Selia e PD

Politikë

Si u sabotua identifikimi biometrik nga PD në KQZ! Mungesa e testimit dhe gishtat e operatorëve shumë herë për t’i zbllokuar

19 Maj 2021, 08:12| Përditesimi: 19 Maj 2021, 08:22

  • Share

Dita e votimit filloi me një ngjarje që u bë lajm e u njoftua në mbrëmjen e një dite më parë. Presidenti Ilir Metaj, njoftoi që do të shkonte të votonte në orën 07.00, të mëngjesit të datës 25 Prill. E zgjedhur me qëllimin e vetëm të njoftimit dhe mobilizimit të mbështetësve, askush nuk vuri re që Presidenti i Republikës ka votuar sipas stilit klasik, pa u identifikuar nga pajisja e identifikimit biometrik.

Pajisjet e identifikimit biometrik në këto zgjedhje u konsideruan si kali i betejës së PD. Sigurisht që PD e Luli Bashës nuk ka kuaj të lirë. Sistemi i dentifikimit biometrik sipas informacioneve të marra nga mediat, duhet të ketë kushtuar rreth 18 milion euro. Një çmim i denjë ky për opozitën e Lulzim Bashës. Me sebepin e sistemit të identifikimit biometrik, PD gjatë negociatave për Kodin Zgjedhor, habiti gjithë dynjanë kur paraqiti si amendamente të draftit të Kodit Zgjedhor, disa dispozita të cilave ju mungonte vetëm emri i kompanisë që duhet të fitonte tenderin.

Kali i betejave për Kodin, për dy ditë rresht në Komisionin bipartizan u zëvendësua me kalin për tenderin. Nuk është çudi që Rama i pranoi Lulzim Bashës çdo kërkesë që lidhej me administrimin e 18 milionë eurove. Për qëllimin e vënies në punë të sistemit, u shtua në Kodin Zgjedhor funksioni i zëvendëskomisionerit shtetëror të zgjedhjeve. Ky post më pas në pazarin e emërimeve në KQZ-në e re, ju dha Lealba Pelinkut. Kodi ka përcaktuar qartë funksionin e zëvendëskomisionerit si funksion i lidhur me vënien në funksionim te sistemit të identifikimit biometrik.

Pasi, Lealba Pelinku mori detyrën, i takonte Komisionit Rregullator të KQZ që të miratonte detajet e tenderit. Dhe Komisioni Rregullator nuk miratonte dot asgjë pa votën e Helga Vukajt, zonjës tjetër të PD. Kriteret për pajisjen janë të fiksuara nga Komisioni Rregullator. Kontrata e lidhur me kompaninë “fituese” është rezultat i negociimit të zonjës Pelinku, si njeriu që mbart funksionin dhe përgjegjësinë për këtë proces. Por çfarë ndodhi në orën 7 të datës 25 Prill?

Pse, Presidenti i Republikës as që e konsideroi dhe as nuk u kujtua fare për të kërkuar që të “ngjyente” gishtin në pajisjen identifikuese të qendrës së vet, të votimit dhe të inaguronte pajisjen e asaj qendre si votuesi i parë i asaj dite?! Kontrata e lidhur me kompaninë në mënyrë të çuditshme i konsideroi pajisjet si material zgjedhor. Si të tilla ato dërgohen në qendrat e votimit, jo më herët se 48 orë nga ora 7, kur Presidenti i Republikës njoftoi kamerat që të dilnin ta prisnin tek qendra e votimit.

Kontrata e lidhur me kompaninë shkarkon kompaninë nga përgjegjësia e operimit të pajisjeve në këto zgjedhje, që do të shënonin edhe operimin e tyre për herë të parë. Zonja Pelinku pranoi me kontratë që operatorët që do të operonin pajisjet për herë të parë, të ishin persona të kontraktuar nga KQZ. Me pak fjalë, kompania përpara datës 25 Prill ka marrë pagesën dhe ka ikur në punë të vet. Çdo përgjegjësi për operimin e pajisjeve gjatë ditës së votimit i ka kaluar zëvendëskomisioneres së PD. Siç pritej problemet me pajisjet filluan të shfaqeshin 24 orë përpara, orës 7 të datës 25 Prill.

24 orë përpara, një numër i madh operatorësh të trajnuar online për jo më shumë se 2-3 orë, nga zonja Pelingu (pra nën përgjegjësinë e saj)  ndjenë peshën e problamatikave të pritshme dhe u tërhoqën nga kontrata. Pajisjet ishin marrë në dorëzim dhe operimi i tyre i ishte lënë orës 7 të datës 25 Prill. Testimi i tyre nuk u bë asnjëherë. Në raste si këto, duhet që të paktën 3% e pajisjeve, të testohen të instaluara atje, ku ato do të vihen në punë. Tek qendrat e votimit. Por kjo nuk ishte e mundur. Klasifikimi si “material zgjedhor” ndalonte hapjen e tyre përpara orës (që e bëri historike njoftimin për votimin presidencial) 7 të datës 25 Prill. Qendrat e votimit nuk hapeshin dot 30 minuta apo 1 orë përpara, sepse Kodi ka shpjeguar qartë se si bëhet kjo.

Udhëzimi i Komisionerit, midis kaosit, shpjegonte edhe kushte të pezullimit të votimit për jo më shumë se 2 orë në rastet kur pajisja nuk funksiononte. Përtej çudisë që mbarte ky kusht absurd,  konsideruar që gjithë votimi zgjat vetëm 12 orë,  problemi u kap shpejt nga kandiatët dhe persona të tjerë të interesuar për procesin. Si pasojë, udhëzimi u modifikua vetëm 9 orë përpara orës 7 të datës 25 Prill dhe komisionet e qendrave te votimit u udhëzuan të vazhdonin votimin me regjistër, nëse pajisjet nuk viheshin dot në punë ose bllokoheshin.

Si pasojë, sot jemi të sigurtë, që ka qenë objektivisht e pamundur që pajisjet të vihen në punë në ora 7 të mëngjesit kur hapeshin qendrat e votimit. Problematikat e tenderimit, kontraktimit dhe administrimit të procesit sollën si pasojë që në shumë qendra votimi (rreth 180), pajisja e identifikimit nuk u vu fare në punë.

Atje ku pajisja u arrit të vihej në punë, operatorët masivisht në gjithë Shqipërinë, si pjesë e procedurës së vënies në punë (brenda orarit të çeljes zyrtare të procesit të votimit), kanë instaluar dhe kolauduar pajisjet duke perdorur gishtin e tyre si “pajisje” instalimi dhe kolaudimi. Më tej, sa herë që pajisjet janë bllokuar gjatë procesit të votimit, gishtat e operatorëve kanë shërbyer si zhbllokues të pajisjeve. Sigurisht duke lënë gjurmën e gishtit të tyre (shumë herë), gjatë kohëzgjatjes zyrtare të procesit të votimit.

Ndaj, nuk ka asnjë çudi që në qendra të caktuara votimi, nga statistikat duket sikur 12 persona kanë “votuar” për 70 të tjerë. Ajo që bën çudi është, se pse zonja Pelingu nuk shpjegon jo vetëm mënyrën si u tenderua, kushtet e vendosura në kontratën e operimit, problematikat e identifikuara ndërkohë dhe logjikën e atyre shifrave që janë hedhur në tregun politik opozitar. Sigurisht i takon përfaqësues tjetër të PD, në Komisionin Rregullator që të sqarojë se përse 18 milionë euro nuk mjaftonin që pajisjet të mund të zgjidheshin të tilla  që të transmetonin në kohë reale numrin e pjesëmarrjes në procesin e votimit.

Kështu do ishte evituar jo vetëm një pjesë e debatit të sotëm, por edhe kaosi i shifrave fake të pjesëmarrjes që u përcollën nga KQZ në ditën e votimit. Fryrja fiktive e atyre shifrave dhe përzgjedhja e palogjikshme e shifrave krahasimore me ditë votimi të zgjedhjeve të kaluara, nuk do ishtë e mundur nëse pajisja e kontraktuar nga zonja Pelingu do të kishte funksionuar, siç duhej në orën 7 të datës 25 Prill. Për ironi, zonja Pelingu dikur ka mbajtur detyrën e shefes së departamentit antikorrupsion të PD. 18 milionë eurot dhe përdorimi pa efektivitet i tyre në këto zgjedhje, janë specialitet i zonjës Pelingu. Ato 18 milionë euro kësaj radhe nuk shërbyen dot, as që Presidenti i Republikës të shijonte risinë e teknologjisë. Dhe ky është dëm kolatetal që tejkalon shifrën 18 mil euro./cna.al

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?