Siguria e ndërtimeve, KLSH: Dështim total, mungon legjislacioni, specialistët dhe laboratorët

29 Nëntor 2019, 10:37| Përditesimi: 29 Nëntor 2019, 11:21

  • Share

Instituti i Ndërtimit, organi i vetëm përgjegjës në Shqipëri në fushën e ndërtimeve, ka dështuar për të garantuar sigurinë e objekteve ndërtimore, e cila lidhet ngushtë me sigurinë e qytetarëve. Mungon legjislacioni, stafi i kualifikuar, laboratorët e kolauduar etj. Ky është konkluzioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit, në një raport të vitit 2019, për sigurinë e veprave ndërtimore. Në një kohë kur tërmeti i së martës ka shkaktuar deri më tani 50 viktima, ka dëmtuar mbi 170 pallate dhe vepra publike, Kontrolli i Lartë i Shtetit thekon se cilësia e produkteve ndërtimore në Shqipëri nuk kontrollohet. Instituti i Ndërtimit është krijuar që në vitin 2004. Instituti ka për detyrë që kontrollojë produktet e ndërtimit në Shqipëri që lidhen me sigurinë e jetës si dhe të kryejnë veprimtari kërkimore shkencore, aplikative zhvillimore dhe projektuese në fushën e ndërtimit, si dhe kryejë veprimtari shkencore e teknologjike për të tretë të tilla si oponenca, ekspertiza, kurse kualifikimi, vlerësime konformiteti etj.

Por sipas raportit të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit “Veprimtaria e Institutit të Ndërtimit për të ndikuar në sigurimin e cilësisë në objektet ndërtimore nuk ka qenë efektive. Çështjet e sigurisë së cilësisë për veprat e ndërtimit duhet t’i besohet një institucioni kompetent dhe të garantohet me ligj, i cili do të ishte i domosdoshëm për ngritjen e këtij institucioni. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë duke mos u angazhuar në plotësimin e kuadrit ligjor mbi organizimin dhe funksionimin e Institutit të Ndërtimit, i cili prej 15 vjetësh funksionon në zbatim të Urdhrit të Ministrit të Punëve Publike nr. 225, datë 29.06.2014 “Për Krijimin e Institutit e Ndërtimit”, ka dështuar të plotësojë kuadrin ligjor që do të ndikonte në sigurimin e cilësisë së objekteve të ndërtimit, nëpërmjet kontrollit të cilësisë së produkteve dhe dhënies së oponencave teknike për objektet ndërtimore. Mungesa e një stafi të kompletuar teknikisht, rekrutimi i punonjësve jashtë profili dhe pa eksperiencën e domosdoshme, si dhe mungesa e një laboratori të paakredituar, ka sjellë dhënien e oponencave jocilësore dhe mungesën e kontrollit të produkteve ndërtimore, duke e kthyer këtë institucion në një zyrë të thjeshtë punësimi që siguron të ardhurat për vetëfinancim”.

Ndërkaq, në Institutin e Ndërtimit ka një sektor vetëm për inspektimin e produkteve të ndërtimit. Ky sektor drejtohet aktualisht nga Gramoz Dushku. Ky sektor ka për detyrë ligjor marrjen e mostrave të produkteve të ndërtimit për testim në laboratorët e Institutit të Ndërtimit, identifikimin dhe azhornimi i subjekteve prodhuese e shpërndarëse të produkteve të ndërtimit, evidentimin e problematikës teknike në zbatim të standardeve në fuqi për produktet e ndërtimit etj. Gjithashtu pranë këtij instituti është edhe sektorit i projekteve, i cili kryen veprimtari zhvillimore, studimore dhe projektuese në fushën e ndërtimeve. Gjithashtu ekziston edhe drejtoria e rregullave teknike, e cila kryen kryen oponenca teknike të projekteve të zbatimit për të gjitha objektet e ndërtimit  me vlerë të preventivuar mbi 100 milionë lekë, kryesisht për spitale, shkolla , godina industriale, ura dhe tunele, vepra arti, HEC-eve, linjave të tensionit të lartë, ujësjellsa, kanalizime, tubacione gazi, landfille etj. Pran këti organi është drejtoria e laboratorit. Laboratorët analizojnë dhe testojnë materialet e ndërtimit. Sipas KLSH laboratorët nuk janë të kolauduar.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?