjo nuk është e vërtetë, nuk është aspak e vërtetë?

SHOKU HEKURAN ISAI: Nuk e ke gjetur kështu, se kjo ka ndodhur në vitin 1955.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Deri në vitin 1953, pikërisht në kohën e Stalinit, ka qenë krejt ndryshe gjendja. Nga kjo kohë e më pas, janë bërë të tëra këto gjëra zyrtarisht.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po, po, shoku Adil. Por ju nuk po më lini që të mbaroj mendimin për një çështje të caktuar.

SHOKU ENVER HOXHA: E mbaron ti mendimin tënd, e mbaron, por e mbaron shumë keq. Komitetin Qendror mos e impliko në këtë çështje. Mehmet Shehu, ishte anëtar i Byrosë Politike, por njëkohësisht ishte agjent, kurse ti ke marrë pjesë në të gjitha këto veprime.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po po, edhe unë kam marrë pjesë në to.

SHOKU ENVER HOXHA: E kupton tashti, e kupton tashti ti këtë, kurse atëherë jo, se këta vinin gjoja te unë, edhe këto punë bëheshin në emrin tim.

SHOKU KADRI HAZBIU: Këtë unë kështu e kuptoj.

SHOKU ENVER HOXHA: Ah, jo, unë nuk e pranoj këtë.

TË GJITHË SHOKËT: Jo, jo, ore

SHOKU PALI MISKA: Nuk na thua, po tashti si e kupton?

SHOKU ENVER HOXHA: Për arsye se nuk është e vërtetë ajo që thua, pse vetë pohon në autokritikë, se nuk të është mbyllur kurrë dera në Parti, për të thënë mendimin. Atëhere, kur ke shkuar vazhdimisht për të biseduar te Mehmet Shehu dhe te Beqir Balluku, pse nuk ke ardhur dhe tek unë?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po, për cilin?

SHOKU ENVER HOXHA: Për cilin?! Po për të na informuar për dhënien e dokumenteve, për dhënien e agjenturës, për të gjitha këto. Pse pra nuk ke ardhur te unë, pse të paktën nuk vajte te Hysniu, i cili nuk di gjë fare për këto çështje?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po unë prandaj them shoku Enver, se edhe shoku Rita, nuk është mirë të thotë sikur nuk di gjë, se këto gjëra, rast mbas rasti, ne i kemi biseduar edhe me të.

SHOKU ENVER HOXHA: Unë jam i bindur, se ashtu është si tha shoku Rita, që ai nuk di gjë për për këto dokumente dhe veprime. Mundet që ne të kemi bërë gabim që shokun Rita, nuk e kemi lënë që t’i dinte këto, prandaj ai nuk i di. Për çështjet e Sigurimit, duhet ta dinte Hysniu, ta dija unë, ta dinte Mehmet Shehu, kurse shoku Rita, me gjithë Llazi Stratobërdhën, ndiqnin çështjet e kuadrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që i merrte pastaj dhe i vendoste Sekretariati. Që të thuash ti që ke vajtur te shoku Rita edhe i ke thënë, kjo nuk është e vërtetë.

SHOKU RITA MARKO: As edhe një gjë, në asnjë mënyrë, ne vetëm me çështjet e kuadrit merreshim.

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë ia kam thënë atij.

SHOKU RITA MARKO: Edhe në rast se më ke thënë ti mua për ndonjë gjë, që mund të ketë dalë në proceset, edhe gjërat më të vogla, unë kam shkuar menjëherë dhe ia kam thënë shokut Enver.

SHOKU MANUSH MYFTIU: Kisha një pyetje, shoku Kadri. Që nga viti 1975, që ish sekretar i Komitetit Qendror Hysniu, ky shkruan se nuk di gjë për këto veprime. Ne gjithashtu, nuk dimë se si janë bërë këto. Sipas mendimit tim, me të marrë këtë sinjal, ti duhet të isha alarmuar dhe të vije këtu e të thoshe se si nuk di gjë Komiteti Qendror, për këtë çështje, të vije te shoku Enver, në radhë të parë, e ta informoje, që kam marrë urdhër verbal nga Mehmet Shehu, që të veproj kështu, kështu me këto kuadro, kur unë e di që e keni thënë ju, kurse shoku Hysni na e bën të ditur që nuk di gjë. Si nuk u bërë një çikë ti merak për të?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po ai thotë për listat, more shoku Manush.

SHOKU MANUSH MYFTIU: Jo, jo, flet për çështje të agjenturës.

ÇARÇANI: Ç’vëmendje të tërhoqi ty kur more vesh se Komiteti Qendror, s’ka ditur gjë. Nuk të tërhoqi vëmendje këtu diçka? Logjikë është kjo?! Ti duhej të vije menjëherë tek shoku Enver dhe t’i thoshe se çfarë kishte ndodhur.

SHOKU ENVER HOXHA: E këndove ti letrën e Hysniut?

SHOKU KADRI HAZBIU: E këndova.

SHOKU ENVER HOXHA: E këndove dhe letrën e Mehmetit?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po, edhe atë e këndova. Memorie.al

Dokumentet e gjyqit të Kadri Hazbiut

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?