Gjatë këtyre 48 orëve situata ka qenë e rënduar sa i takon zjarreve masive në të gjithë vendin, por me pasoja të rënda në njerëz dhe pasuri në Gramsh, Tepelenë dhe Delvinë.
Në një reagim, kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, shprehet se kjo situatë e rëndë nxori në pah mashtrimin e Edi Ramës në 29 Mars 2025, ku shprehej se këtë verë Shqipëria do të ketë në dispozicion dy avionë zjarrfikës të flotës shqiptare ajrore.
Mirëpo sot, sipas tij, Edi Rama u tërhoq nga kjo deklaratë, duke thënë se duhen bërë disa llogari kur flitet për blerje avionësh zjarrfikës.
Bardhi sjell në vëmendje shpenzimet e luksit qeveritar apo projekte korruptive të padobishme, paratë e të cilave thotë se mund të përdoreshin për investime në emergjencat civile.
Më poshtë reagimi i plotë i Gazment Bardhit:
“Situata e rëndë me zjarret në vend, veçanërisht 48 orët e fundit, nxorri edhe njëherë zbuluar dhe gënjeshtar Edi Ramën.
Më 29 Mars 2025, Edi Rama mashtroi shqiptarët duke thënë se: “Flota jonë ajrore do të ketë në dispozicion duke filluar nga kjo verë, janë bërë marrëveshjet, dy avionë zjarrfikës në gatishmëri për ne pa pritur që të vijnë nga një vend apo nga një vend tjetër”. Mirëpo, Ministria e Mbrojtjes konfirmoi sot për mediat se: “Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë aktualisht nuk disponojnë avionë zjarrfikës.”.
Mungesës së mjeteve të domosdoshme për emergjencat civile, Edi Rama i përgjigjej sot se Shqipëria nuk blen avionë zjarrfikës sepse ka ca llogari që duhen bërë kur flitet për blerje avionësh.
Dhe llogaritë e Edi Ramës janë këto:
1. Na duhet një kopësht me lule 4 milion euro në oborrin e Kryeministrisë, përpara përdorimit të këtyre parave për blerjen e avionëve zjarrfikës.
2. Na duhet pistë garash 200 milion euro, përpara përdorimit të këtyre parave për të blerë mjete për Forcat e Armatosura që mos fikin zjarrin me shkurre që gjenden rrugës.
3. Na duhet Tuneli i Llogarasë që të ketë mundësi Belinda Balluku me një tender të vjedhë 50 milion euro.
4. Na duhet të djegim rreth 400 milion euro tek inceneratorë që nuk punojnë apo ekzistojnë, në vend të kryerjes së investimeve për të modernizuar shërbimet e emergjencave civile.
5. Na duhet të japim 80 milion euro për Belinda Ballukun për aferën e termocentraleve lëvizëse “Tigri 1” dhe “Tigri 3”, që nuk prodhuan kurrë energji elektrike, por ishin qoka e rradhës e qeverisë për të mbushur xhepat në mënyrë korruptive.
6. Na duhet avion charter personal që të shëtisë Edi Rama sikur të jetë sheiku i ndonjë vendi të pasur në botë, dhe jo Kryeministri i vendit më të varfër në Europë.
Mirëpo këto janë llogaritë e Edi Ramës, jo të qytetarëve shqiptarë.
Njerëzit kanë nevojë për një Qeveri që llogaritë i bën me shërbimet që u ofron atyre, jo me sa i fryn xhepat Edi Rama apo Belinda Balluku. Kryeministër Mashtrues!”.
Komente
