“Le ta lëmë çdo ditë të flasë zhaba, hardhuca, bretkosa. Lëreni në botën e tij”
Me këtë deklaratë Sali Berisha e shmangu një koment mbi deklaratat e kryeministrit Edi Rama që ironizonte kompozimin e koalicionit opozitar “PD Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, që ka bërë bashkë në ombrellën e vet çamët e grekët, parti anonime konservatorësh e ballistësh por edhe aleatët e vjetër.
Këtyre të fundit, veçanërisht aleatit të ditëve të vështira Ilir Metës, Sali Berisha po i kthen borxhet, pasi kreut të Partisë së Lirisë, ndonëse në pamundësi për të bërë vetë fushatë, po i plotëson listën e dëshirave.
Nga Burgu, Meta i ka kërkuar demokratëve të mos jetë në listat e Tiranës, por në Fier.
“Ai do të jetë në parlament dhe do të jetë fitimtar. Ilir Meta do të jetë, sot ish-presidenti, ish-kryeministri, ish-kryetari i parlamentit, i burgosur politik, do të jetë në lista të sigurta të PD dhe koalicionit, mbi votat dhe rezultatin elektoral të Partisë së Lirisë”, thoshte Berisha.
Me zhvendosjen e Metës në Fier, ky i fundit ka kërkuar që Edmond Haxhinasto të jetë kandidat në Qarkun e Elbasanit dhe 2 emrat e tjerë, nga 4 në total që nga PL futen në listat e mbyllura sipas marrëveshjes së koalicionit, ish presidenti i lë në Tiranë: Tedi Blushin dhe Erisa Xhixhon, duke siguruar 2 mandate në qarkun më të madh të vendit.
Bashkë me 2 përfaqësuesit e Partisë së Lirisë në Tiranë pritet të jenë edhe 2 aleatë të tjerë, Fatmir Mediu dhe Shpëtim Idrizi duke zënë jo pak, por 1 të tretën e listës së mbyllur e cila i çon pa votim preferencial në parlament kandidatët për deputetë.
Ndonëse lista zyrtare pritet të vuloset mesnatën e 12 marsit, kur edhe skadon afati për dorëzimin e saj në KQZ, edhe vetë Berisha me gjasë do të jetë në listën e Tiranës bashkë me të besuarit e tij: 2 drejtuesit e fushatës Flamur Nokën e Edi Palokën, drejtuesin politik për Tiranën Belind Këlliçin, drejtuesen e forumit të gruas Albana Vokshin, kreun e të rinjve demokratë Besart Xhaferrin si dhe drejtuesen e fushatës në diasporë Jozefina Topallin.
Me këtë renditje të mundshme, shanset që më të votuarit e primareve të kenë po ashtu një vend në 12-tëshen e sigurt, duke ruajtur edhe kuotën gjinore, janë gjithnjë e më të pakta.
Komente
