Ka dështuar mbledhja jashtë radhe e Këshillit Bashkiak në Elbasan, e thirrur nga 19 këshilltarët e opozitës për ditën e sotme (11 korrik), të cilët do të diskutonin situatën aktuale pranë inceneratorit të shoqërisë ECO-ELB dhe masat e marra për parandalimin në të ardhmen e rasteve te tjera te zjarrit.
Edhe pse administratori i Eco Elb ishte përgatitur t’i përgjigjej pyetjeve, mungesa e kryetarit të Bashkisë, Gledjan Llatja, i cili ishte i pranishëm në takimin e thirrur nga Kryeministri në Durrës dhe mosprezenca e asnjë anëtari të majtë, bëri të mos plotësohej kourum.
Të indinjuar me mos prezencën e kolegëve të tyre socialistë, u shprehën këshilltarët e opozitës.
Ata e cilësuan mosprezencën e këshilltarëve socialistë si një bojkot të planifikuar politik. Sipas këshilltarëve opozitarë, çështja e ndotjes si pasojë e mosfunksionimit të inceneratorit, djegija e mbetjeve në landfill, është një fenomen që prek të majtë e të djathtë.
Sipas tyre kjo çështje duhet t’i kishte bërë bashkë pavarësisht bindjeve politike. Pa dhënë detaje konkrete pohuan se do t’i përshkallëzojnë reagimet e tyre.
“Ta çojmë edhe në SPAK këtë çështje. Nuk prek vetëm popullin demokrat, por prek edhe atë socialist dhe apartiak. Është në nderin tuaj. Mos e detyroni opozitën të marrë hapa ekstremë. Na prek të gjithëve, ndaj kryebashkiaku duhet të jetë prezent dhe t’i përgjigjet opozitës dhe qytetarëve. Shtyjeni mbledhjen sa të jetë e arsyeshme që të vijnë dhe ata”, thanë anëtart e opozitës, duke kërkuar transparencë për çështjen e zjarrit në lëndfill dhe inceneratorit.
Elbasani vijon të jetë në emergjencë mjedisore. Mbetjeve në landfill digjen çdo verë, ndërsa ajri i ndotur rrezikon seriozisht jetën e qytetarëve.
Edhe ministrat Pirro Vengu dhe Ervin Hoxha, nga hera e fundit që ishin në Elbasan, njoftuan se po shohin mundësinë e gjetjes së një zgjidhje përfundimtare për Elbasanin, por pa ndarë detaje.
Zjarri i fundit në landfill zgjati për një javë, duke shkaktuar dëme materiale dhe ndotje me renë e tymit toksik në zonë, kurse shkaqet mbeten ende të panjohura.
Komente
