Për herë të parë këtë vit, rregullorja e maturës shtetërore do t’i japë mundësi maturantëve të pa kënaqur me rezultatet në provime, që të kërkojnë rivlerësim.
Sipas rregullores, ankesa për notën në provimet e maturës, dorëzohet pranë Komisionit Shkollor të Maturës Shtetërore me datë 3 korrik, pasi kanë dalë notat e të gjithë provimeve, si lëndëve të detyrueshme, edhe ato me zgjedhje. Ky i fundit vendos dy mësues lëndor për të parë nëse testimi duhet të shkojë për rivlerësim dhe nëse po e dorëzon ankesën e maturantit në Qendrën e Shërbimeve Arsimore, (QSHA) për të bërë rivlerësimin e përgjigjeve në testim. Rezultatet përfundimtare të rivlerësimit bëhen të ditura tre ditë më vonë, me datë 7 korrik.
Në rregulloren e publikuar në fletoren zyrtare, mbeten të pandryshuara procedurat për mbajtjen e provimeve të maturës. Gjimnazisti paraqit në qendrat e provimit 1 orë e 30 minuta para nisjes së testit me mjet identifikues. Kopja, komunikimi me të tjerët dhe plotësimi i testit me ngjyrë tjetër përvecse blu dhe të zezë, e bën mbaturantin automatikisht ngelës. Kush nuk kap 25% të pikëve, gjithashtu e humbet provimin, me të drejtën për tu ritestuar në periudhën e vjeshtës.
Mjediset duhet të jenë të ajrosura dhe të mjaftueshme për të paktën 150 maturantë dhe për çdo 15 apo 20 prej tyre do të ketë një mësues administrues. Edhe vetë Ministrja e Arsimit, Evis Kushi tha se është kërkuar që të zgjidhen hapësira të mëdha për shkak se mundësia për të shkelur rregullat është më e vogël.
Gjatë provimit largësia ndërmjet çdo maturanti i të jetë jo më pak se 120 cm, në të katër drejtimet dhe në mjediset e provimit nuk duhet të ketë tabela ose materiale të tjera që kanë lidhje me lëndën që jepet provim.
Gjithashtu në rregullore bëhet e ditur se drejtori i shkollës dhe punonjësit e zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar përkatës e kanë të ndaluar të qëndrojnë gjatë testimit në mjediset e provimit të Maturës Shtetërore. Testimet sipas lëndëve përkatëse do të jenë me 60 pyetje dhe për t’i plotësuar maturantët do të kenë në dispozicion 2 orë e 30 minuta.
(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)