Historia e botës, por edhe e Shqipërisë, njeh plot raste të doktorave që i janë futur politikës. Kush më pak e kush më tepër, secili me mënyrën dhe takatin e vet, doktorat e politikës e kanë pasuruar politikën, ligjbërjen, pushtetbërjen dhe, në përgjithësi, begatuar shoqërinë, me frymë besimi, mirëkuptimi, paqeje, humanizmi.
I vetmi doktor në politikë i historisë së botës që nuk i ka as në karakter as e ushtron në përditshmëri, madje as në mendje e ka humanizmin dhe mirëkuptimin, por vetëm sherrin, konfliktin, destruktivitetin, është ai që ja marrshim të ligat e ju bëfshim kurban, Doktori ynë që prej dhjetra vitesh e mbajmë mbi kurriz, pa samar, me qefin më të madh.
Zanatin e shkatërrimtarit, përçarësit, zjarrvënësit, Doktori ynë e ushtron me aq ngulm, pasion, devocion, sa të mahnit.
Retorika e Doktorit tonë është kryekrejt retorika e një sherrxhiu, përçarësi dhe ngatërrestari të pa përtuar nga mëngjesi në mbrëmje dhe nga mbrëmja në mëngjes me një insistim dhe vullnet diabolik të paparë e të padëgjuar.
S’ka muhabet tjerër ky lanet? Për kulturën, për shembull, apo historinë, artin etj., por vetëm kush vodhi, kush vrau, kush përdhunoi, me kë bashkëpunoi, cili u hakmor, cili u burgos, cili duhet burgosur? E dëgjon dhe thua me vete: Ku jam, në një kioske periferie ku rrugeçërit qërojnë hesapet me njëri-tjetin, në çmendinë apo ku ndajnë paratë hajdutërit ?
Ditë e natë i njëjti avaz, i njëjti fyell, e njëjta vrimë.
Me tallavanë kakofonike të Doktorit, pakngapak shqiptarët janë mësuar, sikur s'po u bie dhe aq fort në sy e në veshë.
Por përfytyro pak, të lutem, një nga miliarda banorët e planetit tokë, njërin që është i shkolluar, ushtron një çfarëdo profesion, normal, po deshe dhe mesatar, në çdo pikëpamje, që nuk e njeh Shqipërinë. është më se e mundur të ekziatojë, jo 1, por mijëra të tillë. dhe, një ditë të bukur behari si këto që po kalojmë, këtij njeriu i bie fati, ose fatkeqësia, të dëgjojë Doktorin tonë në një nga këto daljet e mesditës me gjeste, bërtitje, kërcënime, për dreqin e të birin.
Do gjente dikend t’ja përkthente përçartjen publike dhe do vinte duart në kokë, do çmendej. do thoshte me vete ç'ka bërë vaki. Si s’e paskam njohur më përpara këtë të lojtur. Kur të zbulojë, pastaj, se nuk është polic, gardian burgu, apo rrugaç periferie, por hiç mëpak se kryetar i opozitës, naivi i hamendësuar, por më se i mundur i shembullit tonë, s'është çudi të vrasi veten.
Allan Pinkertoni i para dy shekujve, nami i të cilit ka arritur deri në skutat tona, ishte një detektiv amerikan, një spiun, i pari i tillë i kohëve moderne, ai që spiunllëkun e institucionalizoi, ishte filizi apo pionieri i FBI dhe CIA.
Pinkertoni shkruante dhe nuk llapte. Doktori në fjalë nuk shkruan, por vetëm flet. Më tepër se ngjajnë, janë spiuna komplementarë, që është grada më e lartë e ngjajshmërisë.
Doktori ynë spiun dhe llafazan, Allan Pinkertonit, jo vetëm i ngjan, por talentin spiunuas të investigatorit Pinkerton e ka ngjitur tepër lart. Deri atje ku Pinkertonit nuk do i kishte vajtur mendja.
Ndërkohë që Sali Pinkertoni, alias Sali Investigatori, Sali Komisari, Sali Polici, s’bën gjë tjetër veçse fantazon skema dhe strategjira me hajdutë, banditë, mafiozë, me data, me orë, me minuta, me emra e mbiemra, që vrasin e presin, ikin e vijnë, hyjnë e dalin nëpër burgje etj., etj., për çudi, sa më të sakta i ka investigimet, aq më e vogël katandiset Partia Demokratike nën drejtimin e tij dhe aq më tepër i largohet pushtetit.
Komente
