Përcjellja e fundit e ish diktatorit, Enver Hoxha

Si u përgjuan bisedat e familjes së Kadri Hazbiut, më 11 prill 1985, ditën e vdekjes së Enver Hoxhës?! Dokumente sekrete

6 Maj 2023, 07:36| Përditesimi: 6 Maj 2023, 07:41

  • Share

Memorie.al / “Në banesën e familjes së armikut të Partisë dhe të Popullit, Kadri Hazbiu, janë të stacionuara mjetet e T.O. stacionare. Meqenëse sot, në datë 11.4.1985, do të jepet komunikata për vdekjen e udhëheqësit kryesor të Partisë, mendojmë që, të organizojmë një përgjim të zgjatur, për të mësuar reagimet e objekteve për situatën e krijuar. Për të realizuar përgjimin, nga ana jonë, do të merren këto masa: Punëtori Operativ, Mihal Monka, do të bisedojë me poseduesin e pikës së përgjimit, për të na lënë dhomën në dispozicion, për datat 11 dhe 12 Prill 1985. Në pikën e përgjimit, do të qëndrojnë Punëtorët Operativë, Hysen Vata dhe Mihal Monka. Hyrja në pikë, do të bëhet me shumë kujdes në orën e drekës, kur të mos ketë njeri afër hyrjeve e, sidomos nga objektet që do të përgjohen. Në fillim, do të futet Punëtori Operativ i zonës, Mihal Monka, me mjetet e përgjimit, pasi e ka më të justifikuar, e më pas, do të vijë Punëtori Operativ i T.O., Hysen Vata”.

Kështu thuhet në mes të tjerash në një dokument sekret që mban datën 11 prill të vitit 1985, të hartuar nga Punëtori Operativ, i Sigurimit të Shtetit, Mihal Monka, që mbulonte zonën e Kurbneshit dhe të miratuar nga eprori i tij, Bajram Pelo, kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Rrëshenit të rrethit të Mirditës, ku bëhet fjalë mbi masat e marra për, përgjimin me T.O. (Teknikë Operative, përgjues), ndaj familjes së Kadri Hazbiut, në datat 11 dhe 12 prill 1985, me rastin e vdekjes së Enver Hoxhës.

DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT – INFORMACIONIN E PËRPILUAR NGA PUNËTORI OPERATIV, MIHAL MONKA, ME TË DHËNAT E BASHKËPUNËTORIT TË SIGURIMIT ME PSEUDONIMIN “PENELI”, PËR NDJEKJEN E SURVEJIMIN E AGRON KADRI HAZBIUT, NË QYTETIN E KURBNESHIT KU AI ISHTE I INTERNUAR

Marrë P.Op. Mihal Monka

                                                                                        Dhënë B.p.”Peneli”

                                                                                         Në Bazën “Pompa”

            Raport i datës 21.3.1985

Burimi njofton ashtu si më parë Petrit dhe Agron Hazbiu, tregohen të afrueshëm në biseda me të, që janë bërë në prezencë të personave të tjerë, si për punën, sportin, dhe probleme të tjera të zakonshëm. Ai rreth orës 20.00, të datës 20.3.1985, shkoi tek shtëpia e Petrit Hazbiut, për të parë televizor, i ra derës që e hapi Mimoza dhe menjëherë doli Petriti. I’u afrua, i dha dorën, dhe i tha si je, dhe ai i tha mirë, i sëmurë jeni e pyeti Petritin. Petriti, tundi kokën dhe i tha atij, hë ç’kemi.

Ai i tha Petritit që; nëse janë kushtet nga çdo pikëpamje, a mund të shikoj unë në televizor programin e orës 20.30, 40 minuta është, ndërkohë Petriti bëri gjysëm hapi prapa, duke ngritur supet dhe tha që, nuk e ka marrë mirë, dhe e pyeti atë, po s’keni ju, ai i tha jo, dhe i zgjati dorën Petritit, duke i thënë më fal, dhe i tregoi se, sapo kishte qenë tek televizori i punëtorëve, po aty nuk merrte mirë, prandaj kalova këtej. Më fal, i tha Petritit, përsëri ai, natën e mirë, dhe zbriti shkallët. Petriti i tha, hiç asgjë, natën e mirë, dhe më pas mbylli derën.

“Peneli”

Sqarimi i të dhënës:

Për futjen në këtë mënyrë tek Hazbiajt, ju tha që të ketë kujdes dhe ju tërhoq vëmendja.

Vlerësimi i të dhënës:

Kjo e dhënë, ka vlerë operative, pasi bën fjalë për preokupacionin e B.p., për t’u futur në biseda, e futur në përpunimin e lidhjeve familjare të armikut të Partisë, Kadri Hazbiu.

Nuk do ta besoni kush i shkakton rrudhat, flet dermatologia me 28 vite eksperiencë

Detyra dhënë B.P.

Ju dha detyrë që të justifikojë doemos vajtjen atë natë para Petritit e Agron Hazbiut, që në rastin më të pare, në bisedë me Petritin ose Agronin, t’i thotë që; të më falni për atë natë që, erdha pa ju lajmëruar, nuk e di se si më hipi në kokë, çfarë t’i bësh kur nuk ke televizor, nuk ma jep asnjëri për ta blerë, më ngeli merak për emisionin që kishte atë natë, se e ndoqa me shumë interes, tek një fqinjë, një natë më parë, kam shkuar nja dy herë si aty dhe tek punëtorët por, nuk ma hapën derën. Madje kjo fqinja, është shumë e bezdisshme, por nuk kam çfarë t’i bëj.

Masat Operative:

E dhëna, të shtypet në dy kopje, një për Petritin dhe një për Agronin.

                                        Punëtori Operativ

                                           Mihal Monka

 

Shënim:

B.p., t’i tërhiqet vëmendja që, të tregohet më i kujdesshëm në veprime pasi, mund të ngjalli dyshime. T’i thojë Petritit e Agronit se, kishte dashur t’i takonte atë ditë e t’i thoshte për të shkuar në shtëpi, por nuk i kishte gjetur, prandaj dhe shkoi.

27.3.1985

Zv/Kryetari i Degës së P. të Brendshme

                                  Vesel Avdullai

DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT – INFORMACIONIN E PËRPILUAR NGA PUNËTORI OPERATIV, MIHAL MONKA, ME TË DHËNAT E BASHKËPUNËTORIT TË SIGURIMIT ME PSEUDONIMIN “MARTELI”, PËR NDJEKJEN E SURVEJIMIN E AGRON KADRI HAZBIUT, NË MINIERËN E KURBNESHIT KU PUNONTE

                                                                                         Marrë: P.Op. Mihal Monka

                                                                                          Dhënë: B.p. “Marteli”

                                                                                          Në Bazën “Drita”

         Raport i datës 7.4.1985

Burimi njofton se ai, punon në një brigadë me Agron Hazbiun, dhe Agroni shprehet ndaj tij e punëtorëve të tjerë me respekt dhe i afrueshëm me të, dhe ai është treguar i kujdesshëm ndaj Agronit dhe për të mos rënë në sy të të tjerëve. Sipas rastit, në frontin e punës, kanë biseduar për shumë probleme të punës, madje në një rast ai, i tha Agronit që, për sa kohë të kanë prurë këtu? Agroni i tha që; unë e di se për 5 vjet na kanë prurë, kështu na kanë thënë, kur na komunikuan internimin.

Ai i tha se; ku mund t’ju çojnë pastaj, Agroni u shpreh se, nuk e di, në Tiranë patjetër që nuk na çojnë, por qejf kam që të na çojnë në fshatin tim, se atje kam njerëzit e mi, se ju më njihni, se babain e kam tradhtar, dhe se atje na njohin ndryshe si racë, se ne nuk kemi qenë dhe nuk kemi pasur gjë të keqe, brez pas brezi, dhe për këtë mund të pyesësh. Ai i tha se; patjetër këtu në Kurbnesh ose, në fshatin tuaj do ju çojnë, dhe në fshatin tënd ke mundësi të martohesh. Agroni, heshti dhe nuk foli fare.

Në një rast tjetër, gjatë pushimit ku aty ishte Ndue Gjinkola, Ramadan Nexhaga, Gur Lura, Ndoj, midis të tjera shtroi problemin e luftërave, që ka zhvilluar Skëndërbeu, duke thënë se është krutan. Kurse Agroni tha se; sipas të dhënave të fundit, Skëndërbeu është nga Dukagjini i Matit, dhe numri i turqve që ka vrarë me dorën e tij, i kalon 3 mijë vetët. Në një rast tjetër Agroni, i është shprehur atij se; jam mërzitur shumë dhe nuk jam mësuar me trazira të tilla, ai i tha atij se; ti me mënd nuk ke gjetur këtë gjë.

Agroni i tha se; po të ishim fajtor, shteti nuk do të na lejonte kështu, por paskan qenë kusure këto, për të larë, ai i tha se; këto kusure, nuk i ke vetëm ti por, edhe shumë të tjerë si unë e, ndonjë tjetër. Ai ka vënë re se, Agroni, jep mendime të shkurtra dhe nuk i zgjat shumë muhabetet, dhe për mendimet që jep, tregohet i vendosur.

                                            “Marteli”

Vlerësimi i të dhënës:

E dhëna ka vlerë operative se bën fjalë, për afrimin gradual të Agronit me B.p., në biseda me njëri tjetrin, që i japin shkas B.p., për t’u futur më tej në biseda, e nga ana jonë, për ta drejtuar në vijë sjelljeje, e futur më thellë në përpunimin e këtij objekti.

Detyra dhënë B.p.

detyrë që, të futet me shumë kujdes në biseda me Agronin, t’i thotë se; unë ta kam thënë e ta them se kështu si ty, na ka ndodhur edhe më parë, por nuk ke se ç’bën, kështu e paska kjo punë, mos u mërzit se me punën do të mësohesh më mirë, dhe për çdo gjë, këtu na ke, duhet menduar dhe për jetën se mosha bën të vetën.

Do të forcohen masat e kontrollit fizik, si për Agroni  dhe për pjesëtarët e familjes. E dhëna të shtypet në një kopje dhe të vendoset në dosjen e tij.

                              Punëtori Operativ

                                    Mihal Monka

DOKUMENTI SEKRET I HARTUAR NGA PUNËTORI OPERATIV I SIGURIMIT TË SHTETIT, MIHAL MONKA DHE I MIRATUAR NGA KRYETARI I DEGËS BRENDSHME TË RRËSHENIT, BAJRAM PELO, PËR PLANIN E MASAVE MBI PËRGJIMIN E FAMILJES HAZBIU, DITËN E VDEKJES SË ENVER HOXHËS

    MIRATOHET                                                                                      SEKRET

KRYETARI I DEGËS SË P. TË BRENDSHME                                EKZEMPLAR NR. 1

 

 BAJRAM PELO                                                                      RRËSHEN MË 11.4.1985

PLAN-KOMBINACIONI PËR PËRDORIMIN E MJETEVE TË T.O. TË GRUPIT “A” NË DREJTIM TË OBJEKTEVE PETRIT, AGRON, DHE ELENA HAZBIU.

Nga sektori i Sigurimit në Degës së Punëve të Brendshme Mirditë, përpunohen aktivisht në 2/A e paraprak, për agjitacion dhe propagandë, e të kontrollohen lidhjet e afërta familjare të armikut të Partisë dhe Popullit, Kadri Hazbiu, si Petrit, Agron, Helena, dhe Mimoza, fëmijët, dhe Hedije Hazbiu, gruaja e tij dhe që janë me masë internimi në qytetin e Kurbneshit.

Dhe në banesën e tyre, janë të stacionuara mjetet e T.O. stacionare. Meqenëse sot, në datë 11.4.1985, do të jepet komunikata për vdekjen e udhëheqësit kryesor të Partisë, mendojmë që, të organizojmë një përgjim të zgjatur, për të mësuar reagimet e objekteve për situatën e krijuar. Për të realizuar përgjimin, nga ana jonë, do të merren këto masa:

Punëtori Operativ, Mihal Monka, do të bisedojë me poseduesin e pikës së përgjimit, për të na lënë dhomën në dispozicion, për datat 11 dhe 12 Prill 1985.

Në pikën e përgjimit, do të qëndrojnë Punëtorët Operativë, Hysen Vata dhe Mihal Monka. Hyrja në pikë, do të bëhet me shumë kujdes në orën e drekës, kur të mos ketë njeri afër hyrjeve e, sidomos nga objektet që do të përgjohen. Në fillim, do të futet Punëtori Operativ i zonës, Mihal Monka, me mjetet e përgjimit, pasi e ka më të justifikuar, e më pas, do të vijë punëtori operativ i T.O. Hysen Vata.

Mbasi do të hyhet në pikë, nga ana e P.Op. të T.O., do të kryhen punimet e nevojshme, për vënien në punë të mjeteve të përgjimit, do të vazhdojë regjistrimi i bisedave, që do të zhvillohen midis tyre, dhe në përfundim, do të bëhet eliminimi i të gjitha punimeve tona që, të mos ngjallim dyshim tek poseduesi i bazës.

Në përfundim të përgjimit, do të bëhet kthimi i mjeteve në Degë, nxjerrja e informacionit, dhe konkluzionet përfundimtare.

Punëtori Operativ                                                      Punëtori Operativ i T.O.

   Mihal Monka                                                                 Hysen Vata

DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT-INFORMACIONIN MBI BISEDAT E ZHVILLUARA NGA ANA E FAMILJES SË KADRI HAZBIUT, NË BANESËN E TYRE NË QYTETIN E KURBNESHIT, DITËN E VDEKJES SË ENVER HOXHËS, MË DATAT 11 E 12 PRILL 1985, TË CILAT JANË PËRGJUAR NGA DEGA E BRENDSHME E RRËSHENIT, ME TEKNIKË OPERATIVE

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË                                SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                                          Ekzemplar i vetëm

DEGA E PUNËVE TË BRENDSHME                                                           Grupi i II-të

ANA E SIGURIMIT Nr. 3                                                                   Rrëshen, më 5.5.1985

NDALOHET RIPRODHIMI

 

                                                INFORMACION  ME  T.O.

 

Ky informacion, nxirret nga veprimi i bërë me T.O. të grupit “A/1” në banesën e objekteve në datat 11 dhe 12 prill 1985, midis pjesëtarëve të familjes së armikut të Partisë dhe të Popullit, Kadri Hazbiu.

Legjenda:

P: Petrit Hazbiu (djali i madh)

A – Agron Hazbiu  (djali i vogël)

E – Elena Hazbiu  (vajza e madhe)

M – Mimoza Hazbiu  (vajza e vogël)

E – Edije Hazbiu   (e shoqja)

Në bisedat e zhvilluara, del se:

M – (duke qarë) Mua nuk më besohet se ka vdekur, se kam pas…(ndërpritet)!

H – Hë se është turp.

P – Po ai mund të vdes sot, si ju kanë thënë?

H – Njerëzit, kot e thonë?

E – Shih tani kur të komunikoj komunikatën e Komitetit Qendror, (qan), pa, pa, pa, edhe kot mos fol, pa e parë komunikatën e Komitetit Qendror, kot mos fol.

M – Jooo…!

E – Na e ka gjet edhe atë vendin sot, ku do punonim. Mos e kanë dhënë gabim?

H – Si u jepka ajo?

P – Ty s’të pashë unë, se isha nga ana tjetër. Unë sa lava këmbët dhe do shtrihesha, kur e ngriti flamurin në gjysëm shtizë, ky gjitoni, se kisha vesh pizhamet, po dëgjoja që po ju thoshte atyre poshtë, të gjithë në mbledhje.

P – Thosh ndonjë lajm.

E – Po, a bëhet tani një muaj kështu? (qan)

P – Kush e di këtë punë?

H – Po ty, s’të shkoj mëndja për ndonjë gjë, kur dëgjove se, ka mbledhje?

P – Jo, unë thashë do ketë ndonjë gjë!

Eh nuk e ha dot, as bukën!

M – Emi mo, haje tani.

E – Ja pra, kur të ashtu ai Njeriu, kur të do, do ta afroj. Po më bëri një çik për shtypje, se njerëz të gjallë jemi. Po jo për kështu, kurën e kurës, s’më shkonte mëndja.

H – Merre ta hash atë çikë bukë.

E – S’e dua hiç (vazhdon të qajë).

H – Emo, mirë.

E – Jo me mirë?! Si thua ti kështu, t’u thaftë goja ty, kur flet kështu!

H – Je në vete, ti dëgjon apo jo…..Pse kështu ke qarë ti për tët atë?!

E – (vazhdon të qajë).

H – Edhe mua nuk më besonte thash. Po s’ka atë tani!

E – Po…… njeri, qofsh kush je!

P – Tani mblidh mënd, ku do shkojnë pa atë?!

E – (Enver Hoxha), zëre se kur s’është ai……pa….!

H – Boll.

E – Qysh boll?! (vazhdon të qajë).

P – Tani po jep lajmet. Tani janë bllokuar krejt.

H – Duhet ta mbash atë avullin kështu. Me atë grykën e filxhanit dhe bëhet për pesë minuta. Moza, hajde të rrimë këtu.

M – Nuk dua.

(Bisedojnë për ushqimin që do të hanë dhe bëhen gati për të ngrënë).

H – Filloj televizioni kështu?

P – Është ajo që dha Radio-Televizioni, bën ashtu fiu.

H – Po lajmet i dha në drekë?

M – Po atë komunikatën?

P – Atë që të thashë unë. Duhet të japi ndonjë film.

M – Jo ore, si jepka…?!

P – Film kështu mor jahu, për jetën dhe veprimtarinë.

E – E pa, jetën japin?!

P – Për atë po them unë.

M – Po dha lajmet tashti!

E – Po në orën tetë, do këtë të zgjeruara? S’ka diskutim.

M – Po njëherë njeriu do vdes, po shpejt ishte për të edhe   (ndërpritet).

H – Më rënkon zëmra akoma.

M – Vetëm këtë që s’e ke në dorë.

H – S’ta hante mëndja për kaq shpejt. S’ma thoshte kurrë mëndja, Një gjë që s’e kthen dot!

(Kërkojnë që të ajrosin dhomën, duke u angazhuar të gjithë në punë. Biseda pa rëndësi operative, ato janë të karakterit familjar dhe më të shumtën e kohës, qëndrojnë në heshtje).

P – Moza, o Moza, hajde.

M – Shiko atë gjellë se mos digjet.

E – Jo me, jo.

P – Djathë, ha një çikë më shumë. (Biseda familjare, vazhdojnë kështu deri në fund të përgjimit. Në orët e vona, vjen Agroni nga turni dhe pyet, nëse dha gjë televizori.

E – Atë komunikatën. Po more, ha bukë dhe bjer e fli.

Shënim: Ky informacion u nxor në një kopje dhe të vendoset në dosjen e Elena Hazbiut. Memorie.al

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?