Si u vra Edmond Papa, lidhja me Aleksandër Sadikajn! Arrestimi i Albano Velos dhe shpallja në kërkim e Andrew Bode i dyshuar si 'qitësi'! Dhe atentati në ishullin grek

10 Gusht 2023, 10:46| Përditesimi: 10 Gusht 2023, 12:33

  • Share

Atë ditë Edmond Papa, ishte nisur nga Saranda drejt Tiranës për të vizituar të ëmën që ishte e sëmurë. Ishte data 16 dhjetor 2022.  49-vjeçari, pronar i hotel ‘Blue Sky’ në Sarandë dhe që njihej në këtë qytet me mbiemrin Hoxha, e kishte ndryshuar kur kishte shkuar në Greqi në Papa. 

Ka qenë ora 16:30 minuta kur Edmond Papa kishte zbritur në një lokal për të konsumuar kafe, pranë pallatit ku banonte i vëllai dhe po qëndronte, në rrugën “Fadil Bodinaku”, në zonën e Selitës në Tiranë, kur drejt tij është afruar autori i vetëm dhe ka qëlluar me 9 plumba pistolete të llojit Glok.

Kamerat e sigurisë të zonës dhe jashtë lokalit ku ndodhi vrasja fiksuan momentet kur autori kishte qëndruar për disa minuta në këmbë pranë pallatit ku banonte vëllai 49 vjeçarit.

Më 3 janar 2023 policia arrestoi Albano Velon, si person i dyshuar i përfshirë në vrasjen e mes dhjetorit në Tiranë. 30-vjeçari nga Këlcyra, i cili ishte djali i efektivit të policisë së Komisariatit nr. 4, Dilaver Velo, - i pezulluar më pas nga detyra – dyshohej se mori hak për vrasjen e shokut të tij të ngushtë, Aleksandër Sadikaj, i ekzekutuar në qershor 2022.

Sipas policisë ai kishte monitoruar lëvizjet Edmond Papës, ndërkohë në kërkim u shpall dhe një person tjetër i identifikuar si A.B., banues në Tiranë. Vetë  Albano Velo ka mohuar autorësinë e vrasjes.

30-vjeçari nga Këlcyra u vu në pranga në Rinas teksa po kthehej nga Franca në orët e para të mëngjesit të 1 janarit, atje ku ishte larguar vetëm katër ditë pas ekzekutimit të Edmond Papës.

Po kështu për vrasjen e Edmond Papës, më 6 janar 2023 në kërkim u shpall edhe Andrew Bode, 44 vjeç, me origjinë nga Berati. 
Andrew ishte emri i tij i dytë, pasi më herët emri i tij ka qenë Edvin Bode, por për shkak të problemeve me ligjin e ka ndërruar disa vite më parë.  Dyshohet se ai ka pasur rolin e qitësit.
Bode figuron edhe biznesmen, pasi ka një kompani në Korçë që merret me import dhe eksport, tregtim me shumicë dhe me pakicë të ujit të pijshëm, depozitimin dhe transportin e ujit të pijshëm dhe pijeve të tjera joalkoolike.

Një nga pistat e hetimit ishte ajo e hakmarrjes duke e lidhur atë me ekzekutimin e Aleksandër Sadikajt, 6 muaj para ekzekutimit të Papës, vrasje ende e pazbardhur. Pronar i një resorti me pistë hipizmi në Memaliaj, ishte nisur drejt qytetit të tij, por në aksin Tiranë-Elbasan, makina e tij, me targa AB077PO shpërtheu  në lëvizje e sipër nga një sasi tritoli. Bomba me celulare dyshohet se i është vendosur nga persona që kishin akses te makina.

Një tjetër pistë e dyshuar që u deklarua atëherë për vrasjen e Papës ishte dhe larja e hesapeve për një sasi prej 700 kg kanabis që solli edhe ekzekutimin e 2 shqiptarëve Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organaja në Athinë.

Ndërkohë zinxhiri i vrasjeve vijoi mbrëmjen e  9 gushtit 2023 kur  Andrea Kalemi, 51 vjeç, i afërm i Aleksandër Sadikajt, u qëllua me breshëri plumbash në ishullin Pax të Greqisë, ku ndodhej me pishime. 

Burime për gazetarin e Report Tv, Sokol Dema bënë me dije se, biznesmeni që njihet edhe me emrin Adriatik Kalemi, po lufton për jetën në spitalin e Janinës pas atentati të organizuar ndaj tij, autor i të cilit dyshohet se është një tjetër shqiptar. Policia greke dyshon se bëhet fjalë për një atentat për larje hesapesh dhe se atentatori shqiptar erdhi nga Italia për të kryer atentatin.

Zinxhiri i vrasjeve që dyshohet se lidhet ngushtësisht me prishjen e pazareve të drogës.


Lajmi kryesor:

Atentat në Greqi, Andrea Kalemi qëllohet me 10 plumba në sy të fëmijëve e gruas! Në gjendje kritike për jetën! I afërmi i Aleksandër Sadikajt, u përfshi në vrasjen e Edmond Papës


S.G/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?