Si u shua aksioni 4 mujor i PD-LSI nga kërcënimet me luftë tek vallet  

2 Korrik 2019, 08:26| Përditesimi: 2 Korrik 2019, 09:48

  • Share

Shqiptarët zgjodhën 61 kryetarët e rinj të bashkive, të cilët do të qeverisin Shqipërinë gjatë katër viteve të ardhshme në nivel vendor, duke shënuar fundin dhe zyrtarizuar dështimin e aksionit 4-mujor të opozitës joparlamentare për rrëzimin e qeverisë. Për katër muaj me radhë, krerët e opozitës, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi u përbetuan se nuk do të lejonin zhvillimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Madje, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi u kërkoi të strukturave të LSI të mobilizoheshin pasi zgjedhjet e parakohshme ishin shumë afër. Nga ana tjetër, Lulzim Basha e ka përsëritur çdo ditë përbetimin se nuk do të lejohej zhvillimi i zgjedhjeve saqë shumë nga militantët e PD filluan ta besonin një gjë të tillë dhe të përgatiteshin për prishjen e zgjedhjeve. Disa ditë para zgjedhjeve, Shqiptarja.com publikoi një qarkore shpërndarë nga PD-ja për degët në rrethe për mënyrën e bllokimit të zgjedhjeve të 30 Qershorit. Përmes qarkores militantët udhëzoheshin të përplaseshin me policinë dhe të asgjësonin materialet zgjedhore.

Ndërkaq, një ditë më pas, pas një takimi 90 minutësh në zyrën e tij me zv/ambasadoren e SHBA-së në Shqipëri Leyla Moses-Ones, Basha e mohoi qarkoren, duke e konsideruar mashtrim të Edi Ramës. Megjithatë, përfaqësuesit e PD vijonin retorikën ekstreme të luftës, me viktima, vëllavrasje, konflikt civil etj. Fushatës së tyre të dhunshme iu bashkuan edhe disa intelektualë, të cilët thanë se ishin gati të shkonin në burg, për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor. Madje, Lulzim Basha akuzoi mediat, të cilat nuk po e pasqyronin siç duhet këtë fushatë. Për t’i bërë sa më të zbatueshme kërcënimet për atë që do të ndodhte në 30 qershor, u sulmuan dhe u dogjën disa KZAZ në Bushat, Burrel, Shkodër dhe Dibër. Megjithatë, të gjitha përbetimet për bllokimin e zgjedhjeve avulluan brenda 24 orëve. Zgjedhjet u mbajtën në një klimë përgjithësisht të qetë. Pjesëmarrja ishte sipas pritshmërive të shumicës. Rrëzimi i qeverisë, që ishte kryefjala e aksionit të Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, vijon të mbetet një iluzion, ashtu si zgjedhjet e parakohshme. Raportet mes opozitës dhe ndërkombëtarëve janë në një pikë kritike. Ky është rezultati i aksionit 4-mujor i PD-LSI.  

Kthesa

Sinjalet e para të tërheqjes nga skenari i dhunës i dha kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, e cila nisi të distancohej nga linja e PD. Pas saj, edhe Lulzim Basha hoqi nga retorika e tij, fjalinë ‘nuk do lejojmë zgjedhjet e 30’ qershorit. Basha nisi të flasë vetëm për mosnjohje dhe bojkot të procesit. Vetëm disa orë para votimit, Basha ishte më i qartë, teksa u bëri thirrje mbështetësve të PD të distancoheshin nga çdo akt dhune, me pretendimin se dhuna i shërbente Edi Ramës. Thirrjeve kundër dhunës iu bashkua edhe Presidenti Ilir Meta. Kështu nga përgatitjet për dhunë, militantët e PD protestuan dje para disa qendrave të votimit me këngë dhe valle.

Prapaskena 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se kanë pasur rol vendimtar nga tërheqja e opozitës nga plani i dhunës në 30 qershor. Disa ditë para zgjedhjeve, Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Mattheë Palmer u shpreh qartë dhe prerë se SHBA do të shkëpusë marrëdhëniet me ata që do të pengojë zgjedhjet në Shqipëri në 30 qershor. Mesazhi ishte i qartë për Lulzim Bashën, Sali Berishën dhe Monika Kryemadhin.  Përveç mesazheve të forta publike, Lulzim Basha duket se ka marrë mesazhe të drejtpërdrejta edhe nga sekretari politik i Ambasadës Amerikane, Daniel Koski. Në rrethet mediatike u përfol se një ditë përpara protestës së fundit të opozitës, Koski u takua me Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin, duke ua bërë të qartë se nëse deri më 1 korrik do të ketë akte dhune, atëherë SHBA do t’i shpallte ato si organizata të dhunshme.

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?