Siguria rrugore, Balluku e Çuçi prezantojnë makinat inteligjente që i shtohen flotës së Policisë së Shtetit

17 Qershor 2022, 14:03| Përditesimi: 17 Qershor 2022, 14:16

  • Share

Autoriteti Rrugor Shqiptar, përmes projektit “Mirëmbajtje dhe siguri rrugore bazuar në rezultate”, së bashku me Bankën Botërore, i kanë dhuruar Policisë së Shtetit 10 automjete të pajisura me sistemin e radarëve për monitorimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve të cilët konstatohen me shkelje.

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, së bashku me Ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, drejtorin e ARRSH, Evis Berberi dhe Drejtorin e Policisë së Shtetit, Gledis Nano inspektuan nga afër automjetet e reja dhe funksionimin e tyre.

Ministrja Balluku tha se në bashkëpunim me partnerët janë hedhur një sërë hapash në drejtim të rritjes së sigurisë rrugore, siç janë eliminimi i shumë pikave të zeza në akset rrugore të vendit, vendosja e sinjalistikës, fushatat sensibilizuese dhe ato edukuese, si dhe puna e policisë rrugore në terren kanë ulur numrin e aksidenteve.

Balluku u ndal gjithashtu tek një tjetër projekt i rëndësishëm që Qeveria Shqiptare ka për sigurinë rrugore dhe që është ai për ngritjen e qendrës së kontrollit të trafikut.

“Ne jemi në një rrugë të mirë përsa i përket realizimit të projektit të qendrës së trafikut, pra monitorimit të trafikut, dhe shpresojmë që brenda vitit tjetër e gjitha kjo do përmbyllet me sukses, duke mbuluar 200 kilometrat e para të autostradave që janë dhe 200 kilometrat kryesore dhe më të rëndësishme”, deklaroi Balluku.

Ministrja Balluku tha se bashkëpunimi i të gjitha institucioneve, si dhe mjetet e duhura, janë një element i rëndësishëm për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore. Në këtë pikë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur se duke nisur nga java e parë e muajit korrik, dy akse të reja rrugore do të jenë të hapura për qarkullimin e automjeteve, aksi Kardhiq-Delvinë dhe bypass-i i Vlorës, duke kërkuar bashkëpunimin e Policisë Rrugore për monitorimin e këtyre akseve, duke qenë rrugë të reja dhe disi të panjohura nga drejtuesit e automjeteve.

Ministri Çuçi duke u ndalur tek statistikat bëri të ditur se pavarësisht rritjes së ndjeshme të numrit të automjeteve që qarkullojnë në rrugët e vendit, numri i aksidenteve me pasoja fatale ka ardhur duke u ulur falë edhe masave të ndërmarra përmes monitorimit dhe ndëshkimit të drejtuesve të automjeteve të cilët shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Përmes këtyre 10 automjeteve të reja, shtoi ministri i Brendshëm, do të bëhet e mundur një monitorim akoma edhe më efikas i akseve rrugore.

“Është një hap tjetër drejt modernizimit, përdorimit të teknologjisë në rritjen e sigurisë rrugore që ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet e Qeverisë sonë. Ne kemi bërë shumë, mjafton t’ju sjell këtu vetëm disa statistika që vijnë nga aksidentet me pasojë vdekjen dhe po marr vetëm vitin 2018 dhe vitin 2021 duke u krahasuar me veten tonë, se nuk bëhet fjalë për 2013-ën, nuk diskutohet. Në 2018-ën ne kemi pasur rreth 570 mijë makina në qarkullim dhe kanë qenë 213 aksidente me pasojë vdekjen. Në 2021 kemi pasur rreth 740 mijë makina dhe kemi pasur 197 aksidente me pasojë vdekje. Pra indeksi i vdekshmërisë ka rënë ndjeshëm vetëm në këto vite. Kjo flotë pa diskutim që do ndikojë për ta rritur më shumë sigurinë rrugore. Ne vetëm me një automjet që pajisëm dhe e bëmë automjet inteligjent para 10 muajsh kemi pasur rezultate fantastike përsa i takon identifikimit të personave që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, kryesisht ato që lidhen me shpejtësinë dhe i ka gati dyfishuar gjobat për këtë qëllim”, deklaroi Çuçi.

Sistemi i radarit i montuar në automjetet e reja të cilat ju dorëzuan Policisë së Shtetit bëjnë të mundur dedektimin e automjeteve me shpejtësi të lartë duke dokumentuar shkeljen me foto. Kontrollon automjetin dhe dokumentacionin e drejtuesit duke konsultuar sistemet e të dhënave të policisë në kohë reale. Lexon të gjitha targat e automjeteve dhe i krahason me sistemin qendror të targave nëse këto targa janë problematike ose kanë shkelje të mëparshme.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Besmir: 19/06/2022 07:41

    Po mire po si nuk investuat njehere per sensibilizimin e shofereve por vetem NDESHKIM NDESHKIM NDESHKIM. Vetem ketu te kap polici ke dera e shtepise sa del nga garazhdi ne rrugice lagje per telefon duke e vene telefonin ne kroskot pse e mban ne dore. Po mire more ky polic nuk mund te keshilloje njehere se ne lagje je. Polici kishte dale per gjoba parkingu. Direk gjobe 5000 lek. Dale more nga dalin keto leke ku do i gjeje do vjedhe do grabise ca do beje ? Per kete duhet sensibilizim jo vetem NDESHKIM si ne vitet e Xhaxhit gabimi me i vogel NDESHKIM

    Përgjigju
  • SHYQYRIU: 18/06/2022 07:13

    SHYQYR, TANI DO KEMI ME SHUME LEK PER POLICINE.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?