Si rekrutohen kubanët për të luftuar për Rusinë

8 Tetor 2023, 20:26
  • Share

Në lagjet e varfëra në rrethinat e kryeqytetit kuban Havana janë rekrutuar një numër i madh burrash për të luftuar për ushtrinë ruse në Ukrainë. Me një shpërblim financiar me vlerë sa gati 100 rroga mujore në Kubë, ata merren për t’u stërvitur në Rusi dhe në vazhdim dërgohen për të luftuar në Ukrainë. Qeveria ruse dhe ajo kubane nuk pranojnë të komentojnë për këtë çështje dhe Havana ka mbajtur në të kaluarën qëndrime të përziera për rekrutimin e shtetasve të saj nga ushtria ruse.

“E kuptova se kontrata ishte e vërtetë kur mbërrita këtu. Më solli këtu Federata Ruse. Të gjithë këtu e dinin përse kishim ardhur”, thotë Enrique Gonzalez.

Ai punonte në ndërtim në Kubë kur u rekrutua nga Rusia, si shumë kubanë të tjerë, për të luftuar në Ukrainë. Gjatë një lidhjeje me video me bashkëshorten e tij Yamidely Cervantes, e cila jeton në shtëpinë e tyre në qytezën e vogël La Federal, në Kubë, ai filmon kampin e stërvitjes ku ndodhet tashmë, pranë Tulas, në afërsi të Moskës.

Ajo thotë se vendimi i zotit Gonzalez për të luftuar për Rusinë u mor për arsye financiare. Vetëm pak ditë pas nisjes së tij, zonja Cervantes mori një pjesë të bonusit të tij prej 2,040 dollarësh. Me paratë e Rusisë, asaj iu dha kështu mundësia për të blerë produkte thelbësore që u mungonin.

“Po e bëjmë nga nevoja. Jam e sigurtë se këta burra nuk do të kishin shkuar atje. Bashkëshorti im punonte i vetëm në ndërtim, pa ndonjë mbështetje. Punonte shumë. Një ditë tha: Nuk mundem më. E pyeta se çfarë ka ndodhur. Më tha të mos shqetësohem, e di se çfarë duhet të bëj, por nuk mundem më kështu”, tregon zonja Cervantes.

Autoritetet ruse nuk iu përgjigjën menjëherë pyetjeve për kubanët që rekrutohen për ushtrinë ruse. As qeveria kubane nuk iu përgjigj pyetjeve për këtë çështje. Vendi-ishull i gjendur në Karaibe vazhdon të jetë nën regjimin komunist dhe përjeton vështirësi ekonomike. Sipas statistikave vendase, bonusi që mori zoti Gonzalez është rreth 100 herë sa një rrogë mujore që jep shteti në Kubë, rreth 17 dollarë.

E ndodhur pranë kryeqytetit Havana, qyteza La Federal po përjeton vështirësi të mëdha ekonomike. Sipas të dhënave të vitit 2022, një në katër banorë është i papunë. Vetëm në rrugicën e pashtruar ku gjendet banesa e zonjës Cervantes, të paktën tre burra janë larguar drejt Rusisë, që kur u përhap në qershor lajmi për mundësinë e punësimit në ushtri.

“Disa u rekrutuan. Ata që kanë mbetur këtu janë shumë pak”, thotë zonja Cervantes.

Të rekrutuarit vijnë nga drejtime të ndryshme të jetës. Dikush ishte shitës në dyqan, një tjetër punonte në rafineri. Nga intervistat me shumë prej tyre dhe me familjarët, si dhe nga mesazhet e shumta në WhatsApp, nga dokumentat e udhëtimit, fotografitë dhe numrat e celularëve, shfaqet një pamje edhe më e detajuar se si kubanët janë duke mbështetur në masë makinerinë e luftës së Rusisë.

23-vjeçari Yoan Viondi thotë se ishte në dijeni të dhjetëra burrave në rajonin Villa Maria që ishin rekrutuar në ushtrinë ruse që nga qershori.

Ai tregon mesazhet në WhatsApp me një grua të quajtur “Dayana”, që ai thotë se është rekrutuese ruse. Zoti Viondi mban kontakte me miq të shumtë që firmosën kontrata me ushtrinë ruse. Ai thotë se janë mirë dhe shumica gjenden tashmë në Ukrainë.

“Këtu duhet të punosh shumë për të siguruar diçka, ndërkohë që përballesh me pengesa të shumta. Prandaj të gjithë thanë: Më mirë zgjedh të bëj këtë, që të mos vdes urie në Kubë. E dinin shumë mirë se ku po shkonin”, thotë zoti Viondi.

Megjithë entuziazmin fillestar, ai filloi të shqetësohej për vajtjen në Rusi dhe i ndërpreu kontaktet me rekrutuesen. Por, “Dayana” vazhdon të përmendet si personi kryesor i kontaktit për personat me të cilët bisedoi agjencia e lajmeve Reuters. Ajo vetë nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara nëpërmjet WhatsApp-it. Lajmi për rekrutimet për ushtrinë ruse, u mësua për herë të parë në shtator kur vetë qeveria kubane, një aleate e vjetër e Rusisë, njoftoi se pati arrestuar 17 persona të lidhur me një rrjet trafikimi të qenieve njerëzore që joshte njerëzit për të luftuar për Moskën. Nga ai moment, qeveria kubane vazhdon të japë mesazhe të përziera në lidhje me përfshirjen e shtetasve kubanë në luftën e Rusisë.

Fillimisht, qeveria kubane tha në shtator se është e kundraligjshme për shtetasit e saj që të luftojnë në një ushtri të huaj dhe se është veprim që dënohet me burgim. Por, pak ditë më vonë, ambasadori kuban në Moskë shtoi se Havana nuk u kundërvihet kubanëve “që thjesht dëshirojnë të nënshkruajnë një kontratë dhe të marrin pjesë ligjërisht në këtë operacion të ushtrisë ruse”. Kuba vazhdon të mbajë qëndrimin se shtetasve të saj u ndalohet të luftojnë si mercenarë në vende të tjera./VOA

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?