Pas ngjarjes tragjike një vit më parë, ku një skaf goditi për vdekje 7-vjeçaren Jonada Avdia, qeveria pati premtuar kontrolle të rrepta për të gjithë drejtuesit e mjeteve të ujit në të gjithë vijën bregdetare. Me nisjen e sezonit turistik, policia kufitare ka vijuar me kontrollet dhe ka bllokuar 8 skafe dhe jet ski në Ksamil të Sarandës, në Durrës dhe në bregdetin e Shëngjinit në Lezhë.
Drejtuesit e 8 mjeteve lundruese janë ndëshkuar me masë administrative 10 000 lekë secili. Në Ksamil, Policia Kufitare ka bllokuar 4 mjete lundruese skaf dhe në plazhin e Durrësit është bllokuar një mjet lundrues argëtimi “Jet ski”. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë gjobitur për mungesë dokumentacioni.
Në Shëngjin ajnë bllokuar du jet ski, pasi drejtuesit e mjeteve lundruese janë konstatuar duke kryer manovra të rrezikshme në det, në afërsi të pushuesve. Policia u ka bllokuar mjetet, si edhe i ka gjobitur me 10 mijë lekë. Gjithashtu, gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë Kufitare në Shëngjin kanë bllokuar me afat njëjavor, një tjetër mjet lundrues argëtimi “Jet ski”, pasi nuk kishte dokumentacionin në bord. Gjatë kësaj jave, janë bllokuar edhe 7 mjete të tjera lundruese në kuadër të kontrolleve që po ushtrohen.
Kujtojmë se siguria gjatë sezonit turistik ka qenë në vëmendje, por kulmoi pas tragjedisë në brigjet e detit jon, ku humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdiaj. Ngjarja e rëndë ndodhi një vit më parë (2 gusht) në Plazhin e Potamit në Himarë, ku 7-vjeçarja Jonada Avdia, u godit për vdekje nga një skaf, teksa po lahej në det.