Deputeti i PDK-së Xhavit Haliti, i cili ka mbajtur edhe pozicionin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, në një intervistë për ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv, e konsideron të papranueshme situatën e krijuar në veri të Kosovës. Ai thotë se Vuçiç ka një rol shumë të rëndësishëm në këtë tentativë për të destabilizuar Kosovën dhe rajonin.
“Është një situatë që askush nuk e ka dëshiruar, një situatë që ka tensionuar raportet e Kosovës me BE-në, me SHBA-të, me KFOR-in, EULEX-in. Përgjegjësia është e ditur për të dyja palët. Implikimi i Presidentit të Serbisë në këto ngjarje është shumë i madh dhe shumë i dukshëm. Nga njësia speciale serbe janë futur dhe kanë bërë ato raprezaliet atje kundër KFOR-it. Ndërhyrja e menjëhershme KFOR-it ka qenë totalisht e domosdoshme. Serbët nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje me urdhër të Vuçiçit. Ata kanë marrë pjesë gjithmonë. Vuçiç ka gjithmonë qëndrime nacionaliste për ta destabilizuar Kosovën dhe rajonin”, tha Haliti në bisedën me gazetarin Nertil Agalliu.
Ai u shpreh se Albin Kurti po bën lojëra që nuk e zgjidhin në thelb problemin. Madje ai tha se Kurti edhe komandatit të KFOR-it nuk i ka hapur telefonin.
“Albin Kurti e ka marrë me lehtësi situatën këto dy ditë. Unë kam informacion se ai i ka mbyllur edhe telefonat dhe nuk i është përgjigjur as Komandatit të KFOR-it. Por në një moment ky i fundit e ka gjetur se ku është dhe janë takuar dhe kanë biseduar. Ne nuk mund ta instalojmë pushtetin në veri me 2% të votave. Dhe për këtë duhet biseduar me miqtë për të gjetur një zgjidhje. Të ndërpritet kjo situatë që është e papranueshme”, tha deputeti i opozitës në Kosovë, Xhavit Haliti.