Kosova & Rajoni

COVID në Kosovë, drejtori i Shërbimeve spitalore: Situata në spitale e rënduar, numri i të shtruarve më i larti që prej fillimit të pandemisë

2 Shtator 2021, 19:17| Përditesimi: 2 Shtator 2021, 19:54

  • Share

Kosova po përballet me një situatë të rëndë të pandemisë së COVID, ku prej javësh tashmë vendi ka regjistruar shifra të larta fatalitetesh dhe raste infeksionesh. Valbon Krasniqi, drejtor i Shërbimeve spitalore Kosovë, tha në një lidhje me Skype për Report TV se në spitale janë 1250 pacientë të shtruar. Sipas tij, kjo është shifra më e lartë e personave që kanë nevojë për kujdes spitalor si pasojë e COVID, që prej fillimit të pandemisë.

"Kemi 1250 pacientë të shtruar në spitale. Ky numër i lartë pacientësh të shtruar, me një numër të konsiderueshëm të pacientëve të rënduar, fatkeqësisht po përcillet edhe me një numër të lartë fatalitetesh. Aktualisht situata në spitale është e rënduar, jashtëzakonisht serioze, infektimet në kohë të shkurtër, ngarkon shumë sistemin shëndetësorë. Janë 7 spitale që po trajtojnë pacientët me COVID dhe po punohet për transformimin e spitaleve të tjera në spitale COVID. Ky është numri më i lartë i shtrimeve në spital që prej fillimit të pandemisë", tha ai.

Sipas Krasniqit, i lartë është edhe numri i pacientëve në gjendje të rëndë, ndërsa 90% e të shtruarve janë në oksigjenoterapi. Ai thekson se COVID nuk ka kursyer as të rinjtë e fëmijët. Qarkullimi  qytetarëve gjatë verës dhe varianti Delta, sipas mjekut janë dy faktorët që kanë ndikuar në përhapjen e vrullshme të COVID.

"Numri i pacientëve në gjendje të rëndë është i lartë, kemi 70 pacientë të shtruar në kujdesin intensiv. Edhe numri i pacientëve në oksigjenoterapi është shumë e lartë, janë mbi 90% e të shtruarve. Nuk janë kursyer as të rinjtë, fëmijët e gratë shtatzëna. Ne po përpiqemi të organizojmë të gjithë spitale për përballimin e situatës. Mosrespektimi i masave në mënyrë rigoroze paraqet risk për përhapjen e infeksionit. Ne në verë kishim një qarkullim të madh të qytetarëve, dasmat, kafeteritë, këto kanë ndikuar në përhapjen e madhe të rasteve, por nuk duhet harruar edhe Delta që ka një aftës shumë të madhe për t'u përhapur", u shpreh Krasniqi.

Në 24 orët e fundit në Kosovë u regjistrua një rekord i zi viktimash, 32 humbje jete, ndërsa numri i infeksioneve u rrit me 1612 raste të reja.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?