Si po transformet linja hekurudhore Durrës- Tiranë

14 Mars 2023, 11:42| Përditesimi: 14 Mars 2023, 11:55

  • Share

Udhëtarët shqiptarë mund të lëvizin me trena nga Durrësi e Tirana deri në Beograd e në Budapest. Por kjo i përket së ardhmes, ndërsa akualisht po hidhet vetëm hapi i parë. Rinovimi i rrjetit hekurudhor, mjaft të dëmtuar në dekadat e fundit, ka nisur me rindërtimin e segmentit Durrës – Tiranë, si dhe linjës së re drejt aeroportit të Rinasit.

Linja e re do të shtrihet në një territor ku jeton thuajse gjysma e popullsisë së vendit. Leonard Jani, këshilltar në Drejtorinë e përgjithshme të Hekurudhave tha për BIRN, se linja mes dy qyteteve më të mëdha të vendit, nis në stacionin hekurudhor të Durrësit dhe përfundon në km 34 e 400 m, por jo në hyrje të Tiranës.

Ky ndërtim i përket një faze të dytë. Për të arritur në stacionin fundor pranë bulevardit të ri të Tiranës nevojitet edhe ndërtimi i 4.7 km të tjera – shton ing Jani. Gjithçka do të bëhet sipas standarteve të Bashkimit Europian, duke nisur që nga trupi i ri i trasesë.

Linja që lidh qytetin port me kryeqytetin është ndërtuar në vitin 1947, dhe përtej standarteve të munguara që aktualisht parashikon BE, edhe koha e gjatë ka amortizuar dhe dëmtuar së tepërmi mjaft elementë të linjës. Specialisti hekurudhor sjell si shembull shembjen e urës së Limuthit në vitin 2004, ku fatmirësisht nuk pati dëme në njerëz.

Stacionet hekurudhore të kësaj linje do të mbeten po ato të mëparshmet: Durrësi, Shkozeti, Sukthi, Vora, Kashari dhe Tirana për pasagjerë, godina që do të ndërtohen krejtësisht të reja, ndërsa në Maminas nuk do të ketë ndalesë të trenave.

Në të ardhmen parashikohen trena specialë, që ndalojnë vetëm në Vorë p.sh., dhe do të lidhen me trenat e veriut – sqaron ing Leonard Jani, i cili punon në HSH që prej gati 50 vitesh. Projekti i hartuar nga kompania greke parashikon që segmenti Durrës – Tiranë nga 65-70 minuta aktualisht, në të ardhmen të  përshkohet në një kohë 22 deri në 25 minuta, falë mundësisë që do të japë trenave linja e rindërtuar, për ta ruajtur shpejtësinë deri në hyrje të stacioneve.

Shpejtësia e llogaritur e trenave në linjë do të jetë 120 km/orë, por realisht ato nuk do të kalojnë 80 km në orë. Ing Jani thotë se të gjithë elementët do të mbeten të njejtë me ato të linjës që vazhdon të shfrytëzohet.

Urat e njohura si ajo e Limuthit,  e Erzenit, ajo në hyrje të tunelit të Rrashbullit, ajo e Tiranës, etj. do të ribëhen nga e para aty ku ndodhen edhe tani – thotë këshilltari hekurudhor, duke shtuar se 13 do të mbeten edhe mbikalimet, me trarët dhe sinjalistikën përkatëse nga Durrësi deri në Tiranë.

Një pjesë e madhe e territorit të trasesë do të izolohet nga qendrat e banimit me rrjeta dhe kangjella. Specialisti hekurudhor ndalet në linjën e re, që sipas këtij projekti do të shkojë drejt aeroportit të Rinasit, duke u shkëputur në Vorë nga linjat e Durrësit dhe dhe Tiranës.

“Ne shqiptarët udhëtojmë drejt aeroportit, edhe kur përcjellim të tjerët, por të njejtat raporte, 1,2 udhëtarë për [do pasagjer që  fluturon, japin edhe të studimet ndërkombëtare – dëshmon ing Jani mbi të dhënat ku u mbështet projekti.

Duke folur për shpronësimet, këshilltari hekurudhor shprehet se ato janë zgjidhur thuajse tërësisht, përfshirë edhe zonën në hyrje të kryeqytetit. Përfundimi i ndërtimit të linjës në fund të vitit 2024 përbën vetëm fillimin e zgjidhjeve të ardhshme, lidhur me linjën elektrike. Sipas ing Janit, lëvizja mbi hekurudhë do të kryhet me automatrica, trena që lëvizin në të dy drejtimet, dhe numri i trenave ditorë në linjën Durrës-Tiranë mund të kalojë numrin shtatë.

Duke u ndalur në transportin e mallrave, ing Leonard Jani thotë se në linjën hekurudhore Durrës – Tiranë ndodhet stacioni i Sukthit, i cili duke u lidhur me Portin e Depozitave të Karburanteve në një gjatësi rreth 8 km dhe në të ardhmen me portin e Ri te Porto-Romanos, përbën një mundësi lidhjeje Intermodale, Port – Hekurudhë, për transportin dhe shpërndarjen në territorin shqiptar të Karburanteve që importohen në Shqipëri, por edhe të mallrave të ndryshëm që do të përpunohen në Porto – Romano dhe që kanë destinacion në transportin ndërkombëtar.

Duke iu referuar strategjisë së HSH, Leonard Jani thotë se pas linjës Durrës – Tiranë parashikohet rinovimi i linjës Vorë – Shkodër – Hani i Hotit  kufi me Malin e Zi. Transporti i karburanteve me hekurudhë, ul në masë të konsiderueshme ndotjen e ambjentit, krijon lehtësim të trafikut rrugor, rrit  sigurinë lëvizjeve të mjeteve auto dhe nga ana tjetër do të përbëjë një potencial të transportit hekurudhor – përfundon ai.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?