Kryetari i PD, Lulzim Basha

Si po e gëlltit PD, financimin rus të Lulzim Bashës?

15 Korrik 2018, 08:55| Përditesimi: 15 Korrik 2018, 08:56

  • Share

Është bërë i lodhshëm fakti që Lulzim Basha nuk jep shpjegime për pagesën prej 500 mijë dollarë që një kompani offshore me pronarë rusë, ka paguar për llogari të PD tek një lobist pro rus në Uashington, që sot është nën hetim. Në aspektin e ligjit shqiptar, Lulzim Basha duhet të hetohet për transferim parash të padeklaruara, ose pastrim parash, nëse ka marrë përsipër transfertën e rusëve.

Por Prokuroria jonë, po pret letrat nga SHBA. Le t’i japim asaj kohën e duhur, ndërkohë që PD dhe Lulzim Basha kanë deri më sot katër qëndrime për këtë çështje, ndërsa tani nuk e komentojnë më.

Edhe për mbështetësit e vet është bërë i lodhshëm fakti që Basha vazhdon të paguajë lobistë në Uashington me mijëra euro në muaj, ndërkohë që ka lënë kryetarët e PD në rrethe pa rroga dhe po shkrin PD-në. Por një gjë duhet të jetë e qartë për opinionin publik: A e ka sqaruar Lulzim Basha së paku PD-në, për këto para, dhe çfarë mendon PD për këtë skandal?

Për ligjin shqiptar kjo është një çështje nën hetim, dhe do të vijë dita dhe faktet do të hetohen. Për opinionin publik është një shembull i pistë se si përpiqet Basha të shmangë linjën zyrtare amerikane dhe të paguajë lobistë për foto dhe lidhje direkte, që të duket sikur ka mbështetje. Një film i vjetër që nuk emocionon dikë.

Por për Partinë Demokratike kjo është një çështje madhore, pasi reflekton mënyrën se si qeveriset një parti. Bile për kritikët e Bashës duhet të jetë temë e ditës, pasi problemi i tyre është fiks kontrolli familjar i PD-së nga një bandë financiare që punon për interesa personale të Bashës.

Në kuptimin e thjeshtë të fjalës, bëhet fjalë për një institucion, kryetari i së cilës ka marrë pa asnjë vendim 500 mijë dollarë, ose për llogari të tyre janë paguar 500 mijë dollarë nga rusët. Nuk ka në këtë histori, asnjë vendim ligjor të PD-së, asnjë evidencë financiare, asnjë vendim bordi të financave të PD-së, asnjë urdhër xhirimi apo transaksion tjetër, që të vërtetojë këtë. Është pak a shumë sikur në një shoqëri aksionere me shumë aksionerë, administratori të të vjedhë arkën dhe të bëjë pagesa për qejf të vet.

Lulzim Basha mund t’u shmanget të gjithëve, mund t’i shmanget “Zërit të Amerikës”, Prokurorisë, derisa t’i sjellë fletë arrestin, agjensive amerikane etj, por këta që konsiderohen politikanë të PD-së dhe që duan të denoncojnë korrupsionin qeveritar, janë duke dhënë shembullin më të keq të transparencës publike, kur nuk as guxojnë t’i thonë kryetarit të tyre se çfarë është bërë me këto para.

NYT Magazinë sapo ka publikuar një investigim të gjatë dramatik, që lidh gjithë rrethin e presidentit Trump me Kremlinin, përfshi dhe të shkuarën e presidentit Trump, si shenjë reflektimi se si një shoqëri e lirë dhe një shtet ligjor, sillet me një problem të saj, edhe kur problemi është kryetari i shtetit.

Për PD, qëndrimi ndaj kësaj çështje është minimum i një gjesti, që tregon se opozita e ka transparencën standart të saj. Deri më sot, të gjithë u fshihen komenteve për këtë skandal, dhe përsërisin si papagallë atë që thotë Lulzim Basha, të cilat bien ndesh me njëra -tjetrën sa herë që flet. 

Le të heqim dorë për një moment të gjithë nga kërkesa e llogarisë për Lulzim Bashën për këto para të zeza, por të paktën të sigurohemi që opozita e di se çfarë ka bërë kryetari i tyre. Kjo ka shumë rëndësi për të kuptuar se çfarë raporti ka opozita me transparencën, me rregullat e lojës në një institucion siç është PD. Dhe mbi të gjitha, për të kuptuar se ata janë dorëzuar para hajdutit të tyre dhe nuk kanë fuqi të jenë më opozitë. TemA

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?