Lulzim Basha është më shumë se sa nën përgjim. Ai është nën ruajtje të oficerëve të Gardës me paratë e taksapaguesve shqiptarë, pasi i takon me ligj. Nëse ai beson se shteti është policor dhe se policia është vetëm politike, ai është zyrtarisht në duart e tyre me ligj.
Por “ankesa” e tij publike, se po përgjohet, është më e rrezikshme për opozitën, se vetë përgjimi i tij. Kjo ankesë e dalë nga goja e një lideri opozite bën qesharke çdo kauzë opozitare në këtë vend.
Dhe opozita nuk është se nuk ka pasur sukses në disa kauza. Fjala vjen, presioni i saj kundër ministrit të Brendshëm, bëri që të zbardhet dënimi i vëllait të tij dhe ai të shkojë ta vuajë. Tani, nëse kauza e radhës pas kësaj është ankesa se ministri i Brendshëm e përgjon, është luks i madh për qeverinë dhe bën qesharake dhe kauzën e parë.
Dhe nuk e kam fjalën tek fakti sa e vërtetë është, apo nuk është kjo gjë, por tek ideja se ai mund të bëjë opozitë duke u viktimizuar si njeri i përgjuar.
Kjo ndryshon gjithë referencat që ai ka për qeverinë dhe mënyrën se si e stigmatizon atë.
Lulzim Basha nuk flet për një qeveri normale. Ai flet për një qeveri të lidhur me drogën, për një qeveri të lidhur me kriminelë, për një qeveri të korruptuar dhe autoritare, biles së fundmi dhe për një qeveri të lidhur me Turqinë. Një lider opozite që deklaron se ka përballë këtë qeveri, presupozohet se është një lider opozite në llogore, që po bën betejë me drogën, krimin, hajdutët e Shqipërisë, dhe të Turqisë bile. Dhe nëse e ka seriozisht këtë, kjo ankesa se qeveria e përgjon, është qesharake.
Akuza e një lideri opozitar se qeveria të përgjon, bën shumë përshtypje kur ti flet për një qeveri Perëndimore, për një shtet ligjor me rregulla të forta, për një standard të BE në raportet pozitë- opozitë, për një mirëkuptim të madh social dhe politik, dhe befas gjithçka turbullohet kur zbulon se është përgjuar lideri i opozitës.
Por nëse flet për qeveri droge, krimi dhe hajdutësh, është mirë ose t’u qëndrosh këtyre fjalëve, ose të ankohesh se qeveria të përgjon, se për një qeveri siç e përshkruan Lulzim Basha, përgjimi është përkëdhelje dhe i bën joserioze gjithë akuzat e tjera që thua për të.
Dhe Basha shquhet për të bërë qesharake çdo kauzë të PD. Duke sakrifikuar të përdorë edhe veten!
Kryetari i PD Lulëzim Basha