Situata e COVID-19, Rakacolli: Nuk ka më raste infektimi pas marrjes së vaksinës! Nuk kemi raste të variantit të ri (VIDEO)

2 Shkurt 2021, 19:11| Përditesimi: 2 Shkurt 2021, 19:43

  • Share

Sot morën dozën e dytë të vaksinës kundër koronavirusit të gjithë ata që u vaksinuan më 11 janar, një proces i cili do të vijojë krahas atyre që marrin dozën për herë të parë. Zëvendësministrja e Shëndetësisë njëkohësisht dhe kryetarja e Komitetit Teknik të Shëndetësisë, Mira Rakacolli thotë se nuk ka pasur asnjë efekt anësor të vaksinave tek mjekët.

Në një intervistë në Report Tv, ajo u shpreh se nuk ka pasur asnjë rast tjetër të infektimit pas marrjes së dozës së parë të vaksinës njësoj si mjeku Pëllumb Pipero. Ajo u shpreh se me mbërritjen e dozave të tjera brenda shkurtit do të bëhet i mundur vaksinimi i personelit shëndetësor.

"Janë vaksinuar 700 mjekë e infermierë ku fatmirësisht nuk është vënë re asnjë efekt anësor. Nuk kemi asnjë tjetër të infektuar përveç Pëllumb Piperos pas marrjes së dozës së parë të vaksinës. Rekomandohet që dhe pas dozës së parë, duhet të jetë njësoj mbrojtja ndaj virusit. Nuk përjashtohet as riinfektimi pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës. Nuk do të thotë se vaksina ka efekt. Ka një pjesë të vogël njerëzish që nuk krijojnë mbrojtje ndaj virusit. Nuk është fenomen i papranuar. Fatmirësisht mbrëmë arriti dërgesa e parë e Pfizer, është pjesë e kontratës prej 500 mijë dozash. Do të jetë në funksion të atyre që kanë bërë dozën e parë si dhe do vaksinohen mjekët e tjerë sipas kalendarit të vaksinimit. Duke parë rrezikun e secilës pjesë, është përpiluar kalendari i vaksinimit. Në mes të shkurtit do të vijnë dozat e tjera. 10 mijë e më pas 30 mijë doza të tjera. Do mbarojë vaksinimi i personelit shëndetësor dhe më pas do të vijojë tek shtëpitë e të moshuarve. Një nga sukseset e menaxhimit të situatës së COVID-19 është se nuk kemi pasur vatër në shtëpitë e të moshuarve. Personeli shëndetësor që ka shërbyer deri më tani, ata qëndrojnë në shtëpitë e të moshuarve" - tha Rakacolli.

Lidhur me hapjen e qendrave të tjera të vaksinimit, Rakacolli u shpreh se ato janë të gatshme dhe me ardhjen e dozave të tjera do të hapen në Shkodër dhe në Vlorë. Ndërsa kohëzgjatja e procesit të vaksinimit varet nga sasia dhe shpejtësia e ardhjes së dozave në Shqipëri nga kompania Pfizer.

"Qendrat shëndetësore janë gati, kemi rreth 1000 vaksinatorë të trajnuar. Me ardhjen e dozave të tjera të vaksinave, do të hapen dhe këto qendra. Kohëzgjatja ka të bëjë me sasinë dhe shpejtësinë e ardhjes së vaksinave. Bota është futur në kaos për mbërritjen e vaksinave. Përveç vaksinave të certifiuara, ka dhe doza të tjera që po prodhohen dhe më pas të certifikohen. Skenari mesatar është 18 muaj ndërsa skenari i largët është 24 muaj. Ofrimi i vaksinës, qëllimi i qeverisë është të ofrojë një vaksinë të sigurt. Nuk mund të ofrojmë një vaksinë të pacertifikuar nga EMA apo FDA. Ne kemi ofruar dhe kemi bërë marrëveshje me kompani të certifikuara" - tha Rakacolli.

Ndërkohë për shqetësimin e qytetarëve lidhur me variantin e ri të COVID, Rakacolli deklaroi se deri më tani nuk ka pasur asnjë rast dhe situata është në monitorim.

"Është një shqetësim i natyrshëm duke parë dhe situatën në botë me variantet e reja të koronavirusit. Është e natyrshme që në këtë kohë, që edhe këtu do të na vijë. Edhe pak ditë më parë ka ardhur në Kosovë dhe në Malin e Zi. Deri tani nuk kemi të konfirmuar. ISHP kur e quan të arsyeshme, dërgon analiza të tamponëve për të konfirmuar variantet e reja në Gjermani. Rritjen e shifrave e shohim me shqetësim. Ka një tendencë në rritje prej më shumë se një javë. Konkluzionet janë të nxjerra dhe ka një rritje të incidencës njëjavore e dyjavore. Është stina e dimrit dhe njerëzit qëndrojnë brenda ku është më e lartë mundësia e infektimit. Duhen respektuar rregullat e masave kufizuese. Jemi larg imunizimit popullor. Kjo është arsyeja pse ne jemi fokusuar në imunizimin pasiv, pra me vaksinat. Vaksina mbron atë që merr dozën por edhe ata që janë në kontakt me këto persona" - tha Rakacolli.

Sot u shënua një tjetër shifër e lartë e të infektuarve me COVID. Në 24 orët u regjistruan 942 raste të reja si dhe 5 viktima në të gjithë vendin.

E.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Latif: 02/02/2021 21:42

    Po Pipero kur e mori????

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?