Foto ilustruese

SIPRI: Më shumë armë bërthamore operacionale

18 Qershor, 13:49| Përditesimi: 18 Qershor, 13:52

  • Share

Sa më e tensionuar të jetë situata në botë, aq më të rëndësishme bëhen armët bërthamore, thuhet në raportin e Institutit SIPRI. Megjithatë, analisti Dan Smith llogariti se numri i kokave bërthamore është zvogëluar në përgjithësi. Mirëpo, siç thotë ai, kjo është thjesht për faktin se grumbulli i armëve të vjetra është duke u çmontuar.

Ai thotë se e sheh me shqetësim numrin e armëve bërthamore të gatshme për përdorim. Rreth 2100 armë të tilla, siç thotë ai, janë në gatishmëri të lartë operacionale. Numri i armëve që janë vërtet në dispozicion është rritur pak së fundmi, thotë ai. "Ky është një zhvillim relativisht i ri në dy deri në tre vitet e fundit. E kjo tendencë ka vazhduar në vitin 2023," tha Smith.

SHBA, Rusia dhe Kina në fokus

SHBA dhe Rusia zotërojnë shumicën dërmuese të këtyre armëve të gatshme për përdorim. E reja është që edhe Kina mban koka bërthamore në gatishmëri të lartë operacionale në kohë paqeje. Në përgjithësi, Kina është vendi me rritjen më të shpejtë të sasisë së këtyre armëve.

Ka disa arsye për këtë: Kina dëshiron të arrijë statusin e fuqisë së madhe - që përfshin edhe armët bërthamore. Pastaj Kina përgatitet për kërcënime dhe skenarë të ndryshëm. Ajo dëshiron të jetë gati për çdo rast dhe për këtë arsye shton numrin e këtyre armëve. E ajo dëshiron të përgatitet edhe për ndonjë sulm të mundshëm të papritur në të cilin armët e saj mund të shkatërrohen.

Nëntë vende kanë armë bërthamore

Bumi ekonomik i Kinës është arsyeja pse vendi ka rritur vazhdimisht shpenzimet ushtarake për gati 30 vjet, thotë ai. Gjithsej nëntë vende kanë armë bërthamore: SHBA dhe Rusia janë liderë, të ndjekur nga Britania e Madhe, Franca, Kina, India, Pakistani, Koreja e Veriut dhe Izraeli.

Analisti i SIPRI Smith beson se të gjitha vendet do të vazhdojnë të modernizojnë rezervat e tyre. "Bëhet fjalë për armë më të sakta, me më shumë rreze ose më shumë koka luftarake për raketë," thotë Smith.

Britania e Madhe ka porositur një gjeneratë të re nëndetësesh pasi më parë kishte porositur edhe raketa të reja. "Ky është një proces i vazhdueshëm, aksionet nuk ndalen kurrë”, thotë analisti.

SIPRI u bën thirrje vendeve të bashkëpunojnë

Smith beson se ka shumë pak gjasa që të përdoren armë bërthamore. Megjithatë, rreziku duhet marrë seriozisht, sepse efektet do të ishin më se katastrofike. Ndërsa bota, thotë ai, aktualisht është në një krizë të shumëfishtë - kjo kërkon bashkëpunim midis vendeve.

"Ne duhet të bashkëpunojmë edhe në fusha të tjera: për ndryshimin e klimës ose përgatitjen për pandeminë e ardhshme, për tregtinë globale ose frenimin e krimit ndërkombëtar. Të gjitha këto gjëra kërkojnë bashkëpunim ndërkombëtar”, thotë Smith.

Instituti i Kërkimeve të Paqes në Stokholm SIPRI është një institucion i pavarur që publikon raporte vjetore, për shembull, mbi tregtinë e armëve, industrinë e armëve dhe shpenzimet ushtarake. SIPRI financohet kryesisht nga qeveria suedeze.DW

Xh.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?