Dy vitet e fundit risollën në vëmendjen e të gjithëve brishtësinë e jetës dhe pasigurinë e së nesërmes. Në mesin e pandemisë së shkaktuar nga virusi COVID-19, shumë prej nesh na u desh t’i themi lamtumirë një njeriu të dashur, i cili, jo në pak raste, iku, si themi ne, “në kulmin e jetës së tij.”
Të gjendur përballë ngjarjeve tronditëse të së përditshmes së këtyre dy viteve të fundit, shumë individë filluan të ndërgjegjësohen për rëndësinë e sigurimit, ku veç sigurimit privat të shëndetit, interesi u drejtua po aq edhe te sigurimi i jetës. Tashmë e kemi të qartë, për ne është shumë më e thjeshtë të sigurojmë pronën apo makinën; fundja janë tonat, janë diçka konkrete pa të cilat nuk bëjmë dot; por në realitete covidiane, vëmendja, padyshim, spostohet drejt shëndetit dhe jetës, tonën dhe të të dashurve tanë!
Shoqëria SiCRED, prej më tepër se 10 vjetësh, ofron plane private të sigurimit të shëndetit, të cilat ofrojnë mbulim të shpenzimeve mjekësore për sëmundje dhe aksidente, në spitale e klinika në Shqipëri e në mbarë botën.
Gjatë vitit 2021 e drejtuam vëmendjen tonë te nevoja për të krijuar produkte të sigurimit të jetës më të prekshme dhe më të arritshme nga çdo konsumator. Ndaj sot, jemi të lumtur të prezantojmë produktin “Sigurimi Jetë Evolutive”, një sigurim jete individual, i përshtatshëm për të gjithë, me procedurat më të thjeshta që gjeni sot në treg, me Shumë Sigurimi deri në 10,000,000 EUR dhe afat sigurimi deri në moshën 70 vjeçare.
Përse ky produkt sigurimi jete është i domosdoshëm?
Sigurimi i jetës është një nga gjetjet më të mrekullueshme të njerëzimit. Është i vetmi instrument që qindarkat i kthen në miliona para, duke i ofruar ato atëherë kur nevojiten më tepër. Sigurimi i jetës është nga të paktat gjëra që individi nuk e blen për vete, por për personat që ai ka më të shtrenjtë.
Çdo vit në Shqipëri humbasin jetën mesatarisht 2500 individë të grupmoshës 30-55 vjeç. Përballë kësaj statistike, në mendje të vijnë fëmijët e mbetur jetim apo persona të tjerë që varen ekonomikisht prej këtyre njerëzve. Si do e përballojnë ata tashmë jetesën? Me ç’mjete monetare do të ushqehen, vishen, shkollohen?
Në biseda të zakonshme mes miqsh, si sigurues dëgjoj shpesh pyetjen: “Sa kushton një sigurim jete?”. Të gjithë priren të pyesin për çmimin pa u ndalur fillimisht të pyesin: “Sa më duhet një sigurim jete dhe përse?” e më pas të merren me aspektin e tij ekonomik. Nëse fillimisht analizon nevojën për sigurim pa u fokusuar te çmimi, kupton që sa më e madhe të jetë nevoja për një policë sigurimi jete, aq më e lirë do të të rezultojë, pavarësisht kostos së saj reale. Në fund të fundit, paratë nuk paguhen në këmbim të vlerës reale të sendit, por të nevojës që kemi për të.
Sa duhet të jetë Shuma e Sigurimit?
Në thelb, një policë sigurimi jete është jeta ekonomike e humbur e një individi. Por jeta e një individi nuk çmohet në para. Atëherë si ta kuptojmë këtë? Shuma e sigurimit është përfitimi që pasardhësit e të siguruarit përfitojnë në rast të ndarjes nga jeta të të siguruarit gjatë kohës që polica e sigurimit është në fuqi. Shuma e sigurimit në policën e Sigurimit Jetë Evolutive është e paracaktuar. Ndaj, kur zgjedh shumën e sigurimit, individi duhet të bëjë disa llogari me qëllim që të ketë një policë sigurimi jete me një shumë sigurimi të përshtatshme për nevojat e tij.
Rregulli më i thjeshtë praktik është që një policë sigurimi Jete Evolutive të ketë një shumë sigurimi sa të ardhurat që individi do të gjeneronte nga puna e tij për 10 vitet e ardhshme. Pra, nëse të ardhurat mujore të individit që dëshiron të sigurohet janë rreth 80,000 lekë, një policë sigurimi jete e përshtatshme do të kishte shumë sigurimi 9,600,000 lekë.
Megjithatë, kur caktohet shuma e sigurimit, duhen analizuar detyrimet që lë pa përmbushur individi nga një ndarje e parakohshme e jetës, duke patur parasysh si më poshtë:
A ka detyrime financiare/borxhe që paguan? A ka kredi nëpër institucione financiare që i ka të pambuluara me sigurim jete?
Sa para i nevojiten familjes për të përballuar jetesën? Personat më vulnerabël janë fëmijët e mitur që individi lë pas, apo pasjetues të tjerë me aftësi të kufizuara që varen ekonomikisht nga ai.
Çfarë nevojash kanë fëmijët për edukim? Sa kushton çdo vit shkollimi i tyre?
Çfarë mjetesh të tjera ka në dispozicion familja? Duhen konsideruar këtu kursimet familjare, pensioni që do të merrnin familjarët nëse individi ndahet nga jeta etj.
Përpara vendimit për blerjen e policës Jetë Evolutive, rekomandohet të flitet më një specialist të shoqërisë së sigurimit apo me një agjent/broker, të cilët ofrojnë, pa pagesë, këshillim financiar për individin e interesuar.
Për sa kohë mund të sigurohem?
Sigurimi i jetës është një kontratë më afat të paracaktuar. Sigurimi bëhet një domosdoshmëri për aq kohë sa një individ ka persona që varen ekonomikisht prej tij.
Sigurimi Jetë Evolutive është një policë sigurimi, e cila mund të zgjasë deri në moshën 70 vjeçare.
Çfarë ka të veçantë kjo policë?
Policën mund ta blejë kushdo me moshë nga 18 deri në 67 vjeç.
Sigurimi bëhet vetëm duke plotësuar një formular të thjeshtë.
Nuk ka nevojë për analiza mjekësore, pavarësisht moshës suaj, gjendjes shëndetësore apo shumës së sigurimit.
Aprovimi i policës bëhet brenda 24 orëve.
Ofrohet pagesë me këste vjetore e primit, në disa opsione.
Primi i sigurimit varet nga:
Mosha,
Gjinia,
Shuma e Sigurimit,
Afati i Sigurimit.
Polica e sigurimit ofrohet me këste fikse vjetore për një kohëzgjatje të parazgjedhur nga i siguruari (për shembull për 10, 20, 25 vjet, apo për të gjithë kohëzgjatjen e policës).
Për shembull:
Një mashkull 35 vjeçar vendos të blejë një policë sigurimi jete me shumë sigurimi 10,000,000 Lekë, deri sa ai të mbushë 70 vjeç.
Në varësi të periudhës së sigurimit që zgjedh individi, do të përllogaritet dhe primi i sigurimit. Në rast se personi mendon të zgjedhë ndërmjet tre periudhave të ndryshme të sigurimit: 10, 20 apo 25 vjet, atëherë primi vjetor do të ishte:
Prim i barabartë 10 vitet e para: 23,500 Leke/vit
Prim i barabartë 20 vitet e para: 38,000 Leke/vit
Prim i barabartë 25 vite: 48,000 Leke/vit
Mbas periudhës së primit fiks, personi mund të vendosë ta mbajë në fuqi policën edhe për vitet në vijim derisa ai të mbushë 70 vjeç, duke paguar çdo vit primin. Primi do të llogaritet çdo vit me tarifat normale të sigurimit. Sa më shumë të kalojnë vitet, aq më shpejt rritet primi krahasuar me një vit më parë për shkak të rritjes së moshës. Ndaj, përsa është e mundur financiarisht nga i siguruari, sugjerohet një policë sigurimi Jetë Evolutive me këste të barabarta vjetore për të gjithë kohëzgjatjen e policës derisa i siguruari të mbushë 70 vjeç. Në këtë mënyrë individi ka një kosto fikse çdo vit për policën e sigurimit të jetës dhe nuk ka përse të shqetësohet në të ardhmen për ndryshimin e çmimit të saj.
Kush duhet të sigurohet?
Për një person që mbështet ekonomikisht veten dhe familjen nga paga e tij mujore, sigurimi i jetës është një domosdoshmëri. Nëse jeni të martuar, këshilla më e mirë është të sigurohen të dy bashkëshortët. Ndarja nga jeta e çdonjërit do të dëmtonte financiarisht familjen, pavarësisht se sa të ardhura mujore merr secili. Madje, edhe në rast se njëri prej bashkëshortëve është shtëpiak, sërish ai kualifikohet për sigurim. Edhe pse i papaguar, kujdesi për ekonominë shtëpiake dhe kujdesi për fëmijët në shtëpi ka një kosto.
Shpesh njerëzit mendojnë që sigurimet kushtojnë dhe ato janë për të pasurit. E vërteta është që sigurimi është i nevojshëm për çdo person, pavarësisht se në cilën shtresë ekonomike klasifikohet. Sigurimi i përgjigjet nevojave të ndryshme që ka individi. Sigurimi i jetës është po ashtu një domosdoshmëri për biznesin privat familjar, aktiviteti i të cilit është i lidhur ngushtësisht me vetë individin dhe humbja e jetës së tij do të ndikonte ndjeshëm ecurinë e sipërmarrjes, e për pasojë familjen. Sigurimi i jetës është gjithashtu një mjet i fuqishëm për diversifikimin dhe miradministrimin e pasurisë së individit, duke plotësuar boshllëqet financiare që mund të krijohen nga një ndarje e parakohshme nga jeta.
Me sigurimin Jetë Evolutive, kemi besimin që kemi hapur një derë të re e të shumëpritur në tregun e sigurimit të jetës në Shqipëri në përmbushjen e nevojave të konsumtarorit shqiptar për sigurim jete.