Herpetologu Enerit Sacdanaku dhe eksperti biolog Mirjan Topi folën për rreziqet e gjarpërinjve dhe si të mbrohemi ndaj tyre. Në një intervistë për “Sot Live në Shqipëri”, ata u shprehën se në vendin tonë ka 17 lloje gjarpërinjsh, dhe vetëm 4 prej tyre janë helmues.
Duke komentuar praninë e gjarpërinjve që kanë 'pushtuar' rrugën Shëngjin-Velipojë, Sacdanaku u shpreh se në atë zonë ka habitatin hardhuca e quajtur si bullari, që sipas të cilit, njerëzit shpesh e ngatërrojnë me një gjarpër për shkak të trupit të gjatë dhe pa 'këmbë'.
"Po të shikojmë pjesën e kokës është fiks si zhapik vetëm se ka pjesën e bishtit dhe trupit të gjatë dhe njerëzit e ngatërrojnë me gjarpër. Ai nuk ka as helm, por është i parrezikshëm. Ajo zonë është habitati i tij dhe në këtë periudhë është më aktiv. Por në atë zonë ka edhe lloje të tjera duke përfshirë edhe gjarprin më helmues, i vetmi nga të gjithë 17 llojet e gjarpërinjve në Shqipëri, ku pjesa dërrmuese janë jo helmues. Vetëm 4 futen te familja e nepërkave. Nga këto 4, njëra takohet në zonat e ulëta, nepërka me bri, lloji me helmues në Ballkan se i ka gjëndrat e helmit të zhvilluara në të dy anët e kokës. Koka e trashë, bishti i shkurtër dhe tipike që e dallon këtë gjarpër janë rombet në pjesën kurrizore. Nuk është fare agresive, rastet e kafshimit ndodhin raste aksidentale. Nëse e shkel do të mbrohet.", u shpreh Sacdanaku.
Topi tha se disa lloje gjarpërinjsh janë në rrezik zhdukjeje në vendin tonë dhe vrasja e këtyre llojeve përbën vepër penale. Eksperti deklaroi se mund të duket se ka prani të madhe në rrugën Shëngjin-Velipojë për shkak se lloji 'bullari' ngec në asfalt dhe e ka të vështirë të kalojë mjediset e lëmuara.
"Së pari gjarpërinjtë janë pjesë e fondit kombëtar të faunës së egër dhe mbi aplikohet një kuadër i gjerë për mbrojtjen e tyre. Kemi disa lloje që janë të rrezikuar për zhdukje dhe vrasja e këtyre llojeve përbën vepër penale në bazë të Kodit Penal. Vetë kuadri ligjor garanton mbrojtjen e këtyre llojeve. Gjarpërinjtë shumica e tyre që janë në Shqipëri nuk janë helmues dhe të rrezikshëm për njeriun përveç nepërkës me bri, megjithatë për shkak të veçorive ekologjike që ka dhe përbën rrezik minimal për njeriun.", tha Topi.
"Nuk është e rastësishme ajo që po ndodh në rrugën Shëngjin-Velipojë. Ajo rrugë në atë zonë ka popullatë të Bullarit, të cilit i është fragmentuar papritmas habitati. U kemi fragmentuar habitatin pa ndërmarrë asnjë masë siç mund të ishin nënkalimet apo mbikalimet ku fauna e egër në këtë rrugë kalon. Ky lloj kur haset në mjedise të lëmuara, e ka të vështirë të zvarritet përtej asfaltit duke krijuar kongrekime në atë zonë dhe duket sikur popullata është shumë e madhe. Ngecet në asfalt dhe e ka të vështirë të kalojë, por është i parrezikshëm.", shtoi Topi.
Sacdanaku, duke u ndalur te spërkatja që u bë pranë liqenit të Tiranës për të larguar gjarpërinjtë, tha se një masë e tillë nuk funksionon. Sipas tij, përdorimi i elementëve kimikë jo vetëm që nuk i largon gjarpërinjtë, por mund të dëmtojë edhe faunën e zonës. Mënyra më e mirë sipas tij është mirëmbajtja e parkut, krasitja e barit dhe pastrimi i rrugëve ku kalojnë qytetarët.
"Nuk duhen bërë spërkatje të tilla se studimet tregojnë se nuk kanë lidhje dhe spërkatja është jo efektive. Spërkatja me elementë kimikë ndikon edhe në pjesën tjetër të faunës. Mënyra më e mirë do të thosha unë mirëmbajtje e parkut. Të bëhet krasitje e pjesës së barit dhe shtigjet ku kalojnë njerëzit të mbahen të hapura dhe në këtë mënyrë e bën sa më atraktiv atë vend për të vajtur gjarpri.", tha ai.
Çfarë duhet bërë për t'u mbrojtur nga gjarpërinjtë? Topi thotë se qytetarët duhet të dinë se gjarpërinjtë që kanë përmasa të mëdha nuk janë të rrezikshëm për njeriun. Kujdes duhet të bëjnë nga nepërka me bri, por ajo zakonisht qëndron nëpër shtigje malore. Sipas tij, kafshimi i saj nuk arrin të kalojë mbulesën mbrojtëse si atletet, këpucët apo pantallonat.
Në rast kafshimi, ai thotë se nuk duhet shkaktuar panik. Ai thekson se duhet shmangur ecja me ritëm të shpejtë, të mos çahet plaga apo të aplikohen metoda të tjera. Kur terreni është i vështirë dhe mundësia për të shkuar në spital nuk është e shpejtë, mjafton që të lidhet vendi i kafshimit lehtë.
"Në rast se dikush kafshohet aksidentalisht nga nepërka me bri rasti është më serioz megjithatë çdo individ, sipas studimeve, që gëzon shëndet të plotë nuk ka risk vdekje dhe ajo që duhet bërë duhet kontrolluar paniku. Duhet përdorur antiviperina kundra helm duhet ruajtur në kushte specifike, çka e bën të pamundur mbajtjen me vete në terren. Së pari duhet kontrolluar ndjenja e shokut dhe panikut, është mirë që në rast se ndodhemi afër një automjeti, të shkojmë direkt në spital. Nuk ka ndonjë veprim jashtëzakonisht të shpejtë, nëse merret trajtimi shëndetësor brenda 24 pasojat eliminohen dhe në rast se detyrohemi të qëndrojmë gjatë në terren duke qenë të kafshuar. E mira është që të shmangim ecjen me ritëm të shpejtë, nuk duhet të çahet plaga apo te thithet e të aplikohen metoda të tjera. Në raste kur kohëzgjatja e ndjenjës në terren me një kafshim është e gjatë, mund të aplikohet një lidhje e lehtë e vendit të kafshimit që të bllokohet qarkullimi i gjakut në jetë pjesë. Jo lidhje të forta.", tha ai.
Komente
