Nga 23 vatra zjarri të regjistruara orëve të fundit, 4 prej tyre janë ende aktive ndërsa 3 mbahen nën monitorim. Ministria e Mbrojtjes, në përditësimin e situatës nga zjarret, thotë se vatrat aktive janë në Bulqizë, Fushë Arrëz dhe Korçë.
Në Bashkinë Bulqizë, në fshatin Tërnovë, janë dy vatra zjarri aktive: njëra në zonën e Liqenit të Zi dhe tjetra në Valikardhë. Sfidë mbetet terreni, por ndërhyrjet vijojnë nga forcat zjarrfikëse, strukturat pyjore dhe bashkia.
Në Bashkinë Fushë Arrëz, vatrat janë përhapur në fshatrat Xeth, Kolumri dhe Trun. Ato janë jashtë kontrollit për shkak të terrenit të thyer dhe të vështirë, por në operacion janë angazhuar strukturat vendore së bashku me 50 forca të Forcave të Armatosura dhe një mjet zjarrfikës.
Vatra e katërt ndodhet në Bashkinë Kolonjë, në Parkun Natyror të Gërmenjit, ku zjarri vijon të përhapet drejt kufirit. Për përballimin e flakëve janë angazhuar forcat zjarrfikëse, shërbimi pyjor, AdZM, bashkia si dhe 30 ushtarë nga reparti ushtarak i Drenovës. Për shuarjen e flakëve shpresohet të ndihmojë edhe shiu që parashikohet të bjerë në zonë rreth mesditës.
Nën mbikëqyrje po mbahen edhe vatrat në fshatrat Damjan-Fortuzaj (Vaqarr) dhe Pezë Helmës të Tiranës, ku zjarri është minimizuar. Nën monitorim është edhe vatra në fshati Ibë, njësia Bërzhitë si dhe ajo te Parku i Rëzomës, pranë tunelit të Skërficës në Delvinë.
Zjarri pranë Parkut Natyror të Gërmenjës në Korçë vazhdon të jetë ende aktiv, ku flakët janë përhapur poshtë piramidës 15, ndërsa në drejtim të Rezervatit Gërmenj-Shelegur nuk ka përhapje të re.
Rreth 60 forca nga MZSH Kolonjë, drejtoria rajonale e Zonave të Mbrojtura, policia kufitare, shërbimi pyjor e vullnetarë, mbështetur edhe prej forcave të ushtrisë nga reparti i Drenovës, janë afër perimetrit të prekur, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme dhe shuarjen e plotë.
Nga parashikimi i motit, duket se mund të kete reshje shiu në zonë rreth mesditës, duke shpresuar se do na ndihmojë për neutralizimin e vatrave.
Komente
