Foto ilustruese

Kronikë

Zjarret në vend/ 24 vatra në 24 orët e fundit, 6 ende aktive! Rrezik i lartë në disa qarqe

6 Korrik, 09:52| Përditesimi: 6 Korrik, 11:09

  • Share

Gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar 24 vatra zjarri në vend, 6 prej të cilave janë ende aktive. Ministria e Mbrojtjes, në përditësimin e fundit të situatës, thotë se aktive mbetet vatra në vendgrumbullimin e mbetjeve në Elbasan, vatra në Finiq, Vlorë, Tiranë, Has dhe në Poliçan.

Sipas ministrisë, zjarret janë përhapur kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të ulët, duke shkaktuar dëmtimin e rreth 7 hektarëve tokë. Në disa raste, flakët kanë rrezikuar edhe banesa, duke shkaktuar dëme materiale.

Një nga vatrat më problematike mbetet ajo në vendgrumbullimin e mbetjeve në Elbasan, ku ndërhyrja për shuarjen e plotë vijon edhe sot, me përfshirjen e ekspertëve që po monitorojnë edhe ndotjen e ajrit. Në bashkinë Finiq, në zonën midis fshatrave Grazhdan dhe Malçan, situata është më e qetë dhe po monitorohet nga afër nga zjarrfikësit dhe Shërbimi Pyjor.

Një tjetër vatër e rrezikshme është shfaqur në zonën “Sotiran” të Vlorës, ku zjarrfikësit  po punojnë për të vënë flakët nën kontroll. Në fshatin Bulticë në Tiranë, terreni i vështirë e ka bërë të pamundur ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse, por operacioni vijon me ndihmën e 40 forcave të Forcave të Armatosura.

Edhe në zonën malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj në Has, për shkak të erës dhe relievit të vështirë, zjarri vazhdon të përhapet në një sipërfaqe me pyll pishe. Po ashtu, në fshatin Zgërbonjë në bashkinë Poliçan, është rindezur një vatër që po trajtohet nga forcat zjarrfikëse.

Sakaq, Instituti i Gjeoshkencave parashikon reshje lokale të dobëta në disa qarqe, ndërsa rreziku nga zjarret mbetet i lartë në pjesën më të madhe të territorit.

Njoftimi i plotë:

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 24 vatra zjarri, nga të cilat 6 vatra janë ende aktive.

Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë e Elbasanit, Finiqit, Delvinës, Selenicës, Vlorës, Tiranës, Vorës, Krujës, Hasit, Matit, Malësisë së Madhe, Kurbinit, Korçës, Poliçanit dhe Gjirokastrës.

Aktualisht mbeten aktive vatrat:

* Në vendgrumbullimin e mbetjeve në bashkinë Elbasan, ku edhe sot vijon puna për shuarjen e plotë të vatrës. Gjatë ditës së djeshme u punua kryesisht me hedhjen e inerteve dhe kapsulimin e mbetjeve, ndërsa një grup ekspertësh ishte në terren për matjen e ndotjes së ajrit. Forcat operacionale do të vijojnë punën për shuarjen përfundimtare edhe gjatë ditës së sotme.

* Në zonën midis fshatit Grazhdan, njësia administrative Livadhja, dhe fshatit Malçan, njësia administrative Dhivër, bashkia Finiq. Sot situata paraqitet më e qetë dhe intensiteti i zjarrit ka rënë. Vatra po monitorohet në distancë nga 2 automjete zjarrfikëse me 6 efektivë dhe punonjës të Shërbimit Pyjor në fshatin Malçan.

* Në vendin e quajtur “Sotiran”, ndërmjet fshatrave Tragjas dhe Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë, është raportuar vatër zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Në vendngjarje ndodhen efektivët e Shërbimit Vendor të MZSH të bashkisë Vlorë me 1 automjet zjarrfikës dhe 3 efektivë, të cilët po punojnë për shuarjen e flakëve.

* Në fshatin Bulticë, njësia administrative Vaqarr, bashkia Tiranë, në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Terreni i pafavorshëm e bën të vështirë ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse. Sot, forcat operacionale me ndihmën e 40 forcave nga FA do të vazhdojnë punën për vënien nën kontroll të zjarrit.

* Në zonën malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj, njësia administrative Gjinaj, bashkia Has, në një sipërfaqe me pyll pishe. Terreni i vështirë dhe era favorizojnë përhapjen e flakëve, ndaj puna për shuarjen vazhdon.

* Në fshatin Zgërbonjë, njësia administrative Vërtop, bashkia Poliçan, në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Sot në mëngjes ka rifilluar operacioni për shuarjen e zjarrit me 2 automjete zjarrfikëse dhe 7 efektivë.

Zjarret janë regjistruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të ulët, ku si pasojë janë djegur rreth 7 hektarë.

Në tre raste – në fshatin Marqinet (bashkia Vorë), në rrugën “Perlat Rexhepi” (njësia administrative Nr.5, bashkia Tiranë) dhe në fshatin Bulgarec (bashkia Korçë) – zjarri ka përfshirë dy banesa dhe një ndërtesë, duke shkaktuar dëme materiale.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 34 automjete zjarrfikëse, 399 forca operacionale dhe 53 mjete të rënda. Gjithashtu, Forcat e Armatosura kontribuan me 40 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 1 pompë thithëse dhe 1 traktor me zinxhirë.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot parashikohen reshje lokale të dobëta në disa qarqe.

Sa i përket rrezikut nga zjarret, në shumicën e qarqeve pritet nivel “I LARTË”. Në qarqet Durrës, Korçë dhe Vlorë pritet nivel “I MODERUAR”, por lokalisht edhe “I LARTË” në zona të caktuara si: Durrës (jug), Korçë (qendër) dhe Vlorë (veri-qendër).

Strukturat e mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë dhe po ndjekin nga afër çdo situatë në terren.

I bëjmë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet përkatëse në çdo rast.

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron aksion për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?