Editorial

Situata në PD/ Bollino në 'Kontrast': Përplasja e madhe Berisha-Basha pritet më 18 dhjetor, dhuratë për Ramën e PS! Vangjeli: SHBA i dha një shpatë kreut të PD-së, ai e bëri bisturi

13 Dhjetor 2021, 21:29| Përditesimi: 13 Dhjetor 2021, 22:01

  • Share

Situata e krijuar në Partinë Demokratike dhe çfarë pritet të rezervojnë zhvillimet e ditëve në vijim ishte tema e debatit sot në studion e emisionit 'Kontrast' në Report Tv.  

Gazetari i njohur, Carlo Bollino, tha Sali Berisha tashmë betejën kryesore e ka me Lulzim Bashën për marrjen e Partisë Demokratike. Në ‘Kontrast’, Bollino komentoi ngjarjet në selinë e PD ku Berisha dhe mbështetës të tij hynë brenda ambienteve të selisë. Ai tha se pavarësisht përpjekjeve të Berishës, strukturat kryesore të partisë dhe shumica e grupit parlamentar janë përkrahës të Lulzim Bashës.

“Ishte një akt force dhe sfidë ndaj Lulzim Bashës. Ai vajti në selinë e PD për të marrë atë që e quan ‘shtëpia ime’ ndërkohë që ajo është shtëpia e të gjithë demokratëve. Sot bëri një akt politik force, por jo të fundit. Betejën tani e ka me Lulzim Bashën dhe jo më SHBA. Edhe statuti i ndryshuar nëse do të njihet nga gjykata është një dokument që Berisha të marrë Partinë Demokratike. Berisha kontrollon pak a shumë 15 deputet, ndërsa shumica dërrmuese është me Lulzim Bashën. E njëjta gjë edhe në Kryesi. Kështu që strukturat kryesore të PD-së janë në dorën e Lulzim Bashës. Dhe për t’i çmontuar këto struktura organizoi Kuvendin” – tha Bollino.

Ai shtoi se e vetmja zgjidhje për atë ccka po ndodh në PD është vëndimi i Gjykatës.

“Palët duhet t’i drejtohen gjykatës sepse një parti politike është si një OJF me statut dhe struktura. Në këtë pikë duhet gjykata ta ndihmojë rastin në fjalë. Nëse kjo ndodh aty do të ndodhë edhe përplasja e madhe” – tha Bollino.

Gazetari Carlo Bollino komentoi në emisionin ‘Kontrast’ edhe ‘mea culpa’-n e Lulzim Bashës i cili riktheu në vëmendje rastet e Tom Doshit dhe Vangjush Dakos. Bollino tha se Basha dështoi ta bindte Berishën të largohej nga politika. Ai shtoi se kjo që po ndodh mes Bashës dhe Berishës është një dhuratë e jashtëzakonshme për Edi Ramën dhe qeverinë socialiste.

“Lulzim Basha nuk ka alternativa të tjera. Proces vetëshkatërrimi, dhuratë e jashtëzakonshme për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Në rastin e Tom Doshit dhe Vangjush Dakos të shpallur non-grata, Rama arriti t’i bindë ata që të tërhiqe nga politika, ndërsa Basha nuk mundi ta bënte këtë me Sali Berishën.

Ndërkohë po ta mbani mend, gjatë gjithë fushatës Edi Rama e ka mbajtur fushatën me një emër: Sali Berisha. Pra duke u thënë shqiptarëve që po votuat Lulzim Bashën, fiton Sali Berisha. Dhe tani krejt papritur i vjen një dhuratë nga vetë PD. Nëse partia mbetet në dorën e Berishës, ka marrë fund partia. Do të ndodhë ajo që ndodhi me Berluskonin apo me ‘5 Stelle’” – tha Bollino.

Për Carlo Bollinon, përplasja e madhe në PD pritet të ndodhë pikërisht në 18 Dhjetori, ditën kur Basha mban Kuvendin Kombëtar, ndërsa Berisha organizon referendumin. Gazetari tha se pikërisht të shtunën e ardhshme do të duket forca që Basha ka për ta mbledhur ose jo Kuvendin. Por sipas tij, 18 Dhjetori është edhe një ditë e rrezikshme pasi të gjithë palët do të jenë në terren.

“Emergjente për Lulzim Bashën është data 18 Dhjetor kur ai duhet të vërtetojë nëse e ka mbështetjen. Por edhe dita më e rrezikshme, sepse mund të ketë anti-miting. Sepse të gjithë militantët janë në shesh. Në PD po ndodh një përplasje e dy trenave që janë në të njëjtën hekurudhë, por që i shkojnë përballë njëri-tjetrit. Unë pashë që po thonin se na u rrezikua jeta nga një bravë. Pikërisht partia që deri dje sulmonte institucionet me molotov e thotë këtë. Dhe i bënin thirrje policisë për ndihmë. Një ditë thonin pse na vjen policia pranë selisë, pastaj kërkonin t’i ndihmonte policia e Ramës?!

Ne mendonim që ky revolucion do të bëhej kundër Edi Ramës. Zoti Berisha e përqafoi zotin Basha kur u rizgjodh kryetar, dhe më pas krejt papritur kur erdhi shpallja non-grata ai iu kundërvu dhe e shpalli armik. Kush mund të besojë tek sinqeriteti i lëvizjes së Berishës tani?” – tha Carlo Bollino.

Ndërkohë që për gazetarin Lorenc Vangjeli nuk rrezikohet sot nga sulmet që i vijnë atij prej Sali Berishës, sesa prej CV-së humbëse që ka në drejtimin e PD-së. Sipas tij bisturia elegante e Bashës ndodhet sot përballë sëpatës së ndryshkur të ‘druvarit’ Berisha.

“Lulzim Basha ka kohë që ka një ‘shpatë’ sepse ia kanë dhënë amerikanët. Por sikurse thotë heroi ynë kombëtar Skënderbeu, shpata nuk mjafton sepse duhet edhe krahu. Kështu që ajo shpatë e jashtëzakonshme që iu vu në dispozicion Lulzim Bashës dhe shumë më shumë se atij, shoqërisë shqiptare për të shëruar sëmundjen e hershme të mosndëshkimit, sot është shndërruar nga Basha e për faj të Bashës në bisturi. Dhe në të vetmen pikë ku mbahet ai sot. Ka shumë pendesa Basha, por ato nuk i hyjnë me në punë. Ai sot foli bukur, por do më bënte përshtypje nëse fjalët e sotme të tij do t’i thoshte ina Zhupa përshembull. Një demokrate e re, të cilës duhet t’i rrëmosh gjatë në biografi për t’i gjetur ndonjë të ligë. Që nuk ka, sepse s’ka qenë pjesë e PD më parë. Apo Jorida, apo Flutura… Pra cilitdo demokrati tjetër që në ndryshim nga Basha dhe Berisha nuk kanë mëkatet e tyre në CV. Nuk ka asnjëri prej tyre skeletet e tyre në dollap. Ta dëgjosh Lulzim Bashën duket sikur ka ardhur dje në politikë. Lulzim Basha po ndëshkohet dhe po largohet jo për atë që i bëri Sali Berisha, por sepse është ai i dobët. Po ndëshkohet sepse ka humbje të njëpasnjëshme” – tha Lorenc Vangjeli.

Ora 21:48
Paralajmërimi i Vangjelit: Në 18 dhjetor dhe më tej mund të kemi dorëheqje masive nga mbështetësit e Bashës

 

Për analistin Lorenc Vangjeli, kryetari i PD-së duhet të ishte dorëhequr që në Prill pas humbjes në zgjedhjet e përgjithshme. Sipas tij, kjo do të kursente të gjithë këtë luftë që po zhvillohet prej disa muajsh mes Bashës dhe Berishës.

Vangjeli habiti jo pak në studion e ‘Kontrast’ me parashikimin e tij. Ai tha se në prag të Kuvendit të thirrur nga Basha, por edhe pas tij, do të pasojnë dorëheqjet e personazheve të njohur në PD.

“Sot jemi në një moment që zoti Basha ende nuk e ka kuptuar se ç’po ndodh. Unë madje mund t’ju parathem se me siguri se para dhe pas të shtunës do të kemi tekstin e dorëheqjes kolektive të shumë personazheve të njohur të Partisë Demokratike. Me frazën ‘duke dashur të shmangim përçarjen e PD etj etj”… Pra të njerëzve pranë Bashës. Unë nuk po them se kemi të bëjmë me një dorëzim, por loja ka mbaruar që në momentin kur Sali Berisha njëlloj si strategët duke pasur të gjitha rrethanat dhe SHBA-të kundër, arriti të mposhtë një armik të dobët si Basha në rolin e kundërshtarit të tij, i cili duhet të kishte ikur në Prill thjesht si humbës. Atë që duhet të kishte ndodhur muajin e fundit të pranverës së këtij viti, po e shohim të ndodhë në muajin e parë të këtij dimri” – tha Lorenc Vangjeli. Sipas tij, Kuvendi i datës 18 dhjetor është ne dyshim nëse mund të mbahet. “Me gjasë, në dyert e Pallatit të Kongreseve do të ketë “filtra” njerezorë që do të pengojnë hyrjen e delegatëve në sallë. Dhe kjo do të jetë vetëm ajo që do të duket, sepse ndalesat do të jenë edhe më të mëdha”, tha Vangjeli.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?