Si u transformua “Elbasan Arena” 
Stadiumi me standardet e FIFA-s

10 Tetor 2014, 19:54| Përditesimi:

  • Share
ELBASAN - 4 muaj më parë askush nuk e imagjinonte atë që po shohim sot. Ish-stadiumi i vjetër “Ruzhdi Bizhuta” do të transformohej në një arenë me parametra ndërkombëtare për të pritur ndeshjet eliminatore të EURO 2016.

Distanca mes Elbasanit dhe kryeqytetit bëri të mundur që FSHF dhe qeveria shqiptare të kthenin syte pikërisht në këtë qytet për të investuar 5.5 mln EURO në ndërtimin e atij që sot quhet “Elbasan Arena”.

Punimet filluan me ritme të shpejta. Inxhinierët, teknikët dhe të gjithë punëtorët ishin të vetëdijshëm për kohën e shkurtër që kishin në dispozicion për të përfunduar gjithçka. Fazat e punimeve nuk ishin te lehta, por hap pas hapi gjithçka u konkretizua për në atë që sot është qendra e futbollit shqiptar. Fillimisht nga brenda u montuan stolat kuq e zi, me pas tapeti i blerte, ndërkohë nga jashtë njëkohësisht ishin montuar tabelat elektronike dhe ndriçimi. Tashmë skepticizmi për realizimin e stadiumit në kohë për ndeshjen e parë Shqipëri- Danimarkë, po zbehej dhe gjithçka ndodhej në fazën e fundit.

Në çdo kohë specialistë të FIFA kanë ndjekur punimet për realizimin e një pune me standarde ndërkombëtare.

8 tetori shënoi edhe testin final që do të ishte edhe inaugurimi i Elbasan Arena. Vetë kryeministri dhe trajneri i kombëtares De Biasi shënuan golat e parë në portën e re të portierit Berisha. Kombëtarja luajti një ndeshje miqësore me ekipin e të rinjve të Elbasanit, ndeshje me rezultatin 7 me 0.

Kureshtja dhe dëshira për të ndjekur ekipin kombëtar në shtëpinë e re dyndi mijëra qytetarë në shkallët e stadiumit.

Ndeshja miqësore ishte edhe një testim për policinë e shtetit për të menaxhuar sportëdashësisht dhe funksionimin e sistemit të sigurisë për hyrjen në stadium.
 
Ndeshja Shqipëri-Danimarkë pritet të angazhojë më shumë stafin e stadiumit dhe forcat e policisë për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.

“Që në fillim fare janë marrë masat që në bulevardin kryesor "Aqif Pasha" do të ketë ndalim qarkullimi, një pjesë e tij do ti shërbejë stadiumit ndërsa pjesa tjetër do ti shërbejë spektatorëve të cilët do të kenë mundësinë të vijnë në stadium. Praktikisht këtu do të jetë zona e parkimit VIP, në këtë zonë është e detyrueshme që të jetë edhe parkimi i mjeteve të transmetimit. Përsa i përket spektatorëve, do të ndahen në të dy anët anësore të stadiumit dhe do të filtrohen në mënyrë të tillë që fluksi të jetë koherent, real. Stadiumi ofron shumë, dyert e stadiumit për tifozerinë do hapen dy orë përpara dmth që dy orë përpara njerëzit mund të hyjnë dhe të frekuentojnë e të shijojnë stadiumin.” –u shpreh Dritan Kadia, drejtor i Stadiumit Elbasan Arena

Një vend të veçantë do të ketë edhe media për të pasqyruar më së miri ndeshjet e ekipit kombëtar. Një stadium i standarteve ndërkombëtare ka parashikuar gjithçka deri në detaje.
 
“Elementët për të plotësuar gjithë kushtet që kërkohen për ti krijuar medias një partneri të pazëvendësueshëm në ecurinë e ekipit kombëtar të futbollit , për ti krijuar gjithë fasilitetet që ajo ka. Po e filloj nga e para, kemi një sallë konferencash me 100 vende me 25 dalje për zërin pa patur nevojë për mikrofona apo për gjëra të tjera, që në hyrje ka një hyrje të vecantë për median, fotografët dhe operatorët , ka një garderobë ku ata mund të lënë kamerat apo gjërat që nuk do ti nevojiten gjatë zhvillimit të ndeshjes, kemi sallën e punës së gazetarëve, është me 80 vende me intërnet me rrymë elektrike dhe gjithcka tjetër që atyre i nevojitet. Po e njëjta gjë ndodh në tribunën e shtypit ku janë 50 vende me desk për gazetarët e medias së shkruar dhe 50 vende për gazetarë të tjerë, ndërkohë ka një dalje në fushë për fotoreporterët të cilët duhet të jenë të pajisur me jelek. Këtu ku ndodhemi jemi në zonën miks që i ka munguar gjithmonë medias shqiptare , pra intervistat gjithmonë bëheshin me atë ndricimin e dobët të hënës në fasadën e "Qemal Stafës" ndërkohë këtu është zona miks, këtu do të dalin gjithë lojtarët.” - tha Dritan Kokona.


Tribuna VIP si do te presë personazhe e personalitete të ndryshëm nga politika, sporti, shkenca apo kultura.


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?