Kriza në Siri, Turqia sulmon me dronë, 19 të vdekur. Ishulli grek Lesbos, banorët dhe roja bregdetare zmbrapsin gomonet dhe sulmojnë gazetarët (FOTO)

2 Mars 2020, 09:57| Përditesimi: 2 Mars 2020, 17:31

  • Share

Dronë ushtarakë turq kanë goditur forcat ushtarake të Damaskut në Idlib, në verilindje të Sirisë duke shkaktuar 19 viktima.

Për Ankaranë, kjo është një përballje dhe një mënyrë për t’i treguar Asadit dhe Rusisë se Turqia ka mjete të përparuara teknologjikisht për të vazhduar luftën e cila është në vazhdën e hakmarrjes pas vrasjes së mbi 30 ushtarëve turq disa ditë më parë

Ndërkohë qindra mijëra refugjatë, ndoshta 80 000, kanë braktisur qytetin sirian të Idlib, objektiv i Damaskut, për të shpëtuar veten nga bombat e Asadit, dhe i janë drejtuar kufirit turk ku Ankaraja zyrtare ka hapur dyert dhe lejon kalimin për në Europë.

Përballë kësaj situate, tani Bashkimi Europia do duhet të kontrollojë dyndjen e tyre në kontinent ndërsa Greqia dje, sipas raportimeve, ka mundur të ndalojë vërshimin e rreth 15 mijë prej tyre. Gjithsesi refugjatët e luftës po gjejnë rrugë alternative, si përmes Bullgarisë, për tu futur në Europë.

Kryeministri bullgar ka udhëtuar sot për në Turqi ku do të takohet me presidentin Erdogan për të diskutuar për krizën.

Në ishullin e Lesbos, në Greqi një grup banorësh të ishullit kanë arritur të zmbrapsin disa gomone mbushur me emigrantë si dhe kanë sulmuar gazetarët që transmetonin lajmin.

Në katër gomet ndodheshin mbi 200 migrantë. Ata arritën të zbarkonin këtë mëngjes në ishullin grek pasi Turqia hapi kufijtë e saj me Europën. Siç dëshmojnë disa gazetarë në rrjetet sociale, banorët e ishullit, nga bankat e portit, pasi u kanë bërë thirrje të mos preknin tokën greke i kanë sulmuar duke përdorur dhunë.

Ora 17:27
Turqia akuzon rojen bregdetare greke se ka qëlluar me armë në përpjekje për të fundosur gomonen me refugjatë (VIDEO+FOTO)

Turqia akuzon rojen bregdetare greke se ka qëlluar me armë në përpjekje për të fundosur varkën me refugjatë e cila ishte nisur nga brigjet turke të Bodrum, me destinacion kontinentin europian.

Sipas burimeve në presidencën e Ankarasë dhe sipas asaj që tregojnë këto fotografi të shpërndara nga qeveria turke, rojet greke kanë qëlluar edhe disa të shtëna paralajmëruese dhe kanë goditur shkopinj gomonen dhe refugjatët, të cilët më pas, sipas Ankarasë qyrtare, u shpëtuan nga Rojet Bregdetare Turke.

Autoritetet e Athinës kanë vendosur të forcojnë kontrollet në kufijtë detarë dhe tokësorë pasi Ankaraja ka vendosur të lejojë migrantët të udhëtojnë në vendet e BE.

Nga ana e tyre, në këtë luftë propagandistike, autoritetet greke kanë thënë se kanë qenë ata që kanë shpëtuar nga mbytje disa dhjetra njerëz që ndodheshin në gomone.

Ora 15:19
Kriza në Siri, Ankaraja: Më shumë se 80 mijë emigrantë kanë kaluar kufirin për në Europë

Zëdhënësi i presidencës turke, Fahrettin Altun tha sot se deri tani 80.888 refugjatë sirianë kanë kaluar kufirin e BE-së kurse Ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu, foli për 76.358 migrantë që kishin kaluar tashmë kufirin përmes krahinës së Edirnes për të hyrë në Europë.

Kriza humanitare në Siri, kryesisht në krahinën verilindore të Idlib është shkaktuar nga sulmet e fundit ajrore të trupave të Damaskut të cilat kanë detyruar mijëra njerëz të braktisin tokat e tyre dhe për të shpëtuar jetën janë drejtuar në kufirin turk.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan deri tani i mbante kufijtë të mbyllur edhe për shkak të marrëveshjes me vendet e unionit dhe financimit të marrë prej BE por pas vrasjes së rreth 35 ushtarëve turq dy ditë më parë dhe indiferencës në vendimmarrje të faktorëve ndërkombëtarë, ai i ka hequr ‘tapën’ rrymës së refugjatëve të cilët prej tre ditësh janë dyndur drejt kontinentit të vjetër. Greqia e gjendur e para që pret vërshimin e madh, prej dy ditësh po përpiqet të ndalojë shpërthimin e valës dhe ka njoftuar se ka arritur të kthejë mbrapsht rreth 10 000 prej refugjatëve të luftës.

Ora 12:25
Greqi, përmbyset varka me refugjatë sirianë, vdes fëmija në ishullin Lesbos, 46 shpëtohen nga Roja Bregdetare

Një fëmijë vdiq ndërsa u përpoq të zbarkonte bashkë me një grup refugjatësh lufte në Mitilini (ishulli grek i Lesbos).

Sipas uebfaqes Cnn.gr, varka u përmbys kur pranë sa u afrua një njësi greke e Rojes Bregdetare. Sipas kësaj të fundit, 46 persona u shpëtuan kurse trupi i djalit të mbytur u gjend më vonë.

Kryeministri Grek Kyriakos Mitsotakis njoftoi pezullimin e kërkesave për azil në Greqi.

Sipas zyrtarëve të qeverisë së Athinës, dje forcat e policisë kishin bllokuar rreth 10,000 njerëz që tentonin të kalonin kufirin tokësor me Turqinë për tju drejtuar më pas vendeve europiane.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan prej tre ditësh ka hapur dyert për refugjatët në shënjë paraljamërimi për Europën dhe presion ndaj saj për shkak të krizës në Siri.

Komento

Komente

  • Kafsha: 02/03/2020 10:11

    Gjynah te shkretet emigrante c heqin nga emigrantet e tjere grekë!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?