Situata në PD dhe zgjedhjet e pjesshme lokale, anëtari i Këshillit Kombëtar: Fitojmë 4 nga 6 bashki, jemi në rrugën e duhur! Studiuesi: Berisha e 'shkundi' partinë

20 Janar 2022, 18:16| Përditesimi: 20 Janar 2022, 21:28

  • Share

Kur kanë mbetur edhe pak javë nga zgjedhjet vendore të 6 marsit, partitë kanë 'ndezur motorët' për t'u përgatitur për betejën elektorale në 6 bashkitë pa kryetar, ndërsa demokratët janë të ndarë edhe në këtë proces. Sali Berisha ka deklaruar se do marrë pjesë në këto zgjedhje dhe se ka nisur punën për përzgjedhjen e kandiatëve, ndërsa po ashtu përgatitjet i ka nisur edhe PD zyrtare.

Por pavarësisht kësaj situate përçarje, për anëtarin e Këshillit Kombëtar Olsi Karapici, situata në PD po tenton drejt më të mirës dhe se nga 6 bashki, ata pretendojnë të fitojnë në 4. Në emisionin 'Studio Live' në Report Tv të gazetarëve Migena Sotiri dhe Arbër Hitaj, ai përmendi bashkinë e Shkodrës, Lushnjës, Rrogozhinës dhe Vorës si të sigurta.

"Situata në PD po tenton drejt më të mirës së mundshme. Ajo shkundja, ka moment që i duhet. Rinovimi i strukturave, hapja e partisë, afrimi i njerëzve të rinj. Ne në këto zgjedhje do zgjedhim kandidatë njerëzit më të papërlyer. Shkodra do jetë fitore spektakolare e PD. Unë shoh një ngritje në drejtimin që duhet të shkojë. PD ka vetëm një kryetar që quhet Lulzim Basha. Kush ka dëshirë, të hapi parti më vete. Ne do kemi proces shumë transparent në këto zgjedhje për të gjithë kandidatët. Do të jenë persona të shquar, do ketë komision për përzgjedhjen e kandidaturave. Shkodrën e kemi të fituar, Lushnja do jetë një surprizë ku do fitojë PD, Rrogozhina ka qenë gjithmonë e djathtë, edhe Vora. Nga 6 bashki, minimalisht 4 i fitojmë ne", tha ai.

Tjetër mendim kishte pedagogu Mirdaim Axhami, i cili tha se lëvizja e Sali Berishës ishte ajo që vuri në lëvizje dhe karikoi PD. Sipas tij shumica anon pikërisht nga Sali Berisha dhe se gjykuar nga kjo, ai duhet të jetë kryetari i PD-së.

"PD është në një moment të vështirë sa i përket situatës që ka ndodhur që prej ditës së përjashtimit të Berishës. Por ama ndodhet në një moment ku është më e karikuar se kurrë, është shkundur në çdo pjesë të saj. Ajo që shkundi PD ishte vendimi për përjashtimin e Berishës. Jo çdo gjë e keqe ndodh për keq, unë e kam parë si një e keqe që ndodh për mirë. Më në fund PD po rimerr veten dhe po kthehet në misionin e saj të vërtetë për të sjellë PD në pushtet. Kjo lëvizje që po ndodhi tani ka shkundur dhe e ka sjellë PD në vëmendje, ka nxitur aktorët e përfshirë në këtë parti dhe është në rrugën për të shkuar aty ku është qëllimi, për të fituar zgjedhjet", u shpreh ai.

Presidenti Ilir Meta dekretoi sot datën 6 mars për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Sali Berisha deklaroi dje se do të marrë pjesë në zgjedhje dhe se ka nisur punën me strukturat e tij, ndërsa PD zyrtare ka dhënë sinjalet për të hyrë në këto zgjedhje në koalicion me partitë aleate. Ishte nënkryetarja e PD, Jorida Tabaku, e cila tha sot se do të krijojnë një koalicion të gjerë opozitar, që do të jetë jo vetëm me partitë aleate, por edhe me qytetarët.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?