Bizneset amerikane kanë rezerva për projektligjin “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet”. Në analizën që ata i kanë bërë këtij projektligji për të cilin tashmë është mbyllur edhe Konsultimi Publik Dhoma Amerikane e Tregtisë edhe pse e vlerëson si nismë pozitive ka ngritur 6 probleme që mbart ky projektligj.
Dhoma Amerikane ka rezerva për bllokimin e shërbimeve kadastrale, atyre në e-Albania apo në QKB.
Po ashtu evidentohet si problem edhe kompetencat e shumta që do të ketë Ministria e Financave, që sipas Dhomës Amerikane mund të ngrenë dyshime mbi pavarësinë e Fondit Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet' që do të ngrihet në funksion të kësaj nisme.
Detyrimin për lidhjen e kontratës së sigurimit nga tërmetet e kanë edhe subjektet e banesave sociale me qira, banesat në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilët financojnë primin e sigurimit nga buxheti i tyre. Ndërsa Buxheti i shtetit financon primin e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet për shtresat sociale në nevojë.
REAGIMI I PLOTË I DHOMËS AMERIKANE TË TREGTISË:
Ky projektligj është një hap i rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë së qytetarëve dhe menaxhimit të riskut nga fatkeqësitë natyrore. Megjithatë, natyra e tij detyruese dhe ndërveprimi me kuadrin ekzistues ligjor ngre disa çështje që kërkojnë saktësim dhe përmirësim.
1. Fusha e zbatimit dhe përkufizimet
Projektligji përkufizon banesat dhe seksionet e brendshme, por lë paqartësi për ndërtesat me përdorim të përzier ose për strukturat që janë vetëm pjesërisht rezidenciale. Këto raste mund të sjellin interpretime të ndryshme dhe mosmarrëveshje gjatë zbatimit. Po ashtu, përkufizimi i “ngjarjes së tërmetit” lidhet me magnitudën mbi 5.0, por nuk specifikohet procesi për njohjen dhe shpalljen zyrtare të saj nga autoritetet, duke krijuar hapësirë për kontestim.
2. Natyra detyruese dhe proporcionaliteti
Projektligji e lidh sigurimin e detyrueshëm me aksesin në shërbime të rëndësishme (kadastra, e-Albania, QKB). Edhe pse ky është një stimul i fortë për respektimin e ligjit, refuzimi i shërbimeve bazë për personat që nuk janë në përputhje mund të cenojë parimin e proporcionalitetit, veçanërisht për shtresat vulnerabël. Nevojitet parashikimi i përjashtimeve ose lehtësive për kategori të caktuara të popullsisë.
3. Qeverisja dhe pavarësia institucionale
Krijimi i Fondit për Tërmetet si shoqëri aksionare publike është një qasje pozitive, por ligji i jep Ministrisë së Financave kompetenca të gjera mbi emërimet dhe mbikëqyrjen, duke ngritur dyshime mbi pavarësinë e vërtetë të Fondit. Kriteret për anëtarët e bordit janë të përcaktuara, por do të ishte e nevojshme të shtohen dispozita më të detajuara mbi konfliktin e interesit, transparencën, publikimin e raporteve dhe auditimeve periodike.
4. Procesi i pretendimeve dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve
Projektligji parashikon një afat tre mujor për pagesën e pretendimeve, por nuk sqaron procedurat në rast refuzimi apo vonese. Gjithashtu, ankimi para komisionit ad-hoc nuk është i detajuar për nga përbërja dhe kompetencat. Një kuadër më i plotë mbi mekanizmat e ankimimit dhe përfshirja e zgjidhjeve alternative si ndërmjetësimi ose arbitrazhi do të siguronte më shumë besim dhe efikasitet.
5. Mbrojtja e të dhënave personale
Projektligji parashikon krijimin e një regjistri të sigurimit dhe shkëmbim të të dhënave ndërmjet institucioneve, por nuk referon në mënyrë të qartë përputhshmërinë me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Pa saktësime të tilla, ekziston rreziku i kontestimeve ligjore për privatësinë dhe të drejtat e qytetarëve.
6. Marrëdhënia me sigurimin privat
Projektligji trajton sigurimin e detyrueshëm dhe atë vullnetar, por koordinimi mes tyre dhe renditja e pagesave nuk është i detajuar. Për të shmangur mbivendosje dhe kontestime, nevojiten rregulla të qarta mbi trajtimin e pretendimeve dhe të drejtën e subrogimit.
Komente
