Simbole të Wagner-it në Beograd

Simbole të Wagner-it shihen në protestën e djathtistëve në Beograd

17 Mars 2023, 21:25| Përditesimi: 17 Mars 2023, 21:28

  • Share

Nën sloganin “Jo kapitullimit” dhe thirrjeve “Kosova është Serbi”, në Beograd të Serbisë më 17 mars u mbajt protesta kundër propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Një grup personash të maskuar, disa prej të cilëve kishin të veshura rroba me simbole të formacionit paramilitar rus, Wagner, mbajtën një mbishkrim ku thuhej: “Populli dhe kisha në mbrojtje të shtetit, kundër tradhtisë, kjo është zgjidhja e vetme”.

Protesta u mbajt një ditë para se kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për të diskutuar për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve. Disa mijëra persona, me ftesë të partive parlamentare të krahut të djathtë, u mblodhën para Kishës Shën Sava, prej ku vazhduan marshin drejt Presidencës së Serbisë.

Protestuesit brohoritën slogane të ndryshme sikurse “Ne nuk do ta japim Kosovën, “Kosova është Serbi” teksa folësit iu adresuan turmës para monumentit të Carit rus Nikolla II, që gjendet përballë ndërtesës së Presidencës serbe. Protestuesit po ashtu brohoritën “Serbia, Rusia, nuk na duhet blloku evropian” dhe “Serbia, Rusia”.

Protesta u thirr nga partitë djathtiste parlamentare, Dverni, Zavetnici dhe koalicioni NADA. Protestuesit valëvitën flamuj të Serbisë dhe brohoritën slogane kundër Bashkimit Evropian dhe thanë se “Asociacioni i komunave me shumicë serbe është farsë”. Ata po ashtu kënduan këtë nacionaliste lidhur me Kosovën. Kërkesa kryesore e protestuesve ishte refuzimi i propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Sot, ne kemi një mesazh të vetëm, për të mbrojtur atdheun, pa simbole partiake, të gjithë janë të mirëseardhur”, tha Milica Gjurgjeviq-Stamenkovsi, kryetare e partisë djathtiste Zavetnici. Protestuesit po ashtu kanë kërkuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të japë dorëheqje dhe të mbahen zgjedhje në të gjitha nivelet e pushtetit. Grupet parlamentare të krahut të djathtë kanë 34 nga 250 ulëse në Parlamentin serb.

Përfaqësuesit e këtyre partive kanë argumentuar se propozimi evropian është ultimatum që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Këto parti po ashtu kanë raporte të ngushta me Rusinë dhe muajt e fundit, përfaqësuesit e partive djathtiste kanë vizituar Moskën. Propozimi evropian, që Kosova dhe Serbia e pranuan më 27 shkurt, shihet si një marrëveshje e përkohshme e cila do të çojë në atë përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse nuk e parasheh njohjen reciproke, diplomatët perëndimorë thonë se është marrëveshja më e mirë që aktualisht mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.

Propozimi përfshin zotimin e palëve për t'i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese. Serbia insiston që Prishtina të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërkaq Kosova kërkon që marrëveshja përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian e ndërmjetëson këtë proces, ndërkaq Shtetet e Bashkuara, ndonëse nuk janë palë e dialogut, e mbështesin atë./REL

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?