Si u ekzekutua “Qorri”? Dëshmia e rrallë e ish-prokurorit: Ç’ndodhi para se ta pushkatonim

19 Janar 2022, 10:20| Përditesimi: 19 Janar 2022, 10:22

  • Share

Publikohen historinë e panjohur të ish-kryetarit të “Grupit Komunist të të Rinjve” Anastas Lula, me pseudonimin “Qorri”, një prej pjesëmarrësve në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare, në nëntorin e ’41-it, i cili me urdhër të Enver Hoxhës, më 12 mars të vitit 1943, u ekzekutua në fshatin Gllavë të Tepelenës, nga një njësit partizan i çetës së Ramiz Aranitasit, që komandohej nga Orhan Frashëri, në prezencë të gjithë banorëve të atij fshati, që ishin grumbulluar aty, me urdhër të atij njësiti partizan. Dëshmitë e Hamit dhe Isuf Keçit, dy shokëve të shkollës së Anastasit, gjatë periudhës që ata studionin në Tekniken Amerikane të Harry Fultz-it në Tiranë, si dhe të Shyqëri Këllezit, ish-roja personale e Enver Hoxhës, gjatë periudhës së Luftës, lidhur me kontradiktat e thella të “Qorrit” me Enverin, Miladinin e Dushanin, gjatë dhe pas mbledhjes themeluese të PKSH-së, gjë e cila erdhi kryesisht për shkak të problemit të Kosovës! Peripecitë e shumta të familjes Lula (me prejardhje nga trungu i familjes së ish-kryeministri të Monarkisë së Zogut, Pandeli Evangjeli), për gjetjen e eshtrave të Anastasit, pas takimeve të shumta që kishte bërë Dhimitraq Lula, me disa persona që i treguan dy ekzekutorët e vëllait, fjalët e fundit të tij para pushkatimit, si dhe vendin ku ata e kishin groposur atë, ku ai shkoi dhe i gjeti në vitin 1996!

“Më datën 12 mars 1943, erdhën në shtëpinë time për drekë një grup partizanësh të çetës së Ramiz Aranitasit, të cilët komandoheshin nga Orhan Frashëri dhe një zëvendësi i tij, që quhej Dhori dhe ishte nga Kolonja. Ata na thanë se para tre orësh, kishin pushkatuar një ish-partizan në qafën e Gllavës, i cili quhej Anastas Lula. ‘Anastasin’ thanë ata, ‘e pushkatuam pse kishte dezertuar nga radhët e udhëheqjes në Tiranë dhe bashkëpunonte me okupatorin, kishte bërë tradhti ndaj Partisë Komuniste dhe Komitetit Qendror. Prandaj Komiteti Qendror, urdhëroi që ai të pushkatohej’. ‘Neve’, tha Orhan Frashëri, ‘para se ta pushkatonim, mblodhëm një pjesë të popullatës të Gllavës, e lexuam urdhrin e Komitetit Qendror dhe pasi e pyetëm, se çfarë kishte për të thënë, Anastasi, u përgjigj: dua një cigare duhan’. Pasi e kishte vënë cigaren në gojë, si thonin ata, ai e kishte thithur disa herë dhe pastaj e kishte flakur, duke ju drejtuar atyre: ‘Tani jam gati. Të rrojë Shqipëria’! Pasi kishte thënë këto fjalë Anastasi, ata e kishin qëlluar me breshëri automatiku. ‘Kështu’ tha Dhori, ‘unë qëllova edhe dy herë të tjera me pistoletë mbi atë qerrata…! Dhori në atë kohë, ishte rreth 35 vjeç, me gjatësi mesatare dhe me flokë të zeza. Më vonë mora vesh, se Anastas Lula, kishte qenë nga Kolonja dhe ishte kryetar i “Grupit Komunist të Rinjve” dhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë”. Kështu shprehej në mes të tjerash në dëshminë e tij, Ferik Demir Çorej nga Uznova e Beratit, lidhur me vrasjen e Anastas Lulës, ish-kryetar i Grupit Komunist të Rinjve” dhe njëri prej themeluesve të Partisë Komuniste Shqiptare, i cili me urdhër të Enver Hoxhës, më 12 mars të vitit 1943, u ekzekutua nga një njësit partizan i çetës së Ramiz Aranitasit, që komandoheshin nga Orhan Frashëri, prokuror i njohur para viteve ’90-të në qytetin e Beratit, (ka ndërruar jetë para pak vitesh në moshën të madhe), i cili mban titullin “Qytetar Nderi” i Beratit, Skraparit, Mallakastrës dhe komunës Frashër në Përmet.

Anastasi u lind në Shalës të Kolonjës, nga trungu i familjes së ish- kryeministrit Evangjeli

Sipas dëshmive të Dhimitraq Lulo, vëllai i tij, Anastasi, u lind më 20 prill të vitit 1916, në Shalës të Kolonjës dhe ai ishte fëmija i parë nga pesë djemtë dhe dy vajza, që kishte Refail Lula, e cila rridhte nga trungu i familjes së Pandeli Vangjelit, ish-kryeministër dhe kryetar i Senatit në periudhën e Monarkisë së Zogut. Pas përfundimit të shkollës Plotore në Ersekë, Ansatasi fitoi të drejtën, për të vazhduar studimet në shkollën Teknike amerikane në Tiranë, e cila në atë kohë drejtohej nga Harry Fultz. Sipas disa dëshmive të familjarëve të tij e gjithashtu edhe të shokëve të shkollës që asokohe studionin bashkë me të, në Tekniken e Tiranës, Anastasi nga natyra ishte një tip tepër inteligjent, e studionte shumë. Nisur edhe nga këto cilësi të tij, ai arriti të përfundonte studimet në Shkollën Teknike në vitin 1938, duke marrë titullin “Graduat”, e cila ishte vlerësimi më i lartë që jepte ajo shkollë.

Anastasi me Sadik Premten, në krye të “Grupit Komunist të Rinjve”

Ashtu si shumë të rinj të të asaj kohe, që kishin rënë në kontakt me idetë komuniste dhe mendonin se komunizmi do të sillte një jetë të re dhe vetëm ai do t’i bënte ballë, duke ju kundërvënë fashizmit që po përgatitej të pllakoste botën, edhe Anastas Lula ishte ndër të parët, që do të përqafonte ato ide, prej të cilave do të ndahej shumë shpejt, duke qenë dhe viktima e parë e tij në Shqipëri. Kështu me fillimet e lëvizjes komuniste në fundin e viteve ’30-të, që filloi të përhapej në disa qytete të vendit si në: Shkodër, Gjirokastër, Korçë, Elbasan, Tiranë, etj., u krijuan disa celula, në formën e grupeve të vogla, Anastasi së bashku me shokun e tij, Sadik Premten (nga Tragjasi i Vlorës), spikatën në mes të rinjve, që ndiqnin shkollën Teknike amerikane në Tiranë dhe ata të dy formuan grupit komunist, i cili u njoh dhe u pagëzua si ‘Grupi të Rinjve’, ku përveç Sadikut dhe Anastasit, bënin pjesë edhe disa djem të rinj, me prejardhje nga Kosova, si: Sadik Staveleci, Ramadan Çitaku, Xhoxhi Martini, etj. Ai grup që ishte i formuar me të rinj, kryesisht të asaj shkolle, por që krijoi edhe degët e tij në disa prej qyteteve kryesore të Shqipërisë, filloi të konsolidohej dhe në drejtimin e Sadik Premtes e Anastas Lulës, ndërmorën aksionet e para kundra Italisë fashiste, sidomos me denoncimin e luftës kundra Greqisë në vitin 1940, gjë e cila u bë me hedhje traktesh. Lidhur me sa më sipër, Hamit Keçi, njëri nga anëtarët e parë të këtij grupi dhe ish-luftëtar i rezistencës antifashiste, guerilas e komandant i një prej çetave të para antifashiste në Shqipëri, komandant i Brigadës së 23-të partizane, (pas Luftës, kolonel dhe drejtor i Drejtorisë së Zbulimit në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, i dënuar me vite të gjata, në burgu nga Enver Hoxha), midis të tjerash dëshmonte: “Në Tiranë, disa të rinj maturantë në Shkollën Teknike, me iniciativën e Sadik Premtes e Pali Ternovës, të shtyrë nga gjendja e keqe ekonomike dhe nga rreziku që i kanosej Shqipërisë, filluan të shqetësohen e të mendojnë për problemin e mbrojtjes nga ky rrezik. Gjatë viteve 1938-1940, ky grup kishte një influencë e shtrirje nga Gjirokastra e deri në Shkodër. Në Gjirokastër me Bedri Spahiun, në Vlorë me Sinan Gjonin, Hysni Abazin e Fejzo Gjomemën, në Elbasan më Kadri Hoxhën e Met e Hasan Bajraktarin, në Shkodër me Perlat Rexhepin dhe në Korçë me Nasi Marjanin e Ajet Rusin. Grupi i Vlorës e shtrinte aktivitetin edhe në Fier, Lushnjë e Berat”.

Mars 1939, Anastasi e Sadiku, kundra pushtimit italian

Sipas dëshmive të Isuf Keçit, më 31 mars të vitit 1939, kur filloi të ndihej era e pushtimit fashist, Niko Llaci (aktivist i njohur i Grupit komunist të Rinjve) shkon dhe lajmëron Isufin, që të nesërmen më datë 1 prill, në kinema “Gloria” do të shfaqej pjesa “Lulja e kujtimit”, prandaj të gjithë të rinjtë e atij grupi komunist, duhet të merrnin pjesë aty, për të organizuar një protestë kundra pushtimit fashist. Në atë mbrëmje, kinemaja ishte e mbushur plot si kurrë ndonjëherë dhe në mbarim të shfaqes, artistet e njohura, Tefta Tashko e Marie Paluca, zbritën poshtë në sallë tek publiku, duke kënduar me zë të lartë ‘Himnin e Flamurit’, që u pasua menjëherë nga të gjithë të pranishmit në atë sallë, gjë e cila shkaktoi hapjen e dyerve të kinemasë dhe daljen e të gjithë turmës jashtë, duke kënduar me zë të lartë dhe duke hedhur parulla. Në krye të kësaj proteste, qëndronin Anastas Lula dhe Sadik Stavaleci, ndërsa turma që përbëhej kryesisht nga anëtarët të ‘Grupit të Rinjve’, pasi përshkoi në këmbë rrogën “28 Nëntori”, shkoi deri përpara sheshit të ambasadës italiane, e cila asokohe ndodhej aty ku është sot Shoqata e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë. Pak minuta më pas aty mbërriti komandanti i Gardës Mbretërore, kolonel Hysen Selmani, i cili urdhëroi forcat që komandonte që të shpërndanin turmën. Duke parë agravimin e situatës, Anastasi me Sadikun i’u bënë thirrje turmës që të shpërndahej, pasi qëllimi i manifestimit ishte arritur. Kësaj thirrje nuk ju përgjigjën një numër i vogël të rinjsh, të cilët u përleshën me xhandarët dhe morën disa plagë të lehta. Të nesërmen e asaj dite, shefi i Policisë së Tiranës, major Kamber Qafmolla, shkojë vetë personalisht në drejtorinë e shkollës Teknike dhe i’u bëri thirrje, një grupi të rinjsh që kishin qenë në ballë të saj demonstrate, duke u thënë: “Lëreni Mbretin të qetë, të mendojë përpara kësaj situate, që po i kanoset Shqipërisë…”!

Anastasi e Sadiku i dorëzojnë Myslym Pezës 400 franga ar

Sipas disa dëshmive, në fund të gushtit të vitit 1941, Ymer Keçi i nxitur nga nipi i tij, Isufi, shkoi në fshatin Ndroq të Tiranës dhe kërkoi të takohej me Myslym Pezën, i cili në atë kohë kishte krijuar çetën e vet (ndër të parat çeta antifashiste në të gjithë Evropën Lindore) dhe të shoqëruar nga Kajo Karafili, Shaban Rexha e Beqir Koleci, e sjellin Myslymin në shtëpinë e tij në Tiranë. Ky veprim i Ymerit u bë mbas kërkesës që i kishit bërë atij dhe Isufit, Anastasit me Sadikun (Premten), për t’u takuar me Myslym Pezën. Në atë kohë Myslymi kishte sulmuar me çetën e tij, një njësi karabinierësh italianë dhe i ndihmuar edhe nga shumë bashkëfshatarë të tij pezak, kishte mundur të fitonte dhe të zinte dy kamionë rob, gjë e cila i kishte dhënë atij një popullaritet të madh në të gjithë Shqipërinë. Anastasi me Sadikun u takuan me Bab Myslymin në shtëpinë e Mer Keçit (Xhaxhait të Isufit) dhe pasi e uruan atë për fitoren që kishte arritur, kundra italianëve duke i bërë të ditur edhe namin e mirë që kishte fituar, i dhuruan atij si ndihmë për çetën e tij të Pezës, 400 franga ari, të cilat i kishte mbledhur anëtarët e “Grupit komunist të të Rinjve”, nëpër tregtarët tiranas. Po në këtë shtëpi, Bab Myslymi u takua edhe me kapterin e Kuesturës, Selim Kelmendi, (që shërbente aty si i infiltruar nga komunistët), i cili i dhuroi Myslymit një pushkë si kujtim.

Anastasi, propagandues i flakët i luftës kundra italianëve

Në atë kohë në krye të “Grupit komunist të Rinjëve” Anasatas Lula u bë një ndër oratorët më të flakët, i cili u bënte thirrje të rinjëve për t’u angazhuar në rradhët e Lëvizjes Antifashiste dhe në luftë kundër pushtuesëve italianë. Sipas mjaft dëshmive të ish-shokëve të tij të shkollës, ai kishte dhuntinë të bënte për vete këdo që bisedonte, duke nxjerrë në plan të parë llogjikën e forcën e argumentit. Në atë kohë, Skënder Çaçi (“Hero i Popullit”), një nga anëtarët e “Grupit të Rinjve” kërkonte të bindëte dhe të hidhte në rradhët e Lëvizjes Antifashiste, Dr. Ibrahim Dervishin, që sapo ishte kthyer nga Italia, por nuk ja arrinte dot qëllimit. Për këtë ai kërkoi ndihmën e Hamid Keçit, i cili bisedoi me Anastasin, që u takua me doktorin dhe arriti ta bindë atë që në takimin e parë. Anastasi, herë pas here organizonte takime të tilla me të rinj dhe grupe të rinjsh, të cilëve ju fliste për luftën dhe nevojën e pjesëmarrjes e angazhimit në atë luftë. Kështu sipas disa dëshmive, një takim të tillë, Anastasi ka organizuar në shtëpinë e Hamit Dingut në rrugën “Hoxha Tasin”, (në katin e dytë të një shtëpie të pa përfunduar), ku ishin mbledhur rreth 50 të rinj. Në mes të këtyre ishin: Shyqëri Ishmi, Xhoxhi Martini, Sabaudin Gabrani, Skënder Çaçi, Xhezmi Delli (të pestë “Heronj të Popullit”) dhe Avram Kaja, Abdyl Këllezi, Xhavit Pëllumbi etj. Në atë mbledhje, Anasatsi u foli të pranishmëve mbi luftën kundër italianëve dhe nevojnë e shtrirjes së saj në të gjithë vendin, e kryesisht në fshat. Kështu, duke i dhënë rëndësi punës sqaruese me fshatin, në atë kohë Anastasi ndërmori disa udhëtime dhe shkoi disa herë vetë në fshatrat përreth Tiranës, si në Priskë të Madhe, ku u takua me parinë e pesë lagjeve të saj, të cilët nuk donin të luftonin, me preteksin se: “Jemi një popull i vogël dhe nuk kemi mundësi për të luftuar Italinë”. Në fund të bisedës me ta, Anastasi iu tha: “Ne vërtet jemi një popull i vogël, por kurrësesi nuk duhet të rrimë duar kryq të bëjmë aq sa kemi mundësi”. Pas kësaj, pothuaj pjesa më e madhe e parisë së Priskës së Madhe, u zotuan se do angazhoheshin në Lëvizjen Antifashiste.

Tetor 1941, Anastasi strehon Miladin Popoviçin në Tiranë

Në fillimin e tetorit të vitit 1941, Miladin Popoviç, i cili me ndihmën e Mustafa Gjinishit ishte nxjerrë nga një kamp përqëndrimi që ndodhej diku në afërsi të Peqinit, i shoqëruar nga disa persona, mundi që të vinte ilegalisht në në Tiranë. Lidhur me këtë, në kujtimet e tij, Enver Hoxha midis të tjerash shkruan: “Miladinin e vendosëm në një bazë të sigurt në Tiranë”. Po cila ishte kjo bazë dhe kush ja solli Miladinin, Enver Hoxha nuk e përmendi kurrë në kujtimet e tij?! Kjo gjë është bërë e ditur publikisht vetëm pas viteve ’90-të, me dëshmitë e Shyqyri Këllezit (ish-roja personale i Enverit gjatë periudhës së Luftës, i përjashtuar nga Komiteti Qendror në vitin 1950 dhe i dënuar më pas me dhjetë vjet burg politik), Miladinin në atë bazë e sollën Mustafa Gjinishi me Anastas Lulën. Anastasi personalisht u kujdes për Miladinin në bazën e shtëpisë së Këllezit (që ishte baza kryesore e “Grupit të Rinjëve”), duke menduar se në mbledhjen kryesore të grupeve komuniste që pritej të mbahej, Miladini do të ishte një ‘gjykatës asnjanës’, në mosmarrëveshjet që ekzistonin ndërmjet tyre, por kjo shpresë e Anastasit, nuk ishte e thënë të realizohej ashtu siç ai kishte menduar! Në mbledhjen formuese, të njohur si krijimi i Partisë Komuniste Shqiptare, Anastasi me Sadikun (Premten) si dy krerët kryesorë të “Grupit komunist të Rinjëve”, ngulën këmbë që të zgjidheshin e sheshoheshin njëherë kontraditat që ekzistonin ndërmjet tre grupimeve komuniste dhe pastaj të procedohej për shpalljen e krijimit të partisë. Ky propozim i tyre u hodh poshtë në mënyrë kategorike nga Enver Hoxha që kishte dhe mbështetjen e Miladinit, të cilët ngulnën këmbë dhe insistonin: “Të shpallim njëherë formimin e parties, pastaj punojmë për sheshimin e mos marrveshjeve që kemi ndërmjet nesh”. Pas kësaj, Anastasi me Sadikun, sa nga naiviteti dhe për të mos u bërë pengesë, ranë në grackën e djallëzive të Enver Hoxhës, duke pranuar shpalljen e krijimit të Partisë Komuniste, ku siç dihet më pas, Enveri do të uzurponte rolin e Sekretarit të Përgjithshëm, për të cilin aty nuk u diskutua fare.

Si u spostua Anastas Lula nga drejtimi i Partisë Komuniste?

Sipas dëshmive të Shyqëri Këllezit, pas mbledhje themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare, Miladin Popoviç filloi të merrte kontakt me të gjithë anëtarët e asaj mbledhje, duke i thirrur të gjithë një nga një dhe midis të tjerash i pyeste për çështjen e Kosovës, se cili ishte mendimi i tyre. Kur ai pyeti Anastasin ai ju përgjigj me plot sinqeritet: “Ai problem është zgjidhur nga Karta e Atlantikut, që është shpallur më 14 gusht 1941. Në bazë të saj Karte, të gjitha pakicat që ndodhen në kufij të shteteve, do të zgjidhen me plebeshit nga vetë ata popuj, të cilët do të vendosin se me kë dëshirojnë të bashkohen. Kështu që edhe populli i Kosovës, duke qenë 85-90% shqiptarë, me Shqipërine do të bashkohet”. Ishte ky mendimi tepër i sinqertë i Anastasit, që ai më vonë do të eleminohej duke hyrë që në atë moment në “listën e zezë” të Miladinit, të cilën shumë shpejt do e ekzekutonte Enver Hoxha. Në të gjitha bisedat që bënin me Miladinin dhe me Enverin, Anastasi shpallte pikëpamjet e veta me prirje social –demokrate dhe të gjithë grupit që ai kryesonte, duke mbrojtur tezën se: “Në Shqipëri nuk ka proletariat, sepse nuk ka industri dhe pa një proletariat të kristalizuar, nuk mund të ketë të ardhme dhe baza komunizmi, si doctrine”. Duke pasur gjithnjë pikëpamje pothuajse të kundërta me Miladinin dhe Enverin, Anastasi me Sadikun filluan të bëhen armiq potencial të tyre. Lidhur me lëtë, Hamit Keçi dëshmonte: “Kam dëgjuar me veshët e mi nga goja e Sadik Premtes, kur bisedonte me Anastasin e thoshte për Dushanin e Miladinin, se ata janë shovinistë serbë”. Po kështu në një raport të Mihal Durit (“Hero i Popullit”), midis të tjerash thuhet: “E kam pyetur Gjinishin si është Keçi? Ai m’u përgjigj: Shumë mirë dhe ‘Qorri’, ai Lula, (Anastas Lula), të cilët janë më shumë aktiv, më të guximshmit, të vetmit që u bëjnë ballë rreziqeve. Ndërsa Miladini dhe të tjerët janë pula. Gjinshi më tha gjithashtu se, në të vërtetë nuk duan të bëjnë gjë tjetër, veçse të detyrojnë dhe atë vetë që të largohet nga puna. Kështu atje punët shkojnë keq”.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?