Grupi i Partive Popullore Europiane (PPE) që është simotra e PD-së në Shqipëri ka reaguar për marrëveshjen politikë për reformën zgjedhore. “Grupi i PPE mirëpret marrëveshjen politike për reformën zgjedhore të arritur në Shqipëri. Ne këmbëngulim që kjo reformë duhet të përmbyllet dhe zbatohet para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe lokale", deklaruan eurodeputetët Andrey Kovatchev, nënkryetari i Grupit të PPE-së, dhe Michael Gahler, zëdhënësi i Grupit të PPE-së për Punët e Jashtme.
"Zgjedhjet duhet të jenë të lira dhe të ndershme. Kjo është thelbësore për demokracinë në Shqipëri dhe në të njëjtën kohë plotëson dy kushte për fillimin e negociatave të pranimit në BE", tha Kovatchev.
"Si një kusht tjetër për të filluar negociatat e pranimit, Këshilli Evropian në Mars kërkoi që Shqipëria të sqarojë ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019. Fakti që bashkitë në Shqipëri drejtohen nga një palë e vetme e vendos atë në kundërshtim me nocionin themelor të një demokracie pluraliste. Legjislacioni që kërcënon lirinë e shprehjes duhet të shfuqizohet dhe procesi penal duhet të fillohet për akuzat e blerjes së votave në zgjedhjet e kaluara", shtoi Kovatçev.
"Grupi PPE vazhdon të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE. Prandaj ne vlerësojmë marrëveshjen midis qeverisë dhe partive opozitare në Shqipëri për një pjesë të rëndësishme të reformës së ligjit zgjedhor, siç rekomandohet nga BE dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Nëse përfundohet në këtë frymë dhe zbatohet me mirëbesim para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe lokale, ajo do të çojë Shqipërinë një hap më tej në rrugën evropiane ”, theksoi Gahler.
"Ka 15 kushte që Shqipëria duhet të përmbushë për të filluar negociatat e pranimit. Përmbushja e tyre nuk është vetëm një veprim procedural, por do t’i shërbejë para së gjithash shqiptarëve. Ne do të vazhdojmë t'u bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të plotësojnë të gjitha 15 kushtet dhe do të monitorojmë nga afër zhvillimet ", përfunduan Kovatçev dhe Gahler.