Foto ilustruese

Politikë

Qeveria zgjeron dhe forcon rregullat për blerjen e pajisjeve ushtarake

16 Korrik, 18:35| Përditesimi: 17 Korrik, 21:55

  • Share

Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime thelbësore në rregullat e prokurimeve ushtarake. Vendimi ka për qëllim të modernizojë dhe forcojë sigurinë e kontratave për blerjen e pajisjeve, armëve, municioneve dhe teknologjisë ushtarake.

Ndryshimet shtojnë rregulla më të rrepta për kompanitë ofertuese dhe zgjerojnë mundësitë e prokurimit me partnerë ndërkombëtarë dhe kompani shtetërore shqiptare.

Fusha e kontratave të prokurimit tani zgjerohet për të përfshirë jo vetëm pajisjet fizike, por edhe shërbimet e lidhura me to, si teknologjia dhe softueri.

Sipas vendimit, rregullat e reja bëjnë të mundur blerjet “shtet me shtet” edhe me vende partnere të Republikës së Shqipërisë ose të NATO-s, jo vetëm me vende anëtare të Aleancës. Kjo i jep Ministrisë së Mbrojtjes fleksibilitet më të madh për të blerë pajisje apo shërbime të nevojshme.

Një nga shtesat më të rëndësishme është përcaktimi i një liste të qartë të arsyeve për skualifikimin e operatorëve ekonomikë. Sipas rregullave të reja, çdo kompani do të skualifikohet nëse ajo, apo një anëtar kyç i saj (pronar, aksionar, drejtues), është dënuar për vepra të rënda penale si: Pjesëmarrje në krim të organizuar ose terrorizëm. Korrupsion, mashtrim, pastrim parash. Trafik droge ose qeniesh njerëzore.

Përveç kësaj, një kompani do të skualifikohet nëse ajo ka falimentuar ose nuk ka përmbushur detyrimet e saj ndaj shtetit, siç janë pagimi i taksave dhe i kontributeve shoqërore.

Vendimi prezanton procedura të reja të veçanta për bashkëpunimin me shoqëritë aksionare shtetërore që operojnë në fushën e industrisë ushtarake.

Ministria e Mbrojtjes tani ka mundësinë të blejë direkt nga këto shoqëri, nëse ato zotërojnë të paktën 50% të kapaciteteve të nevojshme për një kontratë, si dhe të zhvillojë një “dialog negociues” me to për të siguruar produkte dhe shërbime, madje duke i favorizuar në procedurat konkurruese, pasi plotësojnë automatikisht disa kritere ligjore.

Këto ndryshime synojnë të mbështesin industrinë ushtarake shqiptare dhe të modernizojnë Forcat e Armatosura përmes një procesi më të sigurt dhe më efikas./ ATSH

S.B/K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Përplasja mes Lapajt e Shabanit për mandatin, kush mendoni se ka të drejtë?